Anton Çehov hoqi dorë nga mjekësia dhe iu përkushtua letërsisë që e konsideronte “të dashur”

çehov

Anton Çehov, dramaturgu i madh rus, ishte me profesion mjek. Çehovi kreu studimet për mjekësi dhe e konsideronte mjekësinë me respekt të plotë.

“Mjekësia është gruaja ime e ligjshme”, ka thënë ai, ndërsa “letërsia është e dashura ime”. Por hoqi dorë nga mjekësia, kur gaboi një presje në përcaktimin e gramëve të një doze për mjekimin e një pacienti.

I hyri frika për pasojat që mund të sillte ky gabim i tij dhe menjëherë vrapoi në shtëpinë e pacientit, kur për fat akoma receta nuk ishte dërguar tek farmacisti.

Frika i hyri gjithashtu edhe kur në familjen e një të afërmi të tij, ku të gjithë pjesëtarët u sëmurën nga tifo dhe si pasojë vdiqën nëna dhe vajza e vogël.

Çehovi u dërrmua kaq shumë nga kjo gjë, saqë hoqi nga porta e shtëpisë emërtimin “mjek kirurg”. Qysh atëherë ai e braktisi profesionin e mjekut, për t’u bërë ai që njeh sot letërsia ruse dhe ajo botërore, një shkrimtar i madh.

Anton Pavlloviç Çehovi lindi në 29 janar të vitit 1860. Mbasi mbaroi shkollën greke të qytetit, Antosha hyri në gjimnaz me sakrifica të mëdha.

Gjimnazi, si gjithë shkollat e atëhershme jepte një kulturë të kufizuar dhe kishte mësues që i trembeshin çdo gjëje të re përparimtare.

Çehovi i ri, duke qenë i pakënaqur nga shkolla, fillon e jepet pas letërsisë dhe teatrit. Atë që s’ia jepte shkolla, ai e gjente nëpër librat dhe shfaqjet e teatrit të qytetit.

Pas gjimnazit shkoi në Moskë, ku hyri në universitet, në fakultetin e mjekësisë. Gjatë viteve universitare Çehovi filloi veprimtarinë letrare, duke botuar shkrimet e tij të para. Gjatë kohëve të studimit, që zgjatën 7 vjet, ai botoi 4 libra me tregime, duke u nderuar edhe me çmimin “Pushkin”.

Profesioni asnjëherë nuk e pengoi Çehovin në punën letrare, përkundrazi e ndihmoi për të njohur njerëzit dhe jetën nga afër.

Çehovi është nga mjeshtrit më të mëdhenj të prozës. Ai i ka të rrallë shokët në letërsinë e përbotshme. Novelat më të mira janë kryevepra të kësaj gjinie. Novelat dhe tregimet e Çehovit dallohen për shumë anë origjinale.

Çehovi, si mjeshtër i madh formuloi “ligjet” e tregimit. Ai kërkonte që shkrimtarët të shkruajnë shkurt e thjeshtë.

Karriera e tij përfshin dhe katër drama të rëndësishme, si : “Xhaxha Vanja”, “Tre motrat”, “Kopshti i qershive” dhe “Pulëbardha”.

Çehovi hoqi dorë nga teatri pas dështimit të dramës “Pulëbardha” në vitin 1896, por vepra u rivu në skenë në 1898 nga Teatri i Moskës, duke bërë një bujë të vërtetë./Konica.al

ObserverKult


Lexo edhe:

ÇFARË ËSHTË PUSHKA E ÇEHOVIT?

Pushka e Çehovit’ është një koncept që përshkruan se çdo element në një rrëfenjë duhet të kontribuojë te e tëra.

Termi vjen nga këshilla e famshme e Anton Çehovit. ‘Nëse në aktin e parë të një drame ti ke varur një pushkë në mur, atëherë në aktin tjetër pushka do të duhet të shkrepet. Nëse nuk shkrepet, nuk ka pse të jetë e varur në mur.’

Kjo ka kuptim të dyfishtë. Nga njëra anë, theksi vihet te fakti se çdo element në një vepër duhet të jetë në funksion të narracionit.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult