Kliti Roshi, djali i Kadri Roshit, në një rrëfim, që e bëri kohë më parë, tregon anën e panjohur të babait të tij.
Cilat kanë qenë këshillat e Kadri Roshit për fëmijët e tij, lidhja e tij me nipin?
Si Kadri Roshin nuk e pranuan dy herë që të bëhej aktor dhe si ia arriti të bëhej ai që është sot: një legjendë e pavdekshme. Kliti Roshi tregon jetën e babait të tij mes skenës dhe familjes, si ishte ai në familje dhe si në teatër. Kliti Roshi tregon për herë të parë për publikun mjaft detaje interesante nga jeta e legjendës së skenës shqiptare.
Djali i “Nderit të Kombit”, Kadri Roshit, tregon se si në vitin 2004, ambasadori jonë atë kohë në Greqi, Bashkim Zeneli, me ndërhyrjen e ti personale i shpëtoi jetën Kadri Roshit, pasi aktori i madh kishte shkuar të operohej, por shteti e pati lënë në harresë.
Kliti Roshi tregon edhe për pasionet e aktorit të madh, ku peshkimi ishte një ndër gjërat që Kadri Roshi e dashuronte shumë. Peshkimi atë e çlodhte nga puna dhe i jepte energji. Dhe për çudi, thotë Kliti, të gjithë aktorët e mëdhenj e kishin pasion peshkimin.
Kur themi emrin Kadri Roshi, juve çfarë ju vjen ndërmend?
Për mua, emri Kadri Roshi nuk përfaqëson as më shumë e as më pak përveç se një gur xhevahiri në gjerdanin e madh prej 46 të tillësh që përbëjnë atë që atëherë është quajtur “Teatri Popullor”. “Teatri Popullor” ka pasur 46 aktorë. Secili prej tyre ishte një gur xhevahiri.
Sipas karateve, kuptohet që çdo gur i çmuar, çdo pjesë copë floriri ka karatin e vet, por të 46-të, në karatin e tyre ishin gurë të çmuar xhevahiri dhe Kadri Roshi është një ndër ta. Pastaj, për mua Kadri Roshi, nëse do të flasim në një aspekt tjetër dhe ta shikojmë në një këndvështrim tjetër, do të thotë edhe më shumë se kaq. Sepse Kadri Roshi në rradhë të parë, para se të ishte aktor, ishte njeri.
Ishte, është dhe do të mbetet përjetësisht babai jonë. Ai që kontribuoj në lindjen time, që më rriti, më edukoi dhe që ka një meritë të padiskutueshme, është me nënën time, në mënyrën më të padiskutueshme, në atë që unë jam sot. Populli shqiptar ka shprehur shumë të bukura që sikur gjysmat e tyre t’i gërmojmë dhe t’i mbajmë në mendje, ne do të ishim ndryshe.
Fëmija është pasqyrë e prindërit. Edhe unë, me të mirat dhe defektet që mund të kem, jam krenar për të, në qoftë se jam vërtetë pasqyrë dhe pasardhës i denjë i Kadri Roshit. Mundohem të pasqyroj dhe të reflektojë ato vlera, ato cilësi, ato merita, ato gjëra që kishte Kadri Roshi.
Ndodh shpesh që i kujtoni thëniet dhe bëmat e tij?
Do të duket mbase si mendjemadhësi, do të duket si….. nuk e di se si ta them, por si parantezë po ju them kaq: sot për fat të keq ka ardhur koha që modestia jo e tepërt të kuptohet si budallallëk.
Sot po harrohen shumë vlera dhe si rezultat i kësaj, në qoftë se nuk i themi ne, qoftë edhe të afërmit e familjes së personave, vlerave dhe meritave të njerëzve tanë, jam i bindur që shumë shpejt ata do të harrohen dhe do të shuhen. Prandaj them që jo vetëm që i kujtoj por janë bërë moto të jetës sime.
Në një rrethanë të caktuar, në një ngjarje të caktuar, pra sipas rolit në filmin ose në dramën që ka interpretuar, jo vetëm, Kadri Roshi ka disa batuta që janë bërë të përditshme në jetën e përditshme. “Gërmo Tare, gërmo”, varet si e shikon ti, si e percepton ti sot në një rrethanë të caktuar që ke. Për mua kjo do të thotë shumë.
E përkthyer në shqip, shqip, shqip do të thotë: “Punoni o njerëz, punoni”. Mos t’i kthehemi përrallës “Plaku me tre djem” që pasurinë e kam fshehur atje, shkoni gërmoni atje. Nëpërmjet punës fiton dhe arrin çdo gjë, jo në kuptimin material, por fiton në nxënie.
Ka edhe shprehje të tjera të cilat ndoshta mundet për ndonjë, tingëllojnë pak si të ashtu quajtura banale. Por jo, nuk janë banale. Në atë kohë, para viteve ‘90-të, nuk të lejonte njeri banalitet dhe shprehja “Bëji të fala satëme”, tek “Tokë e përgjakur”, unë sot e përkthej për një njeri jo dashamirës, për një njeri që mundohet t’i bëjë të keqen tjetrit, që mundohet t’i vërë gurë nën rrotë, unë i them: vazhdo ti vazhdo, se unë do të vazhdoj në punën time, në rrugën time të drejtë.
Ka edhe shumë shprehje të tjera, jo vetëm të babait por të shumë aktorëve të tjerë, “Ky është flori i shkuar floririt, Tunxh. Djersa e ballit e derdhur në një punë të ndershme është flori e shkuar floririt”. Gjithmonë, në varësi të kohës, në varësi të rrethanave, të situatave, të ngjarjeve që kalojnë, politike, ekonomike, shoqërore, sociale, pra çdo frazë merr një kuptim të ri sot.
E thënë ndoshta me një kuptim tjetër dje, sot merr një kuptim, prandaj të bërë moto sot për njerëzit (për ata që duan), por proverbiale për mua, që është vërtetë moto e jetës sime dhe e punës sime, do të mbetet fraza nga Arturo Ui, e thënë nga një aktor, nga një gur xhevahiri me shumë vlera si Ndrek Shkezi, “Kokën lartë djema. Kush s’ka vdekur, rron akoma”. Kjo ishte një batutë që i shërbeu vetë babait si moto në punën e tij dhe kjo jo rrallë herë e ka nxjerrë shumë faqebardhë.
Prindërit u japin këshilla fëmijëve. Pa diskutim edhe babai juaj e ka bërë një gjë të tillë me ju. Na tregoni, cila është këshilla më e vyer apo mësimi më i mirë që keni marrë nga ai?
Kadriu ka patur një gjë në punën e tij. Asnjëherë nuk bënte rol për hir të rolit. Gjithmonë do të mundohej të gjente tek roli edhe atë thelbësoren, atë esencialen, atë gjë më me vlerë që kishte edhe sikur ajo të ishte në fund të dheut. Kam qenë i vogël atëherë (5-6 vjeç), kur babai interpretonte Jonuz Brukën tek “Familja e peshkatarëve’, ku Jonuz Bruka i parë shqiptar është Kadri Roshi (për shumë lexues të tjerë që ndoshta nuk e dinë).
Është momenti i parë që Jonuzi, babai, të zbulojë që i biri ka tradhëtuar, ka devijuar nga rruga e ndershme por është shkruar fashist. Pra, para se t’i zbulojë disi tipin e Pashës. Është momenti që ka konstatuar që i biri i ka vjedhur paratë në xhep. I jep para, merri i thotë t’i kesh.
Mbaji. Vetëm një gjë bir: Rritu i ndershëm, me shpirt të pastër, ta duash vendin tënd, t’i duash njerëzit e tu. Dhe po nga familja e peshkatarit, “Shqipërinë ta duash në qoftë se do të rrosh me nder”, ka qenë ndoshta një batutë që nuk i dilte nga goja, por i dilte nga shpirti, nga sytë, nga çdo pjesë e qenies së tij njerëzore.
E thashë edhe më përpara, Kadri Roshi kurrë nuk ka interpretuar për hir të interpretimit. Dhe theksoj se derisa ishte “Teatri Popullor”, nuk ka ndodhur ndonjëherë që salla të ketë patur më pak se 350 veta nga 550 që zinte. Dhe kjo mund të ndodhte në ndonjë shfaqje që mund të ishte dhënë mbi 300 herë.
Qëllimi kryesor, parësor i teatrit, i filmit, i çdo pune artistike është edukimi, gjë të cilën për fat të keq sot në “Teatrin Kombëtar” dhe në disa institucione të tjera sikur po e harrojnë dhe po i kushtojnë më shumë vëmendje thjesht argëtimit, që është pjesë dhe detyrë e teatrit dhe Kadri Roshi këtë detyrë, këtë qëllim, këtë mision që kishte teatri, e kishte gjithmonë të arsyeshme edhe kur tregonte përrallat në emisionin e përrallave në “Radio Tirana”, (të mos harrojmë se është mbase i pari që ka bërë emisionin e përrallave në “Radio Tirana”).
Ai, në atë fabul, në atë përrallë që u tregonte fëmijëve në orën 7 pa 10 të mbrëmjes, do ta zbërthente dhe pa ma treguar 3-4 herë mua, që të shikonte reagimin tim si e merrja si e perceptoja, se sa kuptova dhe çfarë kuptova, ai nuk shkonte ta bënte përrallën. Pra, po e quajmë rol dhe në një rol kaq të vogël, ai do të punonte jashtë mase. Sepse mesazhi që është edukimi, dhe në përrallë aq më tepër, kishte një rëndësi të jashtëzakonshme për të dhe asnjëherë nuk i ka parë rolet, i madh ose i vogël.
Kurrë ose ndoshta-ndoshta ka pasur më shumë qejf ato rolet e vogla por që kishin domethënie të madhe, prandaj ka refuzuar disa herë rolet e mëdhaja dhe ka marrë role të vegjël. Te “Lulëkuqet mbi mure” çdokush ndoshta do të habitet. Kadri Roshi nuk e ka dashur kujdestarin, jo për mendjemadhësi, ai donte atë rolin që të transmetonte ndonjë mesazh dhe kujdestarin mund ta bënte dhe dikush tjetër që mund ta përcillte atë mesazh.
Por atë kuzhinier Lonin kush do ta bënte që t’i përcillte mesazhet, nëntekstet, planin e dytë…, oh sa domethënie ka ai personazh. Nuk është personazh thjesht një kuzhinier që punon. Jo. Dhe Kadriu atë ka dashur por ishte këmbëngulja e regjisorit, që ai të bënte rolin e kujdestarit, në të cilin, për fat të keq, transmetoi disa mesazhe negative, pra tregoi ja se kush ishin këta njerëz negativë.
Atij i pëlqente pozitivja. Gjithmonë e ka dashur të mirën sa që edhe tek e keqja mundohej të gjente të mirën. Gjithmonë mesazhet që ai ka përcjellë nëpërmjet roleve të tija kanë qenë batuta dhe këshilla për mua dhe jo vetëm për brezin tim, por edhe për të tjerë në jetën e përditshme.
I ka ngjarë dikush nga fëmijët… ju vetë?
-(Qesh) Është një pyetje me një farë kuptimi që më ndihmon dhe mua dhe mbarë opinionin për t’u qartësuar qëllimisht dhe unë e kam thënë edhe herë të tjera, por gafat vazhdojnë. Shfrytëzoj sërishtrastin që nëpërmjet gazetës “Tirana Observer” të qartësoj opinionin: Kadri Roshi u nda nga kjo jetë i martuar me dy fëmijë.
Një vajzë dhe unë. Sepse shumë njerëz Kadri Roshin e kanë ditur beqar. Jo. I martuar ligjërisht deri në fund të jetës së tij. Çudia më e madhe është se motra, e cila është më e madhe, i ngjau nënës sime që ka qenë koriste në “Teatrin e Operas dhe Baletit”, ndërsa unë i “infektuar” nga kjo sëmundje e keqe që quhet Art (e keqe se është e vështirë sepse do mund, do punë, do djersë e sakrifica), unë i “infektuari”, i ngjava babait.
Kështu që në njëfarë kuptimi, në një lidhje të shkurtër, mund të them se nga profesioni i kam ngjarë unë. Kurse për nga talenti, mbase, disa herë mbase, mund t’ia kalonte nipi, djali im. Ai sot ndodhet në Greqi (emigrant), ka pasur shumë talent që në ato kushte, në dhe të huaj, në Maj ai bën 20 vjeç, pra në një farë kuptimi duhet ta sigurojë vetë bukën e gojës, pa dashje u shmang, u spostua, e la pas dore.
Por prapë më gënjen mendja, mbase si prind, mbase si artist që po t’i rikthehet ai mund të bëhet nesër një Kadri Roshi i dytë. Emigracioni vërtet të prish nga disa anë, të pengon, është gur nën rrota për disa gjëra,në disa drejtime por nga ana tjetër për një njeri që do, për një njeri të vetë në karakter është edhe shtysë se kur nuk gjen atë që do, kjo të acaron, të bën të zhytesh edhe më “egërsisht” për të arritur atë që do.
Unë them se në qoftë se ai kthehet në Shqipëri, me mënyrat nga më të ndryshmet, pra duke e çuar në teatër, duke ndejtur me artistë, duke i folur për artin jam i bindur që atij do t’i ringjallet dëshira për Artin. Sepse ky profesioni ynë pa dëshirë nuk bëhet. Ai është larg këtij profesioni, por ka të dhëna të jashtëzakonshme.
Ka qëlluar më shumë se një herë që Kadriu e ka dëgjuar, e kishte pikë të dobët, ai dhe Perëndia. Unë kam dhe një nip dhe një mbesë nga motra që janë më të mëdhenj se im bir, por prapë im atë duke parë dhe këtë (djalin tim) që sikur i afrohej në profesion, sikur krijoi një lidhje pak më të ngushtë, pak më të fortë.
Djali im është shpallur dy herë fitues i Kupës së Festivalit të Fjalës së Lirë në Greqi. Ka marrë pjesë në një film në Greqi “Dashuria erdhi nga larg”, është dhënë edhe këtu, fëmijë në atë kohë (7 vjeç). Kur mbaroi xhirimi, regjisori i filmit Manushos Manushakis, që është ndoshta numër një i regjisurës së filmave televizivë në Greqi, vërtet vuri duart në kokë.
Ç’është ky fëmijë, more ku, nga, si dhe kur mori vesh nipi i kujt ishte pastaj, tha juve keni një shprehje: “Dardha bie nën dardhë”. Kur ta thotë një i huaj, një njeri që nuk ka interes. Pavarësisht se prindërit nuk qenkan gabuar, e paskemi gjykuar me objektivitet, dhe them se përpiqet.
Është mbesa, regjisore, i ka rënë kokës kur ka qenë në shkollë, se si shkolla ashtu edhe puna, nesër, do punë. Nuk bëhet me fjalë, nuk bëhet me rrahje gjoksi, nuk bëhet me unë jam nipi, unë jam djali, unë jam vajza unë jam mbesa. Nuk bëhet në këtë formë. Bëhet me djersën e ballit.
Kadri Roshi thoshte një fjalë se mbas një pune, qoftë prova, qoftë shfaqje, në qoftë se nuk je bërë për të pirë dy aspirina njëherësh, nuk ke bërë asgjë. Dhe unë këtë realisht e kam provuar. Dhe atëherë kam thënë se unë paskam bërë diçka. Kam dalë përjashta dhe vërtetë kisha bërë diçka.
Cilat kanë qenë vështirësitë më të mëdha që ka kaluar Kadri Roshi…
Jo gjithmonë aktori arrin suksesin. Ka edhe luhatje. Pse jo, mbase dhe dështime. Dhe Kadri Roshi nuk i trembej, nuk e kishte frikë, nuk e ulte kokën as para dështimit. Megjithëse dy herë është rrëzuar në jetë, dhe nuk e ka ulur kokë, përkundrazi e ka marrë si shtysë, e ka marrë si nxitje, gjë të cilën, për fat të mirë e kam edhe unë.
Mua kur më bën vërejtje në punë, unë atëherë hidhem më tepër. Isha për notën 9 bie fjala, ti më ve 7, nuk më thyen kjo. Përkundrazi, më acaron të hidhem më përpara që nesër të marr 12. Kadri Roshi, në vitin 1945 në mos gabofsha, kishte dëgjuar që ishte krijuar një grup që punonin ku është sot “Teatri Popullor”, ku do të krijohej një grup teatral duke u nisur nga fakti që në fillore, Kadri Roshi recitonte shkëlqyeshëm. Dhe është pak e çuditshme kjo.
Ishte edhe Naim Frashëri. Kadri Roshi interpretonte dhe recitonte në mënyrë të shkëlqyer Migjenin dhe duke u nisur nga kjo, futet në teatër. Por ju thyen këmbët. Jo nga ajo ambicia e keqe, por thjesht mendoi çfarë ka ky më shumë se unë, pa bukë ky, pa bukë unë, jetim ky, jetim unë, nga lufta ky, nga lufta unë. Çfarë ndryshimi kemi? Atëherë qenka më i mençur ky se unë? Do bëhem dhe unë i mençur tha.
Hyn prapë të konkurrojë. Se si të thuash ngeli për vjeshtë herën e parë. Ishin 21 veta. Çuditërisht, në 21 veta, njërit ju thyen këmbët. Ndërsa tjetrin e mbajtën pak me hatër. Kishte emër dhe një mbiemër shumë të madh. Siç duket, “komisioni u gënjye në atë kohë sepse kujtoi se ishte vërtet ai, dhe e mbajtën pak si me hatër në provë”. I vetmi që ishte në listë për t’u shkurtuar, ishte Naim Frashëri.
Por jo Rilindasi. Ishte Naim Servet Frashëri, Artist i Popullit më vonë, Heroi i punës Socialiste. Atëherë siç duket komisioni tha dale se qenka Rilindasi dhe ta mbajmë me hatër. Kjo është thjesht për humor, por edhe Naimi u diskutua, e ndihmoj fati. Zihni Sako, një burrë, nuk kam pasur nderin dhe privilegjin që ta njoh, por kam dëgjuar shumë për të, ish-mësues, shok i ngushtë i mësuesit të fillores së Kadriut, ishte drejtor në Drejtorinë e Arteve të Bukura.
Takohet me mësuesin e fillores. Ai me uniformën partizane, akoma nga lufta. Çfarë ke, qysh, si, kush, dhe e çon tek Zihni Sako. Ky një burrë që e ndihmon duke e futur në organikë si sufler. Mirëpo për Kadriun, ta fusje në gropën e suflerit ishte njësoj sikur ta kishe future në varr. Kadriu nuk ishte mësuar kështu.
Ai që 12 vjeç mbeti jetim nga nëna dhe babai dhe nuk e uli kokën, nuk pranoi të nënshtrohej. Ka punuar biletagrisës, pastrues në zyrat e PPT-së, hamall zifti, hamall çimentoje… O Zot! Ne nuk arrijmë ta konceptojmë dot sot jetën e vështirë që kanë bërë njerëzit e devotshëm, këmbëngulës, konsekuent të asaj kohe. Ne na duken përralla sot.
Ne rrimë dy orë pa pirë një kafe dhe themi: ua, më iku ora e kafesë! Kur ai tjetri thoshte kam dy ditë pa ngrënë bukë, ku do gjej një kore bukë në kazanët e plehrave? Këto ishin kushtet. Jetim. Kush kishte atë herë të jepte. Dhe uronte (kundër dëshirës së tij), ishalla sëmuret ndonjë aktor që të ngjitej nga gropa e skenës, të ngjitej në skenën direkt.
Çuditërisht, thonë që ndonjëherë historia përsëritet. Ndonëse ai nuk ka dhënë për Shqipërinë, dha për fat të keq vetëm për skenat e botës. Por i ndodhi një rast pak a shumë analogjik, identik me Aleksandër Mojsiun. Sëmuret një aktor. Doli nga gropa e suflerit shpejt e shpejt, u vesh, u bë, doli, bëri rol.
More, dale more. Ku ishte ky more? Por le t’i kthehemi hyrjes së Kadriut në Teatër. Sic theksova më lart, pasi nuk e kishin pranuar dy herë, i jepet shansi i fundit. Përgatisni, hajdeni, jepeni t’ju shohim. Dhe përgatisin një pjesë të titulluar “Martesa”. Kadriu luante Podgol Hysenin, rolin kryesor.
Naim Frashëri një rol tjetër, paralel me të, pra të së njëjtës peshë. Dhe çuditërisht kjo shfaqje provim u përgatit me forcat e tyre duke kërkuar nga Andrea Malo për t’ia përkthyer nga frëngjishtja, e vunë me forcat e tyre në skenë. Vetë aktorë, vetë regjisorë dhe arritën atë rezultat që të nesërmen që u dha shfaqja provim, kjo shfaqje të hynte në repertorin e Teatrit, gjë që nuk ndodhte. Dhe automatikisht, të gjithë ata aktorë që ishin brenda, hynë brenda Teatrit Popullor.
Tashmë si aktorë profesionistë, pavarësisht se Kadri Roshi ishte me 4 klasë fillore. Ne sot e themi për humor por me që mbarova x Universitet, pse të mos hyj të bëj dhe të mesmen? Si dihet se si është bërë ajo shkollë. Dhe Kadri Roshi e bëri mbrapsht. Me 4 klasë fillore vajti në Zagreb. U prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe atë herë vajti në kryeqytetin e Kulturës Evropiane që ishte Praga dhe u kthye në vitin 50.
Kadriu, a ka lënë ndonjë amanet që ju nuk e keni mbajtur?
Kjo është një pyetje që mbase mund t’i bëhej të tjerëve. Unë apriori, si fëmija i tij që kam bërë detyrimet e pa diskutueshme dhe një nga detyrimet e mia është: atë fytyrë të pastër që ai e la, unë të mos ia bëj pis. Ky është një detyrim që unë ja kam vënë vetes sime. Çdo të thotë kjo? Të sillem siç është për t’u sjellë, të punoj siç është për të punuar, të jetoj siç është për të jetuar me ndershmëri, pastërti dhe shpirt të pastër.
Siç thotë Jonuz Bruka tek “Familja e peshkatarit”, mbetet gjithmonë moto e jetës sime ajo fjalë: “Jeto i ndershëm dhe i pastër”. (Jo i pastër nga ana higjienike, por i pastër në shpirt). I vetmi amanet, e vetmja këshillë, e vetmja porosi që ka lënë, ka qenë porosia që i jepte Jonuz Bruka të birit tek “Familja e peshkatarit”: “Jeto i ndershëm, pa bukë por i ndershëm”. Dhe jam i bindur, si motra ime që është më e madhe, pa diskutim, ashtu edhe unë, fatmirësisht deri më sot, pavarësisht se nuk e vinte në dyshim një gjë të tillë që nesër një nga fëmijët e mi, qoftë larg, mund të … jo, jo, jo.
Por ishte ajo dëshira, gjithmonë dëshira e prindërit. Dhe unë them deri tani vërtet jam një qytetar korrekt me shtetin, me ligjet dhe me vendin. Kjo është dëshira dhe kërkesa që ka çdo njeri, mendoj unë, në jetën e tij.
