Pas më shumë se një shekulli që kur preku për të parën herë ujërat e Nilit, anija Sudan vazhdon të tërheqë turistë që ndjekin hapat e novelistes legjendare të krimit, Agatha Christie.
Anija ka frymëzuar autoren britanike të shkruajë një nga veprat më të famshme të saj në 1937, Vrasje në Nil. Novelistja tregon historinë e detektivit të famshëm belg Hercule Poirot, që heton një vrasje mes udhëtarëve të kamur që lundrojnë në Nil. E ndërtuar për familjen mbretërore egjiptiane në 1885 dhe e shndërruar në një anije shëtitëse në 1921, SS Sudan, priti novelisten dhe bashkëshortin e dytë të saj, arkeologun Max Mallowan në 1933.
Mes 23 dhomave dhe suitave të anijes, dhoma e shkrimtares është ende më e kërkuara. Pasagjerët përshkojnë sërish të njëjtin itinerar me novelisten, ndalen në të njëjtat site arkeologjike, edhe pse me një dallim, tani anija punon me karburant dhe me energji diellore, në vend të qymyrit. Një staf prej 67 personash e mban anijen në formë dhe një udhëtim luksoz tetë ditor po ashtu përfshin edhe qëndrimet në hotele historike dhe kushton rreth 4 mijë dollarë. Por, ka një listë të gjatë pritjeje për të qëndruar në dhomën e Agatha Christie-t. Rezervimet bëhen sot për tu realizuar pas dy vitesh.
Ndërsa industria e turizmit, thelbësore për Egjiptin, është goditur rëndë nga kufizimet për shkak të koronavirusit, me të ardhurat e reduktuara në mënyrë drastike, stafi insiston se pandemia nuk do të mbysë anijen historike. SS Sudan, është përballur me kriza edhe më parë. Ajo u la të kalbej për dekada pas luftës së dytë botërore por u shpëtua dhe u kthye në lundrim në 1991, para se të braktisej dhe të riparohej për së dyti në vitin 2000. Vitin e kaluar anija ishte fillimisht e ndalur në port, por nisi punën sapo rregullat e lejuan.