Anne Frank dhe filmat e frymëzuar nga historia e saj

“Pavarësisht nga gjithçka, unë ende besoj se njerëzit në thelb janë të mirë… Dëshira ime më e madhe është të bëhem gazetare dhe më vonë një shkrimtare e famshme. Pas luftës, në çdo rast kam dëshirë të publikoj një libër me titull ‘Aneksi i Fshehtë’”/(Ditari i Ana Frankut).

Këto janë fjalët e Ana Frankut (Anne Frank), të shkruara në ditarin e gjetur nga Miep Gies (që kishte ndihmuar familjen Frank të fshihej në Amsterdam në strehën e tavanit, mbi një fabrikë erëzash). Ditari u botua nga babai, Otto Frank, kur ai u kthye si i mbijetuari i vetëm i familjes nga kampet e përqendrimit.

Më poshtë janë filmat kinematografikë dhe televizivë (sipas renditjes kronologjike të publikimit), që janë frymëzuar nga historia e saj dhe ditari i çmuar që Ana ia la njerëzimit, duke dëshmuar se çfarë do të thotë fjala çnjerëzim.

THE DIARY OF ANNE FRANK (1959)

Katërmbëdhjetë vjet pas vdekjes së Ana Frankut, me regji nga George Stevens, ky është filmi i parë që tregon historinë e saj në kinema. Bazohet në përshtatjen teatrale të ditarit.

Filmi hapet me Otto Frankun, i cili më 1945 kthehet nga kampi i shfarosjes ku u internua. I vetmi i mbijetuar i familjes së tij, kthehet në Amsterdam dhe shkon në tavan ku ishte fshehur me vajzat dhe gruan Edith. Pikërisht aty ai e gjen ditarin e së bijës, të cilin fillon ta lexojë dhe kujton momentin kur u fshehën. Nga fundi i filmit, kur anëtarët e familjes Frank kuptojë se janë zbuluar, ata presin në heshtje teksa trupat SS heq raftin që çon në strehën e tyre. Skena e arrestimit nuk tregohet, madje edhe tregimi i detarit përfundon me një re pluhuri të përzier me britmat e nazistëve. Filmi përfundon me Otton që rilexon ndoshta fjalinë më të famshme në ditar, sigurisht ndër më zemërthyerit pas mendimit: “Pavarësisht nga gjithçka, unë ende besoj se njerëzit në thelb janë të mirë”.

Ky film është prezantuar në Festivalin e 12 të Kanës, ndërsa ka fituar tri çmime Oscar.

ANNE NO NIKKI… (1978/1995)

“Anne no nikki: Anne Frank monogatari” është film me regji nga Eiji Okabe, i prodhuar nga Nippon Animation në vitin 1978. Historia është frymëzuar nga ditari i shkruar në vitet 1942-1944, gjatë jetës së saj klandestine të Anne Frankut. Në vitin 1995 u prodhua një tjetër animacion me regji nga Akinori Nagaoka, me titull “Anne no nikki”.

THE LAST SEVEN MONTHS OF ANNE FRANK (1988)

Është ky një dokumentar televiziv holandez me regji nga Willy Lindwer që kujton, siç thotë titulli, shatë muajt e fundit të jetës së Anës. Dhe, numri 7 është gjithashtu edhe numri i shtatë grave të intervistuara, të gjitha të burgosura me Anën në kampin transit Westerbork dhe në kampet e përqendrimit Auschwitz e Bergen-Belsen. Ato janë të fundit që kanë mundur ta shohin Anën të gjallë.

Ky dokumentar ka fituar një Emmy Award dhe intervistat e përfshira në të u botuan në vitin 1992 në librin me të njëjtin titull.

THE ATTIC – THE HIDING OF ANNE FRANK (1988)

Është ky një film televiziv i bazuar në librin e Miep Giesit, “Anne Frank Remembered”, me regji nga John Erman. Ky film e tregon historinë e Ana Frankut dhe të familjes së saj të fshehur derisa nuk zbulohen, arrestohen dhe më pas internohen.

ANNE FRANK REMEMBERED (1995)

Është ky një dokumentar britanik i vitit 1995, me regji nga Jon Blair, që merr çmimin Oscar për Dokumentarin më të Mirë. Dokumentari ka si narrator aktorin dhe regjisorin e famshëm Kenneth Branagh dhe shfaq aktoren Glenn Close duke lexuar fragmente nga ditari i Ana Frankut.

MI RICORDO ANNA FRANK (2010)

Me regji nga Alberto Negrin, është ky një film televiziv, subjekti i të cilit është bazuar në librin “Mbaj mend Ana Frankun” – refleksionet e një shoqeje të fëmijërisë nga Alison Lesle Gold. Filmi tregon për miqësinë e Hanneli Goslarit dhe Ana Frankut dhe momentin kur, pas përfundimit të luftës, shoqja më e mirë e Anës do të zbulojë se ajo nuk mbijetoi. Otto Frank do t’i tregojë asaj dhe do të bëhet babai birësues i Hannelit që do ta ndihmojë atë që të fillojë një jetë të re.

DAS TAGEBUCH DER ANNE FRANK (2016)

Është film me regji nga Hans Steinbichler në vitin 2016. Filmi është një përshtatje filmike e “Ditarit…” që tregon për vitet e Anës në Frankfurt, kur ishte një fëmijë i lumtur. Pastaj vazhdon me  tregimin në Amsterdam dhe jetën e fshehur, deri në vdekjen e saj në kampin e përqendrimit.

#ANNEFRANK. PARALLEL STORIES (2019)

Në realizmin me regji nga Sabina Fedeli e Anna Migotto, aktorja fituese e çmimit Oscar, Helen Mirren, gjurmon jetën e Anna Frankut përmes faqeve të ditarit të saj, duke rrëfyer paralelisht edhe jetën e pesë grave të cilat, kur ishin fëmijë dhe adoleshente, u dëbuan në kampe përqendrimi, por i mbijetuan Holokaustit./gazeta shqip


Lexo edhe:

KUSH E SPIUNOI ANNA FRANKUN? ZBULOHET PAS 77 VITESH