
Në muajin e lindjes së Naum Priftit, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë është çelur një ekspozitë me dorëshkrimet e tij, një pjesë e konsiderueshme ende të pabotuara. Mes aktivitetesh, u shfaq edhe dokumentari “Porosia e fundit” mbi amanetin e shkrimtarit për t’ia sjellë hirin në Shqipëri.
Kur ishte në ditët e fundit të jetës, vajzat e Naum Priftit i kërkuan të atit të bënin edhe një udhëtim në vendlindje. Që nga Nju Jorku, ai e kishte të vështirë të shkonte në Shqipëri, por si gjithmonë ua plotësoi edhe këtë dëshirë të bijave. Para se të vdiste, Naumi u tha atyre se kur të mos merrte më frymë, do të ishte hiri i tij që do të udhëtonte në Shqipëri. Kjo ishte edhe porosia e fundit e Naum Priftit, mbi të cilën është xhiruar edhe dokumentari i shkurtër me këtë titull e që u shfaq premierë këtë të premte në sallën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare.
“Ne motrat menduam ta bënim diçka më shumë dhe shkuam në të gjithë vendet ku babi kishte shkruar, si përshembull në Krujë, ku ka shkruar “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun”, në Voskopojë, ku ka shkruar “Çezmën e floririt”. Shkuam edhe në Rehovë, shkuam edhe në Elbasan, pasi teatri profesionist i Elbasanit ka filluar me dramën “e gabuar” të babait, “Rrethimi i bardhë”. Atje takuam dhe disa aktorë të vjetër dhe ishte shumë prekëse.”, – thotë për “Report TV” e bija e shkrimtarit, Julika Prifti.
Krahas dokumentarit në mjediset e Bibliotekës është çelur edhe një ekspozitë me dorëshkrime të Naum Priftit, një pjesë e konsiderueshme e tyre ende të pabotuara, ndërsa ekspozohet edhe makina e tij e shkrimit.
“U çudita kur pashë që kishte ruajtur fletoret e klasë së dytë, klasës së pestë dhe të gjimnazit. Më shumë përshtypje më bëri një fletore shënimi, që kishte emrat e të gjitha luleve që ishin në Kolonjë. Ishte vetëm 12 vjeç dhe jam çuditur me interesin dhe kuriozitetin e babait. Thoshte që nuk kemi një fjalor me emrat e luleve dhe unë do t’i mbaj shënim e do t’i shkruaj.”
Pjesë e dorëshkrimeve të ekspozuara janë edhe shumë blloqe me shënime nga Divjaka, ku Prifti jetoi për katër vjet e ku punoi si mësues në shkollën tetëvjeçare, si dhe një skenar filmi bazuar mbi tregimin e tij “Muratori nga Borova”.
“Babi thoshte që edhe sikur të kisha shkruar vetëm “Njeriu që ndiqte kuajt”, që u bë filmi “Pylli i lirisë”, ia bëj hallall të gjithë mundimet e katër viteve në Divjakë. Ai i kujtonte me shumë dashuri dhe mirënjohje njerëzit e Divjakës.”
Naum Prifti është një ndër emrat më të njohur të letrave shqipe. I lindur në Rehovë të Kolonjës ai u nda nga jetë dy vjet më parë. Ekspozita e çelur në muajin e lindjes së shkrimtarit bën publike vetëm një pjesë të dorëshkrimeve të panjohura të tij./shqiptarja.com
ObserverKult
Lexo edhe: