Regjisori Altin Basha i sapoemëruar si drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental, pas lirimit nga detyra të Kiço Londos, vjen në një intervistë për “BalkanWeb”, ku sqaron platformën e tij në krye të institucionit dhe më tej, shpjegon të gjitha pikëpyetjet e vendimeve dhe qëndrimeve të tij 2-vjeçare, nga pjesëmarrja në protestën për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, tek ndryshimi i qëndrimit, pjesëmarrja në komisionin e negociatave për teatrin e ri, ndjesitë e tij kur pa shembjen e godinës me 17 maj dhe zëvendësimin në detyrë të një drejtori që kishte dalë kundër shembjes.
I pyetur nëse qëndrimi për shembjen e teatrit e solli në këtë detyrë, Basha thotë se “kështu ndërlidhen gjëra në një version hipotetik”.
“Fillimi i kundërvënies së artistëve me Ministrinë e Kulturës, ka qenë ligji i arritur dhe transparenca për Teatri e ri Kombëtar. Presioni i komunitetit ka qenë i madh, sepse për ne nuk ishte çështja a duam teatër të ri, shqetësimi ishte ruajtja e hapësirës. Nuk donim që në atë tokë të ndërtoheshin biznese. Nga ky presion i komunitetit, ndryshoi projekti e ideja e qeverisë për zhvillimin… dhe ai moment që ka thyer qëndrimin tim për teatrin e vjetur ka qenë takimi me ekspertët”, thotë Altin Basha.
Ai rrëfen edhe debatet e bëra dhe negociatat e bëra nga komisioni i përzgjedhjes ndërsa thotë se projekti është po ai i Bjarke Ingels, dhe pohon se trualli ruhet. Sipas tij, një ndër debatet ka qenë menaxhimi i parkingut poshtë teatrit, të ardhurat e të cilëve do ishin në shërbim të teatrit.
“Teatri (i ri) ka katër salla, 3 indoor dhe një outdoor. Ka kushtet bashkëkohore. Më thoni çfarë duhet të bëja unë si regjisor, duhet të refuzoja për hir të fjalës së parë që thashë, apo të pranoja teatër të ri për të ardhmen?”.
Duke e gjykuar lëvizjen për teatrin si një lëvizje ku u luftua për kapital politik, ai pranon se qenë dy anët politike. Ai tha se në fund gjykoi se çfarë përfitohej.
Regjisori që fitoi çmim me një teatër politik se “Gomari i Babatasit” dhe vuri në skenë “Rojat e Taxhit”, të dyja pjesë që e vënë artistin përballë pushtetit, thotë se do të jepte dorëheqjen nëse nuk mund të vërë më pjesë të tilla./BW