Shtëpia franceze e ankandeve “Millon” mohoi akuzat e Qeverisë meksikane se në shitjen e qindra artefakteve para-kolumbiane ishte e paligjshme dhe vazhdoi me një ankand të mërkurën.
Ministria e Punëve të Jashtme e Meksikës, të martën, ka thënë se 95 nga 120 artefaktet në ankand duket se janë nga kultura meksikane, përfshirë qytetin emblematik para-kolumbian Teotihuacan, si dhe kulturat ulmeke dhe Maya.
Udhëheqësi i shtëpisë së ankandeve “Millon”, Alexandre Millon, ka thënë të mërkurën se Manichak dhe Jean Aurance, të listuar si pronarë të artefakteve plotësuan të gjitha kriteret ligjore për të justifikuar pronësinë e tyre në raport me koleksionin, të cilin ata e mblodhën pasi u dashuruan me një pjesë të një galerie në Paris më 1963.
“Problemi për Meksikën është se ky koleksion është shembullor në çdo mënyrë: sa u përket prejardhjes, botimeve dhe ekspozimit. Kjo duhet ta bëjë atë një platformë pozitive për Meksikën”, ka thënë Millon para ankandit.
Koleksioni përfshin skulptura, maska dhe artefakte fetare që datojnë një mijë vjet para lindjes së Krishtit e deri në shekullin XVIII.
“(Qeveria meksikane v.j.) duhet ta përdorë këtë ankand për të thënë: ‘Shikoni këtë ankand, janë si këto që na duhen’ në përpjekje për të ndaluar ankandet e tjera të cilat mund të mos marrin të njëjtat masa paraprake”, vazhdoi Millon.
Tensionet në lidhje me artefaktet para-kolumbiane vijnë në mes të një diskutimi më të gjerë nëse koleksionistët dhe muzetë perëndimorë duhet të kthejnë artefaktet në vendet e tyre të origjinës. Koleksionistët dhe muzetë shpesh argumentojnë se atje u mungon kujdesi i duhur.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, vitin e kaluar u bë lideri i parë perëndimor që inicioi një përmbledhje gjithëpërfshirëse të artefakteve të plaçkitura gjatë kohës së kolonializmit dhe premtoi të kthejë 26 prej tyre në Benin.
Ambasadori i Meksikës në Francë, Juan Manuel Gomez-Robledo, ka thënë: “Meksika është pronari i ligjshëm i këtyre veprave artistike dhe ne kemi ardhur këtu për të shprehur pakënaqësinë tonë dhe për të shpjeguar pse kjo është shkelje jo vetëm e ligjit meksikan, por edhe ligjit ndërkombëtar”/ Reuters.