A ka pasur shumë miq Kadri Roshi? Cilët kanë qenë ata dhe çfarë marrëdhëniesh keni ju sot me ata?
-Miq! Kadri Roshi nuk ka lënë një pasuri të jashtëzakonshme, por dhe një borxh të jashtëzakonshëm, që do të thotë të kesh miq sot është pasuri e madhe. Numri i miqve të Kadri Roshit është deri aty sa mua vërtet më tremb, sepse realisht është normale dhe logjike, nuk i mbaj mend të gjithë. Por është detyrimi im për t’i respektuar ata njerëz siç i respektonte Kadri Roshi kur ishte vetë. Numrin, në qoftë se ju më jepni një shifër dhe unë do t’ju jap të saktë numrin e miqve të Kadri Roshit.
Sa është numri i shqiptarëve sot nëpër botë? Përjashto ndonjë kokërr, më vjen keq që e them këtë, sepse Kadri Roshi nuk ka pasur të këqija. Jo se është babai im, por ka edhe njerëz të tjerë që e njohin në ndonjë aspekt ndoshta edhe më mirë nga unë dhe mund të dëshmojnë për këtë. Kadri Roshi nuk i ka bërë keq askujt.
Dal përsëri tek motoja e tij: “Në qoftë se nuk je në gjendje të bësh mirë, mos bëj keq”. Ndonëse ka provuar të këqija nga të tjerët, disa i ka ditur, disa dhe jo. Mos gaboj, ka qenë viti 2004, kam qenë bashkë me familjen në Greqi. Kadri Roshi vjen, ju krijua një shqetësim në bark. Me ndërhyrjen e menjëhershme të një qytetari, të një njeriu që krahas njerëzillëkut të tij kishte dhe detyrën tjetër: ishte Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Athinë, zoti Bashkim Zeneli.
Bashkimi ndërhyn në një nga spitalet më të mirë të Athinës. Në një spital privat ku është mjekuar dhe një ish-kryetar shteti. Ai e shtron Kadri Roshin dhe pasi u bënë të gjitha analizat, mjekimet, ekzaminimet u arrit në përfundimin se Kadri Roshi do të operohej. Në Greqi kishte një rregull. Duhej të firmoste ose vetë Kadriu, ose motra ose unë.
Unë nuk kisha si të firmosja sepse ishte një operacion që minimalisht shkonte në 40 000-50 000 Euro, me gjithë gati një javë që Kadriu u mjekua. Ishte përsëri ndërhyrja e zotit Bashkim Zenelit. Ky pronar grek, grek, e theksoj këtë pasi Bashkim Zeneli i kishte bërë portretin Kadri Roshit, duke i thënë grekut se Kadri Roshi ishte në Shqipëri, siç ishte për vetë grekët, një kompozitor i madh grek (pra një legjendë).
Edhe pronari grek u prek nga përshkrimi që Bashkimi i bëri Kadri Roshit, dhe i tha që shpenzimet e të gjithë procesit që është kryer dhe do kryhet do t’i mbuloj unë. Operacioni u krye me shumë sukses. Gjendja e Kadriut ishte dhe një muaj jetë, sipas mjekëve. Me ndërhyrjen që u bë, Kadriu do të ikte nga kjo jetë atëherë kur ta shkruante zoti. Dhe ashtu ndodhi. Nuk është kjo ajo që doja të thoja.
Ka njerëz të mirë. Ai pa e njohur, pa e ditur u bë mik, dashamirës i këtij pronari. Nuk kishte grek e shqiptar që të hynin në atë spital e të mos shkonin ta takonin, sa që kur shkoja unë duhej të prisja rradhën që ta takoja. Më mbusheshin sytë nga gëzimi që unë djali i tij, mbaja rradhën për ta takuar. Pikërisht ishte një vlerësim. Paradoksi, makabriteti do ta quaja ndodhi më vonë. Kadri Roshi doli nga spitali i shëruar.
Operacioni ishte i një niveli të jashtëzakonshëm dhe zoti Bashkim Zeneli duke marrë vesh se Kadriu e kishte frikë avionin, dhe që do të udhëtonte me autobus, me 18 orë rrugë, vë në dispozicion të tij makinën e Ambasadës për ta çuar nga Athina në shtëpi. Dhe duke i lënë porosi shoferit që do të jesh nën urdhërat e Kadri Roshit.
Pra, ka nevojë të ndalojë, të ndalosh. Dhe unë mendoj se përsëri njerëzillëku zë vend. Dhe Bashkim Zeneli është një burrë. Një burrë me 3-4 “rr” të forta në fund. Cili ishte paradoksi për mua dhe e thëna me gojën plot makabriteti? Ndërkohë që Kadri Roshi mbërriti në Tiranë, nëpërmjet telefonit, Bashkimit i jepet vërejtje nga Ministri i Jashtëm i asaj kohe.
Vëretja ishte: Përse ti i jep makinën Kadri Roshit! Më fal, është njerëzore një gjë e tillë? Të mos harrojmë që në 2004, Kadri Roshi ishte “Nderi i Kombit”. Ministrat, kryeministrat dhe presidentët shkojnë dhe vijnë, vlerat kombëtare të çdo kombi nuk ikin dhe në qoftë se ka vërtet një komb me kulturë nuk shuhen më.
Mbeten në potencialin e artë të kujtesës së kombit. Kadri Roshi bashkë me të tjerë është një ndër ta. Dhe Bashkim Zeneli i kthehet ministrit me gojën plot e pa ju dridhur qerpiku, duke i thënë se “për Kadri Roshin duhej të bëja më shumë, dhe meqë shqetësohesh për benzinën e makinës do ta paguaj unë”.
Prandaj edhe pyeta pak më lart sa është numri i shqiptarëve nëpër botë. Përjashto pesë kokrra, të gjithë të tjerët kanë qenë, janë dhe do të mbeten miq të tij. Ka pasur edhe nga ata të cilët për hir të xhelozisë profesionale e kanë luftuar. Në vitin 1974 është dhunuar.
Ka vajtur afërsisht 3 vjet në OAN (ofiçinën e autoriteteve të ndërtimit). Kjo erdhi nga disa njerëz të paaftë që si aftësi të tyre kishin intrigat, uji nën rrogoz, gropën nën këmbë, por që nuk përbëjnë shumicë, fatmirësisht.
Prandaj them dhe jam krenar për këtë dhe jam ndoshta ndër të paktë njerëz që trashëgoj nga babai një pasuri kaq të madhe. Vështirësi shumë e madhe t’i ruaj, t’i mbaj, t’i nderoj dhe t’i respektoj.
Dimë që ka patur një raport të afërt me natyrën… peshkimin… çfarë mund të na thoni për këtë pjesë?
Çdo njeri, mendoj unë, në jetën e tij gjen mënyrat dhe format më të ndryshme për t’u çlodhur. Për një artist të vërtetë siç ishte Kadri Roshi dhe për mua siç mbetet, sepse për mua ai është gjallë akoma. Për mua dhe shumë të tjerë. Fakti që natë për natë e shoh akoma në televizor tregon që ai është gjallë.
Kanë mbetur vepra pune të tijat. Punë të stërmundimshme, sepse j’ua thashë që në fillim, Kadri Roshi kurrë nuk bënte rol për hir të rolit. Kur ka bërë Abdyl Frashërin, shpirti i tij e di seç ka hequr. Kur ka bërë Arturo Ui (edhe këtë duhet ta dijë spektatori), i pari që ka bërë rolin e Arturo Ui është Kadri Roshi. Shkëlqim Basha e ka bërë më mbrapa.
Pse u filmua me Shkëlqim Bashën dhe jo me Kadri Roshin? Janë në ato xhelozitë profesionale që thashë më përpara. Për të arritur këto suksese, për të sjellë mesazhe kaq të mëdhaja, kaq të fuqishme, të rëndësishme, Kadriu e bën në një kohë shumë të shkurtër Arturo Ui. Mishërimi i “Ezopit” qe i arrirë, po aq sa edhe mjerimi prej një fisniku të vërtete në shfaqjen “Epoka para gjyqit”.
Mund të jetë punë me kolektivin ndërsa punë individuale do të bësh jashtëzakonisht të stërmundimshme dhe lodhje e domosdoshme. Ai e gjente në gjënë më të bukur që mund të ketë çdo vend, natyra. A ka gjë më të bukur, më të virgjër, më të pastër se sa natyra? Siç thotë dhe Naim Frashëri: mendja shkon në fushat dhe mallet lart nga qyteti, nga rrëmuja.
Ai kishte detin, ndonjëherë e harronte. Peshkimin ai i ktheu vërtet në një hobi të tij. Ai nuk mund ta kuptonte dot ditën e hënë kur kishte pushimin, njësoj si gjithmonë, pa vajtur në breg të detit për të gjuajtur peshk. Si nuk e kuptonte dot fillimin e ditës, zbardhjen e diellit, kalimin e orës 12 të natës, ditën e re pa ndezur cigaren.
Dy gjërat të cilat ai për gjashtë 6 muaj i mohoj kur ka bërë rolin e Arturo Ui. La peshkimin dhe duhanin. Pse vë peshkimin të parin? Ishte vërtet relaksi i tij, ishte çlodhja e tij. Por pas një pune dhe shfaqje dhe pasdite nuk kishte fuqi të shkonte, sepse forcat i donte. Atëherë rrinte në shtëpi. Mbyllej si në kazermë, ndaloheshin takimet, vetëm në qoftë se i vinte ndonjë koleg i shfaqjes, i provave ose regjisori.
Pra, në qoftë se vinte dikush që kishte lidhje me punën. Dhe kur nuk i vinte askush ai ishte njeriu më i lumtur. Donte vetëm të çlodhej. Në breg të detit, ku ka gjë më të pastër, ku ka gjë më të bukur se sa ajri i pastër për çdo njeri, sikur një shëtitje të shtunë, të diele, në fundjavë, do të jetë shumë herë më i qetë, më i çlodhur, më i relaksuar.
Naim Frashëri kur ka vajtur për herë të parë dhe kur ka parë se si futeshin në kanal për të nxjerrë krimbat në baltë, në llucë, ka thënë “a ba, ba, ba, ba. o Zot, juve jeni të çmendur”. Dhe mos harroni që Naimi ishte anëtar partie. O Zot! Por si thotë komunisti “O Zot”?! (Kjo tregon se sa ndryshe ishin aktorët). Dhe më mbrapa Naim Frashëri që nuk e shihte do me sy atë skenë u bë një nga peshkatarët më të fortë krahas Kadriut, krahas Enver Dautit. Dhe çuditërisht, aktorë vërtetë shumë të mirë, që i kanë dhënë emër këtij Teatri, kanë gjuajtur peshk.
E bukura ishte se nuk gjuanin peshk për të ngrënë vetë, por për kënaqësi. Për ta peshkimi ishte shpërqendrimi total nga puna e Teatrit dhe përqendrimi total tek pija dhe tek grepi. Dhe kjo sillte atë çlodhjen e madhe. Çuditërisht, të gjithë këta peshkatarë ishin dhe aktorët më të mirë, ndoshta. Kadriu ishte i dhënë shumë bashkë me shokët, sepse “i pa të mirën, i pa hairin gjuetisë”. Ai normalisht harxhonte nga xhepi për të qenë i freskët të martën dhe ditët e tjera pa dyshim.
Si e konsideroni trajtimin që i kanë bërë institucionet shtetërore deri më tani, a keni ndonjë pakënaqësi?
