Nga David Bartoccini
Nga Gjiri i San Franciskos, një lëmsh rrymash vdekjeprurëse ku takohen dhe përplasen midis tyre lumenjtë e Kalifornisë dhe ujërat e ftohta të Paqësorit, një dritë e largët mund të shihet përtej mjegullës së lehtë.
Ajo sinjalizon ata që lundrojnë pranë një ishulli të vogël ranor, i cili ruan ende sot kujtimin e atij që ishte dikur burgu më i famshëm i sigurisë maksimale në botë: burgu i Alkatrazit, i mbyllur plot 60 vjet më parë.
Alkatraz, një emër thuajse armiqësor, i vrazhdë si jeta e atyre që kanë qëndruar aty që nga Lufta Civile Amerikane, kur filluan ta quajnë thjesht The Rock, Shkëmbi.
Sipas disave, emri iu vendos nga hartografi spanjoll Huan Manuel Diaz. Ai ishte i pari që e përdori kur shënoi skicën e Isla de los Alcatraces në një hartë të gjirit.
Ishulli ishte foleja e disa pelikanëve ngjyrë kafe, para se dinamiti të rrafshonte relievet duke e bërë atë të përshtatshëm për ndërtimin e një baze ushtarake në mesin e shekullit XIX.
Por sipas të tjerëve, ishte kapiteni i Marinës Mbretërore Britanike, Frederik Bishej, ai që ia vendosi këtë emër pas një inspektimi të gjirit që ndodhet ende nën kontrollin e autoriteteve meksikane që prej vitit 1825.
Fakt është se e gjithë në bota e njeh ishullin Alkatraz si një burg të pathyeshëm. I blerë nga guvernatori i Kalifornisë Xhon Fremont pa pëlqimin zyrtar të qeverisë federale – e cila e konsideronte tashmë pronën e saj dhe për këtë arsye nuk e shihte të arsyeshme të paguante – në këtë shkëmb të rrethuar nga uji u ndërtua fillmisht një far që shërbente për sinjalizimin e pranisë së një pengese për anijet që lundronin në zonë.
Pak më vonë u shndërrua në një fortifikim ushtarak, dhe në një pozicion strategjik për mbrojtjen “trekëndore” të gjithë gjirit.
Në rast se anijet e armikut arrinin të depërtonin deri në Portën e Artë, ishulli do të lejonte që një bateri armësh t’i shënjestronte ato me fuqi shtesë zjarri.
Vetëm pas shpërthimit të Luftës Civile Amerikane, The Rock nisi të shërbente si një burg për të burgosurit e luftës të Ushtrisë Konfederate, dhe për ata që akuzoheshin për tradhti.
Që nga viti 1907, ishulli Alkatraz u përdor zyrtarisht si një burg ushtarak.
Ndaj një pjesë e “fortesës” së vjetër ushtarake, ku të burgosurit mbylleshin në bodrume – u shndërrua në objektin që mund të shihet edhe sot nga portet e San Franciskos.
Pas një zgjerimi që i dha mundësi të akomodonte mbi 300 të burgosur, Burgu Ushtarak Perëndimor i SHBA-së, u bë vendi ku mund të transferoheshin të burgosurit më problematikë të Amerikës.
Kjo duke i privuar ata nga çdo lloj mundësie për t’u arratisur ndërmjet kufijve strukturorë dhe gjeografikë.
Ndër të dënuarit më të famshëm ishin Al Kapone, gangsteri më i famshëm në histori.
Po ashtu edhe Alvin Karpis, armiku publik nr.1 i FBI-së përpara se të kapej dhe të shoqërohej personalisht në Alkatraz nga vetë kreu i FBI J.Edgar Huver në vitin 1936.
Në 29 vitet e funksionimit si një burg i sigurisë së lartë, në Alkatraz qëndruan 1.576 të burgosur.
Ata ishin tërësisht të izoluar. Nuk kishin mundësi të komunikonin me njëri-tjetrin dhe pa mundur të bisedonin me ata që e vizitonin mbi atë që po ndodhte në “botën e jashtme”.
Madje thuhet se as që e dinin që po zhvillohej Lufta e Dytë Botërore.
Edhe pse arratisja nga Alkatraz konsiderohej e pamundur, nuk munguan përpjekjet për arratisje. Gardianët regjistruan 14 prej tyre, ku u përfshinë gjithsej 36 të burgosur.
E para daton më 27 prill 1936, kur një i burgosur tentoi të arratisej duke u ngjitur mbi një gardh.
Por ai u qëllua për vdekje nga rojet pasi nuk dëgjoi paralajmërimet.
Përpjekja e dytë që ndodhi më 16 dhjetor 1937, konsiderohet si e para e suksesshme.
Dy të dënuar, Teodor Kol dhe Raf Roi, u larguan nga ishulli duke përdorur disa goma mbi një trap të improvizuar.
Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë dhe u konsideruan “të zhdukur apo ndoshta të mbytur”. Frenk Morris dhe dy vëllezërit Anglin u konsideruan gjithashtu të tillë disa vite më vonë.
Ata u arratisën më 11 qershor 1962, akt që do të frymëzonte filmin e famshëm “Arratisje nga Alkatraz”.
Përpjekjet e tjera rezultuan në 5 të burgosur të vrarë, 2 të mbytur dhe 23 të tjerë të kapur.
Me gjithë vendndodhjen e veçantë të burgut, dhe pozicionin e tij të konsideruar strategjik dhe të izoluar në mënyrë të favorshme, mbajtja e të burgosurve atje nisi të bëhej tepër e vështirë. Krejt kjo për shkak të kostove shumë të larta.
Më 21 mars 1963, Prokurori i Përgjithshëm Robert Kenediurdhëroi mbylljen e burgut të Alkatrazit, një akt që zemëroi shumë kreun historik të FBI-së J.Edgar Huver, një kundërshtar i madh i familjes Kenedi.
Që nga ajo ditë Alkatraz mbeti i braktisur dhe një atraksion kryesisht për turistët. / “Il Giornale”
ObserverKult
Lexo edhe:
BELÇITE ME FANTAZMA, DUKURITË PARANORMALE NË QYTETIN E SHKATËRRUAR
Nga Paco Rodríguez
Midis 24 gushtit dhe 6 shtatorit të vitit 1937, gjatë Luftës Civile Spanjolle, qyteti i Belçites në verilindje të Spanjës, u bë një objektiv strategjik për forcat e qeverisë republikane.
Kjo para sulmit të tyre në qytetin e afërt të Zaragozës.
Qyteza u duk në fillim një objektiv i thjeshtë, por pushtimi i tij zgjati më shumë sesa pritej.
Më shumë se 5.000 njerëz vdiqën në 14 ditë luftime intensive dhe qyteti u rrafshua. Gati gjysma e 3.100 banorëve të qytetit vdiqën në luftë. Lufta asgjësoi historinë shekullore të atij vendbanimi.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult