Në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë vijon puna me ritme të shpejta për kthimin e “Aneksit” publikut përmes sallave të dedikuara, do të kthehet në një qendër dialogu e pikëtakimi sidomos për të rinjtë.
Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, e shoqëruar nga deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, ndoqën nga afër punimet që po kryhen.
“Me Ervin Bushati në Aneksin e Bibliotekës Kombëtare, për të ndjekur nga afër punimet. Që po e shndërrojnë këtë kënd të harruar të Tiranës, në një nga qendrat më tërheqëse kulturore në zemër të kryeqytetit. Ku libri dhe teknologjia, e shkuara dhe e ardhmja motërzohen kaq natyrshëm”, – tha Margariti.
Mijëra libra të pashfletuar presin që të hapen
Ky projekt, që i jep jetë kësaj dritareje dijeje e kulture, mundësohet me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare. Mijëra libra të pashfletuar më parë për dekada të tëra presin që të hapen. Pjesa më e madhe e sallave ishin kthyer në magazina me thasë librash që askush nuk i njihte.
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920.
Më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh
Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917. Në momentin e përurimit si BKSH, më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh. Sot koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet./ATSH