Dekorohet! Pushkatohet!

Kujto.al vazhdon të sjellë historitë e viktimave që u pushkatuan rreth 71 vjet më parë me pretekstin e bombës në ambasadën sovjetike. 

Anton Delhysa ishte një teknik ndërtimi që kishte mbaruar me rezultate të larta shkollën e Harry Fultz-it dhe ishte dekoruar me disa medalje për punët e tij, përfshirë godinën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, por në shkