Jupiteri ishte zot i qiellit dhe mbrojtjes në Romën Antike. Në kohën kur ajo perandori shtrihej edhe në këto anë, popullsia vendëse vazhdonte t’u bënte kushtime zotave që tani mbanin emra romakë. Midis dëshmive është edhe një altar i gjetur së fundmi, shkruan sot Koha Ditore.
Kadri Çitakut, derisa po lëvronte arën e tij në fshatin Kërrninë të Istogut, plugu i kishte hasur në një gur të madh. Pasi e kishte nxjerrë atë nga thellësia nja 50 centimetra, kishte dalë në pah një altar. Gjetja që i takon periudhës romake është hasur në vendbanimin që gjendet rreth 10 kilometra në lindje të Istogut.
Në bazë të asaj që kanë parë arkeologët, mendohet se i takon shekullit II. Javën e kaluar, gjetja arkeologjike është tërhequr nga fshati Kërrninë. Një ekip i Institutit Arkeologjik të Kosovës i kryesuar nga drejtori i këtij institucioni, Enver Rexha, të premten e javës së kaluar ka qenë në vendgjetje. Ata ishin njoftuar nga Haxhi Sylaj, banor i fshatit Kërrninë.
Në një raport që drejtori Rexha e ka përgatitur për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ofrohen të dhënat preliminare sa i përket artefaktit të punuar nga guri i mermertë. Aty sqarohet se Kadri Çitaku kishte hasur në altar në arën e tij te vendi i njohur si “Ura e Çitakëve”, afro 400 metra nga shtëpia e tij.
Ekipi i IAKsë, në përbërjen e së cilit ishte edhe arkeologu Haxhi Mehmetaj, gjatë vizitës së terrenit përreth ka hasur në gjurmë sporadike të qeramikës dhe tjegullave.
“Po ashtu, me këtë rast rivizituam dhe vendin e quajtur ‘Ara e Madhe’ (rreth 200 metra në lindje të shtëpisë së Kadri Çitakut, ana e djathtë e përroskës-lumit Gujovq, lumë që kalon në fshat), pronë e Haxhi Sylajt”, shkruhet në raport.
Sqarohet se kjo hapësirë ishte vizituar edhe më herët nga punonjësit e IAK-së dhe ishte evidentuar se ka potencial të gjurmëve si qeramikë, tjegulla e gurë sporadikë.
“Por, ajo që na tregoi pronari është evidentim shtesë. Pronari thotë që në thellësi të lavrës, mbi 0,40 – 0,50 centimetra, ka hasur më herët edhe në mur. Ne evidentuam vendin ku thuhet se gjendet muri, me qëllim që në rastin e ndonjë hulumtimi testues në të ardhmen të kemi pozicionin”, shkruhet në raport./koha