Anatomikisht burra…

elona caslli

Nga Elona Caslli

Shprehjen – Ai është Burrë- e dëgjoj gjithmonë e më rrallë në Shqipëri.

Çfarë nënkupton njerëzia kur thotë- Ai është Burrë. Nënkupton vallë vetëm ndërtimin anatomik të një njeriu mashkull në moshë të pjekur? Nënkupton vallë lehtësinë që ka ky i fundit teksa i vjen për të pshurrur dhe gjendet papritur në mes të rrugës dhe në këmbë bekon me lëng cepin e parë të një pallati, qoshkun e fundit të lulishtes në mesnatë apo bustin e rilindasve në shëtitoren kryesore?

Nënkupton vallë këlyshin që kthehet në shtëpi i dehur nga flirtimi disa milionësh në kazinonë e periferisë dhe të nesërmen i nënshtruar strehohet në portofolin e të shoqes për të paguar kafenë e mëngjesit?

Nënkupton vallë të dorëzuarin që të gjitha problemet e fëmijëve ia faturon të shoqes dhe të gjitha arritjet e tyre ia faturon vetes?

Nënkupton vallë shtazën që shqyen lirinë e një gruaje dhe e gëlltit ditë pas dite , muaj pas muaji, vit pas viti deri në pragun e një tretjeje të plotë kur liria e gruas është veçse një skelet në kujtesën e saj? Nënkupton vallë trumcakun që vetmia e çmend?!

Nënkupton vallë të Dobëtin që sheh shëmtinë e dobësisë së tij tek Gruaja që pavarësisht gjithçkaje gjen forcën për t’u zgjuar në mëngjes, për t’u qëndruar pranë fëmijëve, për të patur identitet profesional dhe për të përjetuar me dinjitet lirinë e fituar nga një martesë e gangrenizuar?

Nënkupton vallë dy plumba që derdhen mbi një nënë ?!

Dhe duke qenë se njerëzia nuk nënkupton këtë me pikëllim pohoj se ka ardhur koha që të lindë shprehja:

Ajo ishte Grua!/
ObserverKult