Anila Varfi: Njerëz që lakmojnë veç çka asht e tjetrit…

Nga Anila Varfi

Kam taku frymorë që nuk i tremben ferrit e parajsën s’e rrokin dot. Kam njohur edhe nga ata/ato që e përdorin Zotin për çdo gja që nuk u përshtatet, duke tundë gishtin “jam me Zotin”.  

E mandej ky soj, e gëlltit Zotin kur nuk i hyn në punë!

Kam dëgju edhe për atë takëm njerëzish që e ngopin idiotësinë me zilinë që mbajnë barqeve. Sytë nuk u ngopen kurrë me atë çka asht e tyrja, por lakmojnë veç çka asht e tjetrit.

Trashëgojnë llafazanërinë si atavizëm të gjenit. Djallëzinë e kanë tipar të shkarravitur nëpër surretër të mpiksur.

Mburrjen handikapate e kanë aq të fryrë, sa edhe hundët u lastaren si tranguj. Unin e kalbun deri në rranjë e hedhin si farë në gropëzat e syve. Gjysmagjel asht edhe dija e tyne që shumon përditë përbindshat xhuxhë të ultësirës urbane.

Qytetet kanë zanë shtat me zbrazti trunore. Njerëz që s’dinë pse ecin në inercinë e turmës, njësh me ritmin e asgjasë. Furçat e dhëmbëve nuk bajnë kurrfarë dermani me ndreqë estetikën e buzëpërqeshjes. E ti e ndien se frymëqenëria e tyne shpon tavanet për me nuhatë n’shpinë e tjetrit, në jetën e tjetrit, se të tyren e kanë nxjerrë në pazar.

Mirësia për këtë soj është alergji që ua ngushton gjoksin.

Unë i ngrati, kur mbyll sytë në qiejt e mi, shquaj ata që më duan vërtetësisht.

ObserverKult  


anila varfi

Lexo edhe:

ANILA VARFI: KJO KOHË MA SHPIF

Ma shpif kjo kohë!
Surretër që kanë mbathur të njëjtën buzëqeshje:
Plastike, hipokrite mbi buzë botoxi.

Ma shpif kjo kohë identitetesh të shpëlarë e fals.
Ma shpif kjo kohë,
Ku fjala teret në ajër si rreckë e tirepsur,
Dalë prej gojësh gjuhëfëlliqur.
Ma shpif kjo kohë,
Ku mirësinë e gjej të shushatur,
Humbur në shtigje dhish.

Ma shpif kjo kohë, ku dijen e kanë vjedhur e gjithfarsoj…
Çiçiti ia vesh vedit.

Ma shpif kohë, ku s’mundesh me jetu thjesht qetësisht,
Pa një pa dy do të shfaqet dikush
Kudo dhe kurdo në hapësirën tënde
E do të brejë bukën e paqes tënde.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult