Ansambli instrumental “Siglo XX”, i drejtuar nga violinisti shqiptar Florian Vlashi ia ka kushtuar koncertin e fundit, personelit mjekësor dhe sakrificës së tyre në ndihmë të pacientëve gjatë muajve të COVID-19.
Spektatorët në Teatrin Colon të Korunjas munguan për shkak të masave të marra për shkak të pandemisë, por ata e ndoqën shfaqjen drejtpërdrejt në kanalin streaming YouTube të Orkestrës Simfonike të Galicisë, anëtarë të së cilës janë katër interpretët e koncertit.
Bashkë me Florian Vlashin, Raymond Arteaga (violë) dhe Ruslana Prokopenko (violonçel), peshën kryesore të koncertit e përballoi Steve Harriswanngler në fagot, i cili ishte interpreti kryesor në katër veprat e përzgjedhura të kompozitorëve Georg Wenzel Ritter dhe Francois Devienne.
“Është gjithçka e çuditshme, të luash në një teatër bosh, pa ndjerë praninë e publikut, por duhet të përshtatemi, – tha para koncertit violinisti Florian Vlashi, duke shtuar se, – kemi luajtur këto kohë “bashkë” virtualisht, por nuk ka gjë më të bukur të jemi në krah njëri-tjetrit për t’i dhënë jetë një partiture. Veprat që luajmë janë të shkëlqyera, duam të interpretojmë diçka që të transmetojë energji pozitive, për ne dhe për publikun”.
Shtypi spanjoll i kushtoi vëmendje të veçantë koncertit, ndërsa komentet e publikut pas koncertit në YouTube ishin mjaft të ndjera, transmeton ATSH.
Siç shkruan një nga dëgjueset “Shumë prekës ky dedikim për personelin sanitar, heronjtë e momentit. Urime dhe bekime muzikantëve, të cilët me artin e tyre po kontribuojnë që Drita të rikthehet në Planetin tonë”.
Ansambli “Shekulli XX” është themeluar në vitin 1996 nga violinisti Florian Vlashi, i cili prej afro 30 vitesh jeton dhe punon në Orkestrën Simfonike të Galicisë në La Coruna (Spanjë).