“Ama ni fakin vishnje me dy fakin ajsa”

kuller ballsor hoxha

Kuller” – mirë apo keq?

Nga Ballsor Hoxha

Kur kërkohet nëpër etimologjinë, prejardhjen e një fjale, kërkuesi shpesh gjendet në zona të kuptimit njerëzor që nuk kanë shpjegim që shprehet në gjuhë, shkëputen linjat, përvijimet e kuptimit dhe kërkuesi mbetet me një kompleks shtresash që nuk kanë dhe as nuk mund  të kenë kuptim të ndarë.

“Kuller” në shqip, derivuar nga “cooler” në anglisht e gjermanisht, dhe nga  “kuler” në serbisht, etj., është një nga ato që nuk mund të shkëputen nga asnjë prej këtyre gjuhëve, dhe në kohën aktuale ka marrë konotacion dhe është shenjë shumë popullore në Kosovë. Kjo shprehje edhepse shumë e re në gjuhën tonë, ka kaluar nëpër shtresa kuptimi kolektiv shumë kundërthënëse dhe tani për njerëz të ndryshëm ka kuptime prej atij të lavdërues e deri në atë të shënjimit të të keqes kolektive.

 “Ama ni fakin vishnje me dy fakin ajsa”

kjo fjali nuk është as shqip as anglisht dhe asnjë gjuhë tjetër, në të vërtetë është të gjitha së bashku duke u përvijuar në përvojën kosovare të vitit 1999, ku tjetër pos në Prishtinë. Prej këtu kishte lindur fjala “kuller” për të përshkruar këtë “çorodi” për disa, e “arritje” për të tjerë.

Është fjalia që ka mbetur në mbamendjen kolektive të Prishtinës dhe më gjerë, që përshkruan gjendjen e “kullerit” me kuptimin (për të qenë ironik do ta shpreh në gjuhën standarde): “ju lutem më jepni një lëngë vishnje me dy akuj, se jam pak me nerva”, apo “ju lutem më jepni një vishnje të mallkuar me dy akuj të mallkuar në atë” etj.

Sipas teorisë së poststrukturalizmit gjuha është pika e koncentrimit të tërë përvojës dijes dhe besimit të një shoqërie, qoftë ajo shtet, krahinë, qytet, kulturë, subkulturë, apo edhe krijesë siç ka qenë Kosova dhe Prishtina më 1999. Dhe sipas poststrukturalizmit aty koncentrohet tërë premtimi dhe dëshira kolektive dhe mungesa e përplotësimit të kësaj dëshire, dhe mu për këtë arsye të “centrizmit” të mbulimit të kësaj mungese.

Nëse them “është e fortë” them mungesën time të të qenit i fortë, kamufloj mungesën kolektive të të qenit i fortë apo i dobët për ta shprehur atë në tjetrin (në femrën, gjë paradoksale) dhe e koncentroj mekanizmin tim mbrojtës brenda gjuhës dhe kështu tërë kohën gjendem në mesin e të fortëve.
Por të shohim një shembull kontra, nëse them “najs” jam duke mbuluar mungesën e – të mirës – në kolektivin tim apo në shoqërinë time, së paku ashtu si e perceptoj unë, dhe e shtrij atë në gjuhën të cilën e ëndërroj/dëshiroj plotësimin e mungesës sime. Dhe nëse nuk është komplikuar tepër, kjo është huazimi i një gjuhe tjetër (që do të thotë një përvoje tjetër dhe dije dhe besimi) që e lejon “najsin” siç e konceptoj unë, pra vetëm kjo fjalë shpreh tërë mungesën e të mirës sipas konceptit tim në kolektivin ku jetoj.

“Ama ni fakin vishnje me dy fakin ajsa”

në momentin kur ishte thënë dhe dëgjuar dhe me këtë përhapur në tërë Prishtinën, për të mirë dhe për të keq, kishte shënjuar thyerjen e centrizmit të shqiptarisë ndaj forcave globale dhe sidomos serbe, në kohën e pasluftës. Në njërën anë është revoltë, është shpërthim dhe ndërthurje e dy kulturave në diçka aq të zakonshme sa të kërkuarit e një pijeje freskuese, dhe në anën tjetër është shpërbërje e “të fortës” shqiptare, e përvojës unike të të qenit shqiptar në Kosovë, dhe depersonalizim i qeniesimit kosovar siç është njohur deri në të 1999.

Kështu sillej “kulleri” në 1999, ishte i hapur në totalitet ndaj të resë, ndaj subkulturës së clubbing dhe kishte shumë dëshira për të plotësuar. Kulleri dallohej në rrugë, në shkollë, në punë edhe vizuelisht edhe shpirtërisht. Ishte i hapur, ishte trendi dhe ishte i pari në frontin e të takuarit të të resë.

