Aktorja e njohur Anisa Markarian ka botuar një libër me kujtime nën titullin “Shtëpia te Selvia”. Ajo erdhi në këtë intervistë, kohë më parë, ku rrëfen fëmijërinë e rininë në një familje shqiptaro-armene.
“Më tepër se sa mall e mora si një mision. Libri është një album fotografish, një buqetë rrëfimesh nga e kaluara e afërt dhe duhet parë përtej faktit që janë rrëfime, duhet parë si një biografi kolektive e periuedhës së viteve 1960-1980”, rrëfen ajo.
“Malli është gjithë kohës edhe për ata që nuk janë larguar kanë mall për ata që nuk janë më. Më tepër se sa si mall, e mora si mision, të rrëfej kohën time në mënyra të ndryshme. Këtë herë e rrëfeva në vetë të parë duke treguar absurditetet e atyre viteve. Absurditetet që kalon kjo familje armeno-shqiptare janë absurditete të kohës e regjimit që jetuam”, thotë ajo.
Anisa Markarian tregon raportin e saj me të atin, armenin Agop Marakarian.
“Babai kishte qetësinë e duhur dhe kishte pjekurinë dhe largësinë e duhur për të relativizuar gjërat, ai ishte dikush që e kishte parë vdekjen me sy dhe diktaturën shqiptare e shihte më me shumë filozofi, siç ne kur shkojmë në një muze ku për ta parë një vepër më mirë, e shohim nga larg.
Përveç moshës ia jepte edhe historia e tij e të përjetuarit dhe mbijetuarit të genocidit armen.”
Aktorja rrëfen ritet shqiptaro-armene me te cilat u rrit nga riti i tepsisë te ajo e ëmbëlsirës së strukullit. Ndërsa tregon jetën mes dy kulturash në Tiranën e 1960-s, rrëfimet e të atit për historinë e Armenisë dhe atë të Shqipërisë.
Po aq del në pah edhe historia e saj vetë në një këtë familje që në moshën 4-vjeçare vendoset në një vilë te Selvia.
Ajo tregon historinë e shtëpisë te Selvia, që i ishte marrë familjes së saj për 17 vite nga regjimi dhe që qe përdorur si degë e Brendshme e Tiranës. “Historinë e vërtetë armene kam nisur ta kuptoj pas moshës 9-10-vjeçare kur ulesha afër tim eti. Nga kush më mirë mund ta kuptoja më mirë se sa nga një i mbijetuar i dorës së parë. Ka qenë i shkallëzuar ky formësim e ndërgjegjësim.
Kur hyra te shtëpia te Selvia isha 4 vjeçe. Nuk më është shlyer kurrë, momenti kur kam hyrë në shtëpi. Ishte kontrasti i madh mes aromës së luleve të portokallit dhe shtëpia mendoja se ishte kjo. Dhe kjo ishte vetëm pamja jashtë sapo shkela brenda dhe kur zbrita në bodrum, kishte tjetër erë.
Bodrumi ynë ishte ndarë në qeli, ku kishte pranga, revole, të shkruara nëpër mure. Ishin shkulur pllakat dhe kishte dhe që mund të kishte gjak. Plot njerëz na kanë treguar më vonë se familjarët e tyre s’kanë dalë kurrë nga këto qeli dhe nuk dihet më ku janë, janë të humbur”, tregon Markarian.
Ajo tregon tronditjen e një fëmije që zbulon hap pas hapi forcën dhe ndikimin e shtypjes. Sot, e rritur dhe pas vitesh larg vendit, ajo flet për refuzimin ndaj mohimit, sepse “është e papranueshme mohimi i asaj që ka ndodhur”, thotë ajo, ndërsa ma herët ka folur në librin “15 ditë prilli” për trupat e të vrarëve që çoheshin në universitetin e mjekësisë për lëndën e anatomisë.
Ndërsa ndalet te përballja jonë me të shkuarën, aktorja e shkrimtarja Markarian, gjykon se mohimi e harresa janë të papranueshme.
“Gjëja më e papranueshme do ishte mohimi ose harresa e fakteve. Si komb nuk duhet t’ia lejojmë vetes. Ne kemi nevojë t’i lajmë hesapet me të shkuarën por nuk lahen nëse mbyllen kapituj pa u sqaruar, duhet të kërkohet falje dhe të dihen ata që i kanë duar të lyera me gjak dhe të shkruhet historia shqiptare me dritëhijet se saj. E kemi të nevojshme si komb dhe e ka të nevojshme historia e njerëzimit” tha Markarian.
Ajo ju është mirënjohësve prindërve që e shpëtuan nga shpëlarja e trurit ndërsa veçon se babai nuk u pendua kurrë që erdhi në Shqipëri. Duke theksuar se ka pasur një fëmijëri të lumtur e rini të përgjegjshme, ajo pohon se liria është gjithnjë relative./balkanweb.com
Rrëfimin e gjeni në këtë link: https://youtu.be/flP7qZr8m6o
ObserverKult
Lexo edhe:
PREKËSE: “PACIENTJA E DHOMËS 271”/PUBLIKOHET LETRA E FUNDIT E HUEYDA EL SAIED…