Kohët e fundit, do ta quaj me gojën plot garda e vjetër, jo brezi i vjetër. Fatkeqësisht ashtu është kthyer, në brez të vjetër, i cili në mënyrë të qëllimshme po harrohet. Dhe nuk ka vdekje më të tmerrshme se sa harresa. Harresa është vdekja e vërtetë për një njeri. Po si mundet që unë të jem i kënaqur nga trajtimi, nga respekti që i është bërë e sidomos pas vdekjes?! Sepse derisa ishte gjallë, po. Kadri Roshi para se të mbyllte sytë ka thënë një fjalë: “Iki i ngopur nga kjo jetë”.
Ngelëm motër e vëlla. Jo i ngopur nga barku tha, por ç’kisha për të marrë, ç’më takonin për të marrë i mora. Në atë kohë “Nderi i Kombit” vetëm një ka qenë, Kadri Roshi. Sot ka shumë. Nuk kam druajtjen ta them. Me meritë dhe pa meritë. Çfarë do të thotë ta marrë dikush që ndoshta është herët për të, në këtë aspekt, para kohe.
Kjo do të thotë se unë që kam bërë kaq e kaq, e kaq, e kaq qenkam i barabartë me nxënësin ose me nxënësen time, me studentin, me studenten time (jo se i nënvlerësoj sepse unë jam krenar që studenti dhe studentja ime të eci përpara sepse është puna ime brenda), por kur ai nuk ka bërë ose ajo nuk ka bërë gati 50% të asaj që kam bërë unë, si po m‘i jep ti të njëjtin vlerësim që po më jep dhe mua? Tani, ose unë qenkam si studenti ose si studentja ime, ose ai qenka në nivelin tim.
Por kur ti me 50% më paske arritur mua kjo do të thotë që unë nuk paskam bërë asgjë. Pra, ti më mohon punën në këtë rast ose më zbret në një nivel më të ulët nga ai nivel që kam unë. Po më barazon me një njeri që është në këto momente, sepse nesër mund të bëhet shumë herë më i madh se unë, por në këto momente është më poshtë se unë.
Por si mund të jenë të vlerësuar artistët kur ka vite e vite që falë ndërhyrjes së fëmijëve, pse duhet të ndërhyjnë familjarët në këto gjëra? Familjarët duhen të ftohen në aktivitetet që duhet të organizojë qoftë institucionet qendrore që mbulojnë artin dhe kulturën, më konkretisht qoftë Ministria, qoftë Bashkia, qoftë Teatri Popullor, që tani ia kanë vënë emrin Teatri Kombëtar. Kjo ishte dhe një nga plagët e Kadriut.
Si mund të thuash ti që kam Teatër Kombëtar kur ti nuk ke Dramaturgji Kombëtare? U bënë kaq vite që jepen vetëm pjesë të huaja, të huaja, të huaja ku janë pjesët kombëtare? A e dini që Ruzhdi Pulaha mund të ketë 60-70 pjesë në sirtar dhe nuk i merr askush? Pse? Sepse i bien kokës njëri me tjetrin.
Konkretisht këto janë plagët e shoqërisë dhe arti shqiptar këtë ka për detyrë. Megjithatë, si mund ta ndjejë një familjar veten të qetë sepse prindi i tij është respektuar? Thashë: Naim Frashëri po bën vite që falë ndërhyrjes së fëmijëve iu bë një aktivitet. Sandër Prosi u bë vite që nuk i bëjnë një aktivitet. A e di që ka njerëz që nuk e njohin Loro Kovaçin? A e di që Violeta Manushi u bë vite e vite (Violeta Manushi mbeti e pa martuar sepse iu dedikua artit), dhe në atë kohë kur Violeta Manushi dhe Behie Lebonja hyjnë në art, quheshin imorale.
Të ngjiteshe në skenë në atë kohë, ishte imoralite (për femrat). Prandaj dhe rolet e femrave deri në atë kohë i luanin meshkujt. Kanë bërë gjithë ato sakrifica për artin, ndërsa tani nuk i kujton asnjeri. Nuk po merrem shumë me emra sepse për fat të keq dhe për fat të zi janë të lënë pas dore, po i harrojnë qëllimisht. Ka shtatë vjet Violeta Manushi që u nda nga jeta.
Cila gazetë, çfarë aktiviteti bëri Ministria, Bashkia, Teatri? Çfarë u bë për të? Vërtetë do ta quaja heroinë, Behie Lebonja, Tinka Kurti, Drita Pelingu. Kur do të kujtohen për Dritën? Për 200 vjetorin e vdekjes apo për 300 vjetorin e lindjes? Apo ky është miku im dhe e kujtoj, këtë nuk e kam pasur mik pse ta kujtoj?!
Është e vetmja fushë ku politika duhet të heqë dorë nga influenca e saj është arti, kultura. Kemi thënë që deri dje e pardje ishin të politizuara, po ti çfarë po bën? Kur ti nuk vlerëson atë që e bën artin si mundet ti të vlerësosh artin? E në këtë aspekt, jo si familjar, por si aktor më shumë, them që garda e vjetër e papërsëritshme më, është lënë në harresë.
Por si mundet të lësh në harresë një aktor si Kadri Roshi?! Si mundet të lësh në harresë një aktor si Naim Frashëri?! Unë përmenda një pjesë të tyre në fakt. Sulejman Pitarka nuk është “Nderi i Kombit”. Çfarë është ky? Vlerësim apo nënvlerësim? Le ta gjykojë spektatori. Aktor nuk bëhesh me një rol, as me 100 role.
Aktor bëhesh me atë se çfarë i ke bërë rolit. Në listë mund të kesh 100, në memorjen e spektatorit, kjo është lista e vërtetë e roleve që bën një aktor. Bëri një aktor një rol, e pëlqeu spektatori, përdor batutat në rrugë, qesh, bën dhe kaq. Nuk është aktori me një rol. Kadri Roshi ka më shumë se 200 role në teatër dhe në kinematografi. 180 e më shumë janë në teatër, 35 në kinematografinë shqiptare, pa përmendur bashkëpunimet jashtë.
Që me një aritmetikë shumë të thjeshtë 215. Nuk më vjen mirë kur disa gazeta nga padija ose me qëllim, përdorin një shifër që ashtu i bie, ose 150 ose 170, në qoftë se nuk e dinë, të pyesin. As mos ia shto dhe as mos ia ha djersën. Është gjak, djersë, mund, sakrificë një rol.
Është një fëmijë, është një jetë që ka jetuar 200 net baras me 200 vjet, sepse një natë e dhënë në Teatër është baras me një vit jetë për personazhin. Sepse hyri në mendjen e 500 spektatorëve. E ka rritur e ka bërë kaq vjeç atë rol dhe ti ja heq? Jo. Nuk ka të drejtë askush, as t’ia shtojë e as t’ia heqë.
Çfarë do të shtonit në fund të kësaj interviste
Unë në mbyllje të kësaj interviste, sinqerisht mbase edhe pse ndodhi kjo, por sinqerisht ju falenderoj për ndërmarrjen që bëtë. Pra, me shumë dashamirësi ua them që u kujtuat për këtë 90 vjetor të njërit prej 46 gurëve të xhevahirit, Kadri Roshi. Lexova në gazetën tuaj para disa kohësh që asnjë nga dikasteret e kulturës shqiptare nuk dinin që Kadri Roshi kishte 90 vjetorin e lindjes.
Mos është i vetmi?! Kështu do të shkohet?! Kështu do të ecet? Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, para disa kohësh, brenda në zyrën e Ministres së Kulturës, zonjës Mirela Kumbaro, i ka thënë shprehimisht: “Duhet të mbroni, të ruani dhe të promovoni vlerat njerëzore”. Pra, nuk bëhet fjalë për të ruajtur një mur, një kala, një kështjellë…, jo, jo nuk është puna e gurëve dhe e mureve, sepse muret me gurë i bëjnë njerëzit.
Njerëzit janë qenia më e përkryer sot në botë. Nuk më erdhi mirë. Por më vjen mirë sepse vërtetojnë vetë me bëmat e tyre indiferentizmin që kanë ndaj vlerave kombëtare. Po, po. Janë Vlera Kombëtare. Kush e ka luajtur “Kujdestar surrat pataten” e dinë të gjithë, ose kush e ka luajtur “Hamletin” e dinë të gjithë.
E kanë luajtur 4 vetë, por që ka mbetur si numër një, bashkë me shokë e me kolegë të tjerë është Naim Frashëri. Kush e ka bërë “Murin e Berlinit” që ndau dy Gjermanitë nuk e di njeri, por se kush e ka bërë Dhaskal Todrin e dinë të gjithë. Kush e ka bërë urën e Matit nuk e di njeri, por se kush ka qenë regjisori i Arturo Ui e dinë të gjithë.
Urën e Matit e ka projektuar Kosta Mani, njeri i Pirro Manit. Kush e di këtë? Asnjë! Rastësisht e kam marr vesh dhe unë. Rastësisht e merr vesh dhe ti sot, rastësisht ai tjetri nesër. Pra, qenkan këta njerëz që i japin vlerë, emër dhe nder këtij Kombi. Çfarë do të thotë “Nder i Kombit”? Në vitin 1984, në 60 vjetorin e lindjes, Kadriu pyeti dikë nga Korça: Ç’mendoni për titujt?
Ishte viti 1984 (mbase disa dhe nuk e dinë), në atë kohë, kishte dy lloje aranxhatash. Aranxhata 8 lekëshe dhe aranxhata 5 lekëshe. Aranxhatat 5 lekëshe ishin ujë me sheqer, me ngjyrë dhe pa gaz. E ç’më pyet more Kadri i tha. Janë bërë titujt si kapaçkat e shisheve të birrës. U pika mua, i thotë. Po ç’ne more i tha. Si kapaçkat e shishes së aranxhatës 5 lekëshe.
Sot bëj pyetjen: Ç’vlerë kanë titujt? Si konvertohen këto tituj? Ç’duan të thonë këto tituj? Vlerë materiale nuk ka mbrapa që të marrësh “Nder i Kombit” dhe të mos ketë zarf nga mbrapa unë vetëm në këtë vendin tim i shoh këto gjëra. Megjithatë, sërish shtroj pyetjen: Çfarë do të thotë “Nder i Kombit”? Si mund ta quash të vlerësuar “Nder i Kombit”, kur shikoj emra, nuk them pa vlera, absolutisht jo, por me më pak vlerë se ky, që janë në qendër të rrugëve të Tiranës.
Pra, disa rrugëve që janë në qendër të rrugëve të Tiranës dhe kanë marrë emrat e personave që nuk kanë vlerat e këtyre njerëzve. Dhe emri i Kadri Roshit i është vënë një rrugice që është tek spitali psikiatrik (170 metra rrugicë), ku tabela me emrin e tij që ishte vënë në faqe të murit, është hequr. Dhe unë shtroj pyetjen: kur i vihet emri gjithë këtyre njerëzve, pse nuk vihet dhe emri i Kadri Roshit? Jo, po është. Ku është? Pa dashje, i drejtohem Bashkisë për këtë.
Edhe ajo ka pushtetin e saj. U desh 5 vjet pasi ishte ndarë nga jeta Kadri Roshi, që të bënte detyrimin e vetë Bashkia. E ka detyrim për figurat e shquara e të njohura me vlerë, vihet një pllakë në godinën ku ka banuar.
Pse duhet të ndërhyj unë, pse duhet të ndërhyjë ai? Në qoftë se çdokush do të bëjë detyrën e tij, çdo Vlerë Kombëtare do ta ndjejë veten të vlerësuar. Do ta ndjejë veten si të tillë. Dhe duke ju falenderuar përsëri, po e mbyll me pyetjen: Çfarë do të thotë “Nder i Kombit”? /TiranaObserver.al/
————-
Lexo edhe:
Ditari i Hysni Kapos: Përplasjet e Enver Hoxhës me Beqir Ballukun
ObserverKult