Me mbajtjen e party-ve të parë të clubbing ishte arritur edhe përjetimi i parë që e ndërton kjo kulturë: shpërbërja në shoqëri, shoqëri aq speciale dhe aq e përparuar (në kuptimin literal), derisa në të njëjtën kohë në rrugët e Prishtinës mund të hasje dhe njerëz ende të paçarmatosur dhe me mustaqe, dhe ndoshta edhe me baltën e istikameve të luftës.

Clubbing (apo raving siç ishte quajtur në fillim) është subkultura më e re e njohur globalisht që ka përfshirë çdo vend të lirë në botë, prej Azisë e deri tek Amerika Latine, dhe prej Australisë deri në Afrikë. Ka lindur diku kah fundi i viteve shtatëdhjetë në klubet e Çikagos, si transformim i kulturës Hippy, dhe më pastaj është përhapur në vendet më të zhvilluara ekonomikisht të botës. Ka shumë ngjashmëri me manifestimet afrikane të festave, ku personi kalon në gjendje transi dhe arrin në tjetër gjendje të të perceptuarit përmes tingujve të muzikës dhe domosdoshmërisht nën influencën e “ecstasy”. Këtu arrihet një shoqëri “e re” ku transformohet kufiri shpirtëror nga ai individual në atë kolektiv, të shoqërisë brenda partyt, dhe nxitur nga DJ.

Jo që këtu në këtë shkrim promovohet kjo gjendje, ky përjetim, është diçka joligjore derisa arrihet përmes substancave narkotike, megjithatë (lexo tretmanin që këto substanca e kanë në Britani të madhe, quhen droga rekreacioni) ky përjetim është shpërbërje e vetëdijes “izoluese” për të arritur në kuptime psikike dhe shoqërore tej të zakonshmes dhe tej të njohurës së përditshme. Është i thellë aq sa zgjatë një jetë e tërë kushtuar shpirtërores, dhe arrihet brenda një partyt. Kombinimi i muzikës, drogave, mentalitetit dhe bashkëmendimtarëve në një natë krijojnë arritje (literalisht) të fundme (primal, apo parake) që zgjojnë tërë qenien e konsumuesit. Është një shpërbërje në kolektivitet dhe depersonalizim (pozitiv) në një kulturë.

Dhe ku tjetër të kërkohet shtjellëzimi, depersonalizimi, arritja pos në Londër, në Mekën e skenës globale të clubbing. Dhe si të përjetohet/konfirmohet kjo përpos duke folur, dhe me këtë konfirmuar, anglisht “ama ni fakin vishnje me dy fakin ajsa”.

One love është filozofia e tërë kësaj kulture, filozofi e lindur nga hippy lëvizja dhe gjithashtu kondensuar me kulturën Xhamaikiane.

Por përjetimi është tepër i “lezetshëm” sa që nuk mund të kontrollohet, apo është shumë vështirë të kontrollohet. Përjetimi është aq i thellë sa që shpërbën dhe sjell kuptime të reja në psikën e personit që e përjeton dhe kjo ka sjellur në thyerjen dhe shthurjen permanente të shumë të rinjëve (në krahasim me numrin e banorëve në Prishtinë). Derisa për një kohë të shkurtë të qenit kuller kishte fituar statusin e “frontierit” me të renë që vërshonte në Prishtinë nga të gjitha anët e mundshme, derisa ky kishte qenë luftëtari i vetëm në kohën e paqes, dhe në të njëjtën kohë ishte miu laboratorik i tërë kolektivit të shqiptarëve në Kosovë i “produkteve” globale, dhe të gjithë ata që donin të shpërthenin tej centrizmit të luftës paraprake shndërroheshin në kuller, kishte arritur përmasa shumë të gjera në popullatën e të rinjëve: një dukje paksa bashkëkohore, të folur gjysmë anglisht gjysmë shqip, të pranonin automatikisht për “kuller”.

Por nuk kishte zgjatur shumë, në njërën anë paraliza që kishte shkaktuar izolimi në gjendjen e luftës për një dekadë, mentaliteti i ngurtë, frika nga çorodia, dhe provincialiteti kishin arritur të krijonin gogol nga të qenit kuller. Në të vërtetë më e keqja vinte nga pamundësia e të rinjëve të përballonin tërë këtë jetë underground dhe humbja e qëllimit të shumë të rinjëve.

Në konotacionin, në shtjellëzimin më të thellë brenda shoqërisë me kalimin e kohës, ky emër “kuller” kishte arritur kulmin e shënjimit të të keqes. Ishte vet çorodia. Për më shumë ishte krijuar seria kuazi humoristike e këtij personifikimi në një prej produksioneve popullore. Aty paraqitej si homoseksual, gjithnjë duke qenë i tradhëtuar nga e dashura e vet, që nuk e njeh traditën dhe që nuk ka kontakt me realitetin. Në një shikim më të thellë, ai ishte konsumuesi i të resë dhe çoroditur mu nga e reja. Ishte strukturimi i frikës së kosovarit nga shtjellat globale dhe pamundësia për të dalë prej izolimit tradicional.

