Ankthi dhe stresi pasi më larguan nga puna më paralizuan këmbët/ Rrëfimi rrëqethës i Mihallaq Andreas

Mihallaq Andrea, mjeshtri i madh i serenatave korçare, rrëfen momentet më të bukura të karrierës, jetës familjare dhe viteve të rinisë

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte këngëtari i njohur i serenatave korçare Mihallaq Andrea. Për shumë njerëz që e njohin ai është simboli dhe përfaqësuesi më i mirë i qytetit të Korçës. Në një rrëfim për nisjen e karrierës, familjen dhe sigurisht miqtë, Mihallaqi u ndal tek momentet kur thirrja e brendshme e artistit u kthye në këngët që sot njihen nga të gjithë. Lidhja e tij me muzikën do të niste që në moshë të re, kur nisi të krijonte këngët e para, për t’u bërë më pas me zërin e tij të veçantë pjesë e pandarë e serenatave korçare. Mihallaq Andrea është cilësuar si këngëtari i dashurisë, i cili pavarësisht historisë së trishtë të jetës, pranon se është i bekuar, pasi gjithë jetën ka qenë i rrethuar nga njerëz që e kanë dashur në mënyrë të pakushtëzuar.

I pyetur nga moderatorja për momentin e parë se kur nisi të këndonte, ai u shpreh:

”Sigurisht që fillimet janë nostalgjike dhe gjithmonë është një ndjenjë që nis çdo gjë. Këngët e para sigurisht që kanë qenë me kolektiv shokësh, ku merrnim kitarën dhe këndonim me orë të tëra për vajzat”.

Edhe pse jeta e tij s’ka qenë e lehtë, për shkak të problemeve fizike, Mihallaqi ka ditur të veçohet dhe të njihet nga të gjithë për artin e tij. Mihallaq Andrea rrëfen lidhjen e ngushtë që ka me kitarën, studion e tij dhe padiskutim me librat që ka shkruar, një prej tyre autobiografik. Një rrëfim prekës në të cilin tregon dhe momentin më të vështirë të jetës së tij, ku pasi e hoqën nga puna, për 6 muaj ngarkoi dhe shkarkoi çimento, derisa në ‘79 nisin problemet me këmbët.

”Dhimbjet e këmbëve nisën si rezultat i ankthit dhe stresit që po kaloja” tha Mihallaqi, kohë më parë. Një kalvar i gjatë sfidash dhe një rrugëtim jete i vështirë, por dhe i bukur e i pandarë me pasionin e tij, muzikën.

Një tjetër moment që ndalet gjatë intervistës ishte dhe bashkëpunimi i lenë përgjysmë me Flori Mumajesin, pas këngës së parë shumë të suksesshme së bashku.

”Më njoftoi se do të vinte në Korçë që të realizonim një këngë të dytë bashkë, e cila ka nisur, është jashtëzakonisht e bukur, e shkruar nga vetë Flori, por ai ende nuk ka ardhur dhe unë vijoj t’a pres. I bëj thirrje këtij artisti të madh që të rikthehet në muzikë” u shpreh Mihallaq Andrea, duke premtuar se kënga e tyre e dytë do të jetë me siguri një hit i suksesshëm.

Gjatë bisedës, ai u përshëndet dhe me dy videomesazhe nga njerëzit e tij më të afërt të familjes, i biri, Kristi dhe mbesa Ema Andrea, aktorja e njohur nga të gjithë. I biri u shpreh se babai i tij është njeriu që vlerëson më shumë në botë dhe se e ka pikë orientimi në çdo gjë që bën në jetë, ndërsa pas mesazhit Mihallaqi tha se Kristi është çdo gjë që do donte një baba tek një djalë “Më ka bërë krenar padiskutim dhe më pëlqen teksa e shoh që dhe ai e ka qejf muzikën”.

Në videomesazhin e dytë, artistja Ema Andrea u shpreh se është me fat që ka xhaxha Mihallaqin dhe se kudo që shkon e tregon me krenari që është mbesa e Mihallaq Andreas. Pas mesazhit të Emës, Mihallaqi shprehet “E kam të pamundur të mos emocionohem tani, ne Andreat jemi qaramanë kur vjen puna tek gjërat e zemrës si familja apo muzika, pasi prekemi shpejt”. Forcë e padiskutueshme për Mihallaq Andrean është dhe bashkëshortja e tij, Irena dhe e bija, që prej shumë vitesh jeton në Itali dhe që për të janë një frymëzim./shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

HISTORIA E SERENATAVE KORÇARE…