
Friedrich Nietzsche ishte një djalë i një pastori, por nuk u bë kurrë i dëlirë në shpirt. Që në moshë të re, ai dukej sikur nuk i përkiste dot asnjë komuniteti shpirtëror, akademik apo shoqëror.
Ishte përherë pak më përpara dhe për këtë arsye, gjithmonë i vetmuar. Ai nuk donte të shpallte një të vërtetë absolute. Ai donte ta trondiste mendjen njerëzore që ta kërkonte vetë të vërtetën. Nuk ishte filozof në kuptimin klasik. Shkrimi i tij nuk ngjante me traktate, me analiza të sistemuara. Ishte si një ortek idesh që vinin me gjuhën e një poeti të zemëruar dhe me nervin e një të sëmuri që nuk duronte më asgjë të rreme. Për një pjesë të madhe të jetës, vuajti nga migrena të tmerrshme, sëmundje neurologjike, ndjenja izolimi dhe refuzimi. Ai u bë profesor në Bazel që në moshën 24- vjeçare, por e la shumë shpejt. Akademia e mërziste. Dogma e lodhte. E vërteta kërkonte liri – dhe Nietzsche donte të ishte i lirë. Ishte i vetëm, pa pasuri, pa shëndet, shpesh pa miq. Por kishte libra, fletore, dhimbje dhe ide. Në librin “Lindja e tragjedisë” e nisi udhëtimin e tij me një pyetje të pazakontë: nga vjen forca e artit? Ai e gjeti te dualiteti Apollon–Dionis. Dionisi, perëndia e ekstazës dhe kaosit, ishte për të zemra e çdo krijimtarie të vërtetë. Nietzsche nuk e donte artin që i shërben qetësisë, por atë që trazon, që dhemb, që i flet instinktit.
Në “Shkenca gazmore”, ai shkroi ato që sot janë rreshtat më të cituar të filozofisë moderne: “Zoti ka vdekur”. Por Nietzsche nuk ishte ateist sipas mënyrës tradicionale. Ai nuk thoshte “Zoti s’ekziston” por “Ne e kemi vrarë Zotin”, ne, modernët, me mosbesimin, me shkencën, me boshësinë që kemi krijuar në vend të sakrificës. Dhe ai e dinte se pas kësaj vdekjeje, nuk do të vinte qetësia, por zbrazëtia, nihilizmi. Libri më i çuditshëm dhe më i guximshëm i tij mbetet “Kështu foli Zarathustra”. Nuk është filozofi, është poezi e përndezur. Zarathustra është figura që zbret nga mali, si një Moisi i ri, jo për të sjellë urdhra, por për të çliruar njerëzit nga moralet e trashëguara. “Mbinjeriu” që ai përmend nuk është një diktator, por një shpirt që e kapërcen veten. Ai nuk ndëshkon, nuk bind, nuk përulet ai afirmon jetën. Edhe kur ajo është e pashpjegueshme, edhe kur është e dhembshme.
Në “Përtej së mirës dhe së keqes”, Nietzsche kthehet si një kirurg i ftohtë. Ai analizon moralin jo si doktrinë, por si instinkt. Pse i mendojmë disa gjëra të mira dhe disa të këqija? Kush e ka vendosur këtë rend? Ai nuk besonte në moral universal. Çdo moral, për të, ishte një maskë mbi vullnetin për fuqi. Ai i sulmon filozofët që fshihen pas neutralitetit: nuk jeni të paanshëm, jeni të frikësuar. Në “Gjenealogjia e moralit”, ai shkon më thellë. Ai ndan moralin në dy degë: moralin e të fortëve dhe atë të të dobëtëve. I pari lind nga fuqia, krenaria, afirmimi i vetvetes. I dyti nga urrejtja, frika, nga ndjenja e viktimës që kthehet në normë. Sipas tij, krishterimi, por edhe ideologjitë moderne, kanë përjetësuar moralin e skllavit. Më pas vjen “Antikrishti”, libri më i drejtpërdrejtë i tij. Një manifest kundër fesë së institucionalizuar. Jo kundër Krishtit si figurë, por kundër Kishës që e shndërroi atë në simbol dobësie. Për Nietzsche-n, krishterimi ushqen ndjenjën e mëkatit, turpit, faji – kurse ai kërkonte një njeri që jeton pa faj, që guxon të jetë i lirë. Në “Ecce Homo”, ai bën një rishikim të vetes.
“Pse jam kaq i mençur?” pyet, me sarkazëm dhe trishtim. Ky libër është si një përshëndetje e fundit. Ai i sheh veprat e tij si predikime që nuk do të kuptohen tani. Dhe kishte të drejtë. Ai do të përfundojë në heshtje, në çmenduri, i harruar dhe i përçmuar nga shumë bashkëkohës. Por shekulli që pasoi nuk do të mund ta linte në harresë. Nietzsche u bë frymëzim për ekzistencialistët, për artistët e mëdhenj, për rebelët, por edhe u keqpërdor nga diktatorët dhe ideologjitë që e morën fjalën “mbinjeri” dhe e përdorën pa kuptuar zemrën që kishte pas saj. Ai nuk ishte njeri që adhuronte pushtetin, por fuqinë e brendshme. Sot, Nietzsche nuk ka humbur asgjë nga fuqia e tij tronditëse. Librat e tij nga Zarathustra te Antikrishti, nga Gjenealogjia te Shkenca gazmore nuk janë libra që lexohen për t’u qetësuar. Ato lexohen për të ndjerë se kush jemi në të vërtetë, për të parë në pasqyrë pa iluzione. Ai nuk kërkoi të na udhëzonte por të na zgjonte. Dhe në këtë mision, nuk ka dështuar kurrë.
ObserverKult
Lexo edhe:
Brumbujt hanë librat e vjetër/ Thesari i dijes rrezikon të shkatërrohet






