Leksikografi Xhevat Lloshi thotë se anarkia gjuhësore e pas viteve 1990 rrezikon unitetin e kombit. Në një intervistë për emisionin “Pas mesnate” në abcnews, ai tha se pas këtyre viteve, pati një grup të vogël njerëzish, që deshën të shkatërronin standardin e gjuhës shqipe.
Duke komentuar Kuvendin e gjuhës shqipe, të mbajtur në Ditën e Alfabetit, ai tha se është një hap i rëndësishëm për t’i dhënë fund kësaj anarkie gjuhësore. Sipas tij, gjuha shqipe duhet të jetë e pranishme në numrin e gjuhëve të Bashkimit Evropian.
“Unë dëshiroj ta shoh në një pamje më të gjatë. Përpara 1990 me Kongresin e drejtshkrimit, arritëm te një tik i caktuar i gjuhës, varianti standard. Pas këtij viti, në Shqipëri për fat të keq, në vend që të flakej më tej diktatura ushtarake e Enver Hoxhës, u kalua jo në demokraci, por në një gjendje anarki. Anarkia pushtoi jetën në të gjitha drejtimet e këtij vendi. Ju e dini që u shkatërruan objekte të rëndësishmë industriale. Në Shqipëri ndodhi një gjë që s’ka ndodhur asnjëherë në vende të tjera të botës. Një pjesë e këtyre njerëzve shkatërruan hekurudhën dhe i shitën binarët për skrap. Ka ndodhur një ide anormale në kohën e revolucionit në Rusi, dhe ata thoshin që meqenëse të tjerat janë krijuar nga borgjezia, duhet të shkatërrojmë edhe hekurudhat.
Edhe këtu meqenëse hekurudhat janë ndërtuar gjatë diktaturës, duhen shkatërruar. Kjo gjendje anarkike në jetën shoqërore, ekonomik dhe ushtarake, pati një moment që u shkatërrua edhe ushtria, në këto rrethana, kjo mënyrë e shikimit të botës preku edhe gjuhën. U quajt që edhe gjuha standarte ishte një rikrijim i diktaturës dhe prandaj duhej shkatërruar. Pati një rrymë shumë të zënshme me britma por që përfshinte pak njerëz, që deshi të shkatërronte standardin. Kjo bëri që për një periudhë të shkurtër, edhe vetë gjuhëtarët u stepën. Një pjesë e tyre mbuluan kokën dhe nuk e mbrojtën standardin dhe kjo bëri që gjatë këtyre 30 vjecarëve të ishte në qendër dëbimi i standardes së shqipes, por kthimi në një gjendje primitive.
Dmth vetëm me një fjalë u kërkua anarkia gjuhësore. Njëkohësisht kundrejt gjuhës nuk pati vëmendje të shtetit. Kuvendi që u bë tani, është një ngjarje e rëndësishme sepse jep fund kësaj periudhe. Anarkia gjuhësore rrezikon unitetin e kombit. Ne sot jemi komb evropian, që ka nevojë për një gjuhë që t’i shërbejë këtij shteti për të gjithë shqiptarët kudo që janë dhe t’i shërbejë Shqipërisë si një nga gjuhët që do të jetë e pranishme në numrin e gjuhëve të BE. Ne duam të hyjmë në BE, do të hyjmë me një gjuhë. Pse do të hyjmë me disa dialekte? Do t’u themi se ka disa shqipe?“, u shpreh Lloshi./abcnews.al
ObserverKult
Lexo edhe:
APELI I STUDIUESES: T’I RUAJMË XHEVAHIRET E GJUHËS SHQIPE QË JANË DIALEKTET…