Dy herë kampion botëror dhe një herë kampion evropian në balet modern. Ky është 14-vjeçari Andi Ismaili nga fshati Forinë i Gostivarit, i cili synon edhe një medalje të artë në garat botërore në fund të këtij viti.
Andi kishte nisur të mësojë vallëzimin modern nëpërmjet rrjeteve sociale ndërsa nuk kishte ëndërruar se një ditë do të ishte ai që do jepte shfaqje për publik siç bën tani.
Ai po korr suksese të njëpasnjëshme.
“Kam filluar në moshën 9-vjeçare, dhe kam filluar ta pëlqej këtë profesion nga rrjetet sociale. Si fillim u inspirova nga një valltare në rrjetet sociale dhe pastaj bashkëshortja e dajës tim kontaktoj me një arsimtare të baletit dhe ajo e pa që isha i talentuar dhe fillova të bashkëpunoj me të”, tregon ai.
Balerini thotë se nuk ka qenë e lehtë të fitonte këto sfida, sidomos nëpër garat botërore.
Andi përkrahjen më të madhe e ka nga familja e tij e cila i mbulon të gjitha shpenzimet për garat e tij, pa ndihmën e autoriteteve të vendit.
“Fatkeqësisht, financiarisht nuk më ka ndihmuar askush. Por, më kanë ndihmuar vetëm prindërit, e kështu me radhë… Nëpër këto gara kushton shumë. Për shembull tani duhet të shkoj në një garë që është në Egjipt”, shprehet balerini.
Andi kujton shpesh edhe ngacmimet dhe talljen nga bashkëmoshatarët në shkollë. Por premton se kjo tabu të thyhet.
“Po, nuk ka shumë djem në vallëzim dhe kam pasur mjaftë ngacmime. Bullizëm në shkollë, dhe kjo gjë është popullarizuar aq shumë, saqë edhe arsimtarët kanë filluar ta bëjnë këtë gjë. Kjo është tepër e keqe”, kujton ai.
Pavarësisht se për momentin është duke u angazhuar në vallëzim modern paralelisht edhe me mësimin në shkollë, në të ardhmen planifikon të bëhet balerin profesional me diplomë.
“Thjeshtë ndiqni ëndrrat”, këshillon 14-vjeçari./gazetatema
ObserverKult
Lexo edhe:
“NË KËRKIM TË VENERËS” FILMI KANDIDAT I KOSOVËS PËR OSCARS 2023