Si një nga promotorët e trashëgimisë sonë ndër vite, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, rikthen pas 3 dekadash turnetë në qytetet e Kosovës dhe Maqedonisë.
“E quajmë këtë një turne historik, sepse Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore për një kohë shumë të gjatë nuk ka qenë prezent, në një mënyrë të tillë në qytetet e ndryshme të Kosovës. Ndërsa tashmë kanë konceptuar diçka të bukur, diçka me vlerë që ka Ansambli ynë”, thotë Zana Çela, drejtore e TKOB.
Këngët e vallet më të bukura të traditës të të gjithë trevave tona, do të interpretohen nga artistë të dy brezave për 5 ditë me radhë në 5 qytete.
“E veçanta e këtij koncerti është pjesëmarrja e artistëve të rinj. Duhet ta theksoj këtë fakt, sepse një pjesë e artistëve që i janë bashkëngjitur Ansamblit tonë, vijnë edhe udhëtojnë për herë të parë në një aktivitet kaq të madh. Ata realisht do të prekin skenat e Kosovës, për herë të parë, dhe kjo është edhe një ngjarje e veçantë edhe për publikun kosovar”, thotë Sokol Marsi, drejtori artistik i Ansamblit.
“Atë çka ne do të dëshironim t’i paraqesim publikut në Kosovë, është që ne të jemi po ai ansambël që kemi qenë vite më përpara, aq më tepër që në këtë turne për herë të parë përfshihet Lugina e Preshevës. Dhe kjo na bën ne të marrim përgjegjësi për ato që do të shfaqim!”, thotë koreopetitori Genci Kastrati.
Pikënisja e këtij turneu artistik, që synon rizgjimin e vlerave të folklorit, nis në 25 prill në Prizren dhe e ul siparin në Shkup./shqiptarja.com
ObserverKult
Lexo edhe: