Te ne edhe me kenë e ndershmja e botës të del nami i zi!

ada halilaj

Nga Ada Halilaj

Cili asht PENGU jot ma i madh?- pyta para pak ditësh një mikeshën teme.

Pa u mendu aspak, erdhi vrrik përgjigjja e saj, e paraprime nga një ofshamë e papërcaktume mirë: -Që nuk vazhdova shkollën e policisë… Baba refuzonte totalisht përfshimjen teme në një profesion aspak të denjë për një vajzë e unë s’pata forcën e duhun me e kundërshtu.

Ajo nuk asht shqiptare por vjen nga një kulturë binjake me tonën, një kulturë që vazhdon t’u hidhet egërsisht në qafë vajzave dhe grave që guxojnë me çu në port andrrat e tyne, veçanërisht kur këto andrra ndodhen në territore të shënjume fort prej burrave.

Zakonisht vajzat dhe gratë, në momentin e parë që i shprehin me za të naltë këto dëshira ”atipike”, shkapeten menjëherë me shprehjet ashpërsisht të gatshme: s’asht vend për ty; ça don me ba ti n’mes tanë atij batalion burrash;në ambjente të tilla edhe me kenë e ndershmja e botës të del nami i zi.

Nami pra, ky gogol shqiptar i lashtë, që çuditërisht përndjek vetëm vajzat dhe gratë e prej të cilit duhet me u rujt ma shumë se prej vdekjes. Nami asht matësi i vlerës tonë.

Klani i baballarëve, vëllezënve apo bashkëshortëve (të cilët përfaqësojnë vulën, lejen, të drejtën me vendos ku/kur/si e qysh vajza, motra apo gruaja duhet të angazhohet në filan punë/veprimtari/aktivitet) gjuajnë dhe përzgjedhin me kujdes patriarkal ato vende ku shumica e kolegëve janë gra, me orare të tilla që gruaja mos të anashkalojnë shërbimin familjar dhe me pozicion mrapaskenik, pra larg vëmendjes kolektive.

Kambngulja që profesionet e grave duhet medoemos të kenë një prekje poetike, delikate, të sigurtë, femnore, hermetike dhe të mos lajnë gjurmë që mund të rrezikojnë reputacionin ose moralin e saj të shenjtë asht një kambngulje paleolite, siç edhe bindja imagjinare që rreziku, armët, pushteti, lufta, strategjitë, kufinjtë dhe kontrolli gjeografik janë dhe DUHET të jenë pjata qëndrore në tavolinën e burrave.
Qasje të tilla e kanë vendin në harresë sepse diferencën në këtë botë e bajnë njerëzit, jo gjinitë.

Vetë historia na ka shërby shembuj grash të hekurta në politike dhe biznes sikurse modele burrash që shkëlqejnë në gatim apo në revolucionimin e modës.

Gjinia, sidomos instrumentalizimi i saj për ushtrim kontrolli, asht veç një kurth shoqnor i qëllimtë (për gratë kryesisht), me u ndërpre hovin e me i tërhek mrapsht në kotecin tradicional, një kotec për idealizimin dhe trashëgimin e të cilit vetë gratë kanë një kallep të bollekshëm faji, jo vetëm për faktin që kanë vu thembrat nga kishin majet me shpejtesinë e dritës, por sepse kanë luftu me përçmim dhe mizori kundër lirisë së grave të tjera.

Asnjë ligj, zakon a traditë s’ka fijen e të drejtës me ndalu një vajzë me praktiku profesionin e kamionistes, nëse kjo asht zgjedhja e saj, ashtu sikurse s’duhet me u ngrit asnjë pengesë për një djalë që dëshiron me u ba parrukier (jo thjesht berber).

Andrrat nuk kanë gjini.

As pasionet.

As profesionet.

As e ardhmja.

…e jetës duhet me i ndejt stoikisht në timon,jo mrapa në bagazh.

ObserverKult


Lexo edhe:

PO TË DOLI NAMI SE JE NJERI I MIRË, TË NGJITEN MBI SHPINË!