Amerikanët vdesin më të rinj se evropianët – pse?

Një ekip studiuesish nga Shkolla e Shëndetit Publik në Universitetin Brown zbuloi se amerikanët kanë norma më të ulëta mbijetese krahasuar me evropianët në çdo nivel pasurie.

Studimi analizoi të dhëna nga mbi 73 mijë të rritur në SHBA dhe disa rajone të Evropës, për të studiuar lidhjen midis pasurisë dhe vdekshmërisë.

Rezultatet treguan se amerikanët e moshës 50 deri 85 vjeç kishin gjasa më të mëdha për të vdekur brenda një periudhe 10-vjeçare, krahasuar me europianët e së njëjtës grupmoshë – pavarësisht nivelit të pasurisë.

Edhe pse pasuria lidhet zakonisht me jetëgjatësi më të madhe, kjo lidhje është më e theksuar në SHBA, ku pabarazia e të ardhurave ndikon më thellë. Pabarazia në mbijetesë mes të pasurve dhe të varfërve është shumë më e madhe në SHBA sesa në Evropë.

Madje, më të pasurit në SHBA jetojnë mesatarisht më pak se më të pasurit në Evropë; në disa raste, ata kanë norma mbijetese të ngjashme me më të varfrit në vendet perëndimore evropiane, si Gjermania, Franca dhe Holanda, raporton SciTechDaily. 

Rënia e jetëgjatësisë në SHBA

Jetëgjatësia në SHBA ka rënë vitet e fundit, thotë Irene Papanicolas, profesoreshë në Shkollën e Shëndetit Publik të Broën dhe autore kryesore e studimit.

“Të dhënat janë një kujtesë e fortë se as më të pasurit nuk janë të mbrojtur nga problemet sistemike në SHBA që ndikojnë në jetëgjatësinë më të ulët – si pabarazia ekonomike, stresi, dieta dhe faktorë mjedisorë”, shtoi Papanicolas, e cila drejton Qendrën e Sistemit Shëndetësor në Brown.

Sipas studimit, individët në çerekun më të pasur kishin një normë vdekshmërie 40% më të ulët krahasuar me ata në çerekun më të varfër.

Ndërkohë, evropianët kishin norma vdekshmërie rreth 40% më të ulëta se pjesëmarrësit në SHBA gjatë periudhës së studimit. Në Evropën Jugore, vdekshmëria ishte rreth 30% më e ulët, ndërsa në Europën Lindore varionte nga 13% deri në 20% më e ulët se në SHBA.

“Ku ndodheni në spektrin e pasurisë në vendin tuaj ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësinë tuaj – por rëndësi ka edhe ku ndodheni krahasuar me qytetarët e vendeve të tjera. Përmirësimi i rezultateve shëndetësore nuk është sfidë vetëm për më të varfrit – edhe më të pasurit preken”, tha Sara Machado, bashkautore e studimit dhe hulumtuese në Qendrën e Sistemit Shëndetësor në Brown.

Problemet… që thellojnë pabarazitë në SHBA

Studimi, i cili analizoi të dhënat nga Health and Retirement Study në SHBA dhe Survey of Health, Ageing and Retirement në Evropë, nënvizon se rrjetet më të dobëta të sigurisë sociale dhe pabarazitë strukturore në SHBA mund të jenë ndër arsyet kryesore që ndikojnë në normat më të ulëta të mbijetesës në të gjitha grupet e pasurisë.

Studiuesit theksuan gjithashtu ndikimin e faktorëve kulturorë dhe të sjelljes, si dieta, duhanpirja dhe lëvizshmëria sociale.

Për shembull, norma më të larta të duhanpirjes dhe jetesa në zona rurale – të dyja të lidhura me shëndet më të dobët – janë më të përhapura në SHBA.

Studimi gjithashtu përmend një efekt të ashtuquajtur “efekt mbijetese” në SHBA, ku individët më të varfër me gjendje të rënduar shëndetësore vdesin më herët, duke lënë pas një popullatë më të shëndetshme dhe më të pasur në moshat më të mëdha.

Kjo krijon iluzionin e një barazie më të madhe në pasuri pas moshës 65 vjeç, kur në fakt është rezultat i humbjes së parakohshme të më të varfërve.

“Nëse shohim vendet e tjera, ka rezultate më të mira, që do të thotë se mund të mësojmë prej tyre dhe të përmirësohemi”,  përfundoi Machado.

Nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me shpenzime më të mëdha – por me adresimin e faktorëve që shpesh injorohen, të cilët mund të sjellin përfitime shumë më të mëdha./tema

ObserverKult


Lexo edhe:

“KUR VDESIN TË VDEKURIT? KUR TË HARROHEN…” DHE THËNIE TJERA PËR VDEKJEN