Ishte krijuar në popull distancimi i njeriut me këtë figurë, këtë shenjë, si nga diçka po aq e keqe sa edhe tradhëtari, apo shpiuni, apo homoseksuali.  Kjo kishte krijuar edhe devijimet e veta gjuhësore si: kolera, gjë që shpreh saktësisht frikën e popullit nga kjo figurë.

Megjithatë kjo figurë popullore nuk shqitej nga shtjellat kulturore dhe shoqërore të kosovarëve. Kishte ngecur si diçka në të njëjtën kohë e ndodhur dhe e pakuptuar asnjëherë. Por në të njëjtën kohë ishte njëlloj tretje e figurës origjinale nga ku kishte buruar ky emër në popull. Apo thënë ndryshe të rinjtë që identifikoheshin me këtë “look” por jo dhe me fjalën ishin aq të përhapur sa krijonte njëlloj konflikti në popull lidhur me këtë figurë, në vetë ata që transformoheshin: që shndërronin pamjen e tyre, dhe që frekuentonin partyt. Kolektivi kishte marrë veten nga tërmetet e gobalizmit dhe tani përtypnin më me kujdes atë që u shërbehej. Nga fjalia “ama ni fakin vishnje me dy fakin ajsa” kishin mbetur vetëm fjalë të rralla, në përdorim të përditshëm: “najs”, “kuull” etj.

Revolucioni i filluar me hovin e të izoluarit për një dekadë ishte humbur diku në tretjet e kolektivit të kosovarëve dhe ishte edhe një nga çuditë që vinin nga bota.

Tani kjo figurë, ky nocion, ky emër, kjo shenjë “kuller” ka mbetur diçka arkaike në mbamendjen prishtinase. Ende është në qarkullim, dhe ende është shënjim i të resë apo atij që e përcjellë të renë. Duhesh të dukesh trendi për të qenë i shënjuar si “kuller”. Por gjithashtu është i gjallë edhe konotacioni negativ i kësaj shenje: të qenit homo, të qenit i çoroditur dhe të qenit i humbur.

Çdo gjë që ka ndodhur në Kosovë, nga romanet ku provohet të bindet lexuesi se autori ka konsumuar drogë pa e pas bërë këtë, dhe deri tek infiltrimi i të rinjëve trendi (si anëtarë të bendeve Hip Hop) në qarqet politike dhe qeveritare ia kanë borxh të gjitha atij që një pasdite të mërzitshme vere 1999 kishte kërkuar “një fakin vishnje me dy fakin ajsa”. Ai ka hapur vend dhe ka bërë “bodisatvan” për zgjimin e kolektivit kosovar në dëm të realitetit të tij. Në dëm të jetës së tij, dhe në dëm të shëndetit të tij. Ai ka provuar atë që në tërë Kosovën është parë vetëm në filma, në të vërtetë nuk është parë as në filma. Ai dhe kultura e tij kanë shpërthyer të parët izolimin, kordonin policor që kishte mbetur në mendjet tona shumë kohë pasi që kishin shkuar policët serb, dhe ai kishte bartur për aq sa kishte mundur shtjellimin e globalizimit në shoqërinë tonë naive, naive sidomos në aspektin e përvojave të kënaqësisë.

E kishte bërë këtë me vetëdijen e viktimës dhe të izoluarit dhe e kishte bërë këtë i pavetëdijshëm për perspektivën afatgjatë. I ri, me dëshirën djegëse për të përkitur në botë kishte shpërthyer centrizmin e gjuhës, aty ku i dhemb më së shumti viktimës shqiptar, për të krijuar një botë tjetër, më të butë dhe më të kuptueshme ndaj tij, tej përhershmërisë bardh e zi të gjeneratave më të vjetra kosovare, ai/ajo kishte dalë në të hirtën e përhershme.

Sot në mesin e të rinjëve është në modë të kesh konsumuar drogë, të kesh të njohur homoseksual, apo të kesh qenë në party tërë natën deri në agim, etj. Sot është në modë të gjesh shprehje të reja me bazë shqipen si: trilli, film etj. Sot është dhe Partia e Fortë, dhe gjëra si “Haveit”, do të kishin qenë të paimagjinueshme pa flijimin e këtyre “kullerave” që kanë gjetur vend diku nëpër këndet e Prishtinës dhe vëzhgojnë tërë mosmirënjohjen e Prishtinës, ndaj disa entuziastëve që kishin sjell Londrën në Prishtinë, diku në kafiqat, ende nuk kishte Clube atëherë, të paraluftës së Prishtinës. Quhet zgjerim i mureve rrethuese të realitetit, duke qenë se realiteti është diçka që e krijojmë bashkë.

ObserverKult

Lexo edhe:

BALLSOR HOXHA: ISHTE KREJT SI DASHURIA, POR NUK ISHTE DASHURI