
93 vjet më parë lindi Amik Kasoruho, një nga mendjet më të ndritura të kombit e megjithatë i persekutuar prej regjimit komunist.
Shkrimtari, publicisti dhe përkthyesi Amik Kasoruho lindi më 20 nëntor të vitit 1932, në Tiranë. U arrestua në moshën 17-vjeçare u arrestua nën akuzën e agjitacion propagandës kundër pushtetit popullor.
Në vitin 1951 i pushkatuan pa gjyq babain, Qemal Kasoruhon me akuzën e përfshirjes në incidentin e shpërthimit të bombës pranë Ambasadës Sovjetike. Pasi vuajti dënimin në burgun e Burrelit për 7 vite rresht, u internua bashkë me familjen në fshatin Gosë, të Kavajës. Gjatë regjimit komunist punonte si punëtor krahu, në ndërtim dhe si gjeometër etj. Pas përmbysjes së sistemit ai emigroi në Itali ku jetoi deri në vitin 2009. Gjatë kësaj kohe u mor me shkrime, përkthime etj.
Ka sjellë në shqip vepra të shkrimtarëve të huaj si Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby.
Ai është autor i veprave si “Midis burgut dhe dritës”, “Çmimi i një ëndrre”, “Fluturimi i gjatë i një ore”; “Një ankth gjysmëshekullor – Shqipëria e Enver Hoxhës”, “Pa mëri – Publicistika e jetës sime”.
Në vitin 2012, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Amik Kasoruhos Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin : “Personalitetit të shquar të kulturës kombëtare, që si përkthyes i jashtëzakonshëm, si shkrimtar i rrallë, publicist, poet e artist, e pasuroi atë, duke i dhënë vlera e cilësi të reja. Intelektualit atdhetar, që u bë ndër shembujt më domethënës të qëndresës së papërkulur ndaj persekutimit të diktaturës komuniste, duke treguar fitoren e dinjitetit njerëzor dhe integritetit moral, e duke u bërë pikë referimi në historinë e kulturës kombëtare”.
Amik Kasoruho ndërroi jetë më 4 maj 2014.
ObserverKult
Lexo edhe:
EDICIONI I TRETË I FESTIVALIT TË TEATRIT SHQIPTAR “MOISIU” MBAHET NË PRISHTINË






