Andon Qezari, regjisori që përjetësoi buzëqeshjen në “Pallati 176″

Aktori Andon Qesari është ndarë dje nga jeta në moshën 78-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Teatri Kombëtar ka shprehur ngushëllime familjes miqve dhe të afërmve për ndarjen nga jeta të regjisorit dhe aktorit të mirënjohur

Edhe pse, gjatë viteve të fundit ka qenë i shkëputur nga skena, mjeshtri i skenës ka lënë pas një numër të madh rolesh në teatër në kinematografi.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti shprehet se “aktori me një profil unik, që ka realizuar dhjetëra role, pedagogu, regjisori që përjetësoi buzëqeshjen në “Pallati 176″, Andon Qesari u nda sot nga ne. Qesari i takon atij brezi artistësh, që e ngritën në nivel sipëror teatrin dhe kinematografinë shqiptare.Qoftë i paharruar”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehet se “Andon Qesari ishte pjesë e plejadës së shkëlqyer të aktorëve dhe regjisorëve, që i kemi duartrokitur në çdo shfaqje në Teatrin Kombëtar dhe i kemi shijuar në filmat e paharruar të kinematografisë shqiptare. Ikja e tij është humbje e madhe për artin shqiptar”

Më 1966 u diplomua për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu”.

Pas diplomimit emërohet aktor në teatrin profesionist të Vlorës. Në vitin 1972, kalon pedagog në ILA. Në vitin 1975 rifillon aktivitetin e tij artistik si aktor, por në Teatrin Kombëtar.

Ka interpretuar shumë role, duke filluar nga Besniku “Shënomëni dhe mua”, Feni “Furnalta”. Emërohet përfundimisht aktor i TK në 1977. Realizoi më vonë Vurmi “Intrigë dhe dashuri”, Qamil Beu “Epoka para gjyqit”, Aleksi “Doktori pacient”, Luixhi “Tragjedia e Deas”, Zeusi “Prometeu”, At Kormili “Monserati”, Kryetari “Vizita e damës plakë”, Ksanthi “Ezopi”, Komisari “Opertunesku” “Kapuleti” “Romeo e Zhulieta”, Berlingu “Vizita e inspektorit”, Konti “Fernando Krafi më ka shkruar një letër”, etj.

Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë. I suksesshëm edhe si regjisor: “Karnavalet e Korçës”, “Pallati 176”, “Nën dritat e skenës”, “Në jetë”, “Valsi i Titanikut”, etj. Është nderuar me titullin “Artist i Merituar”./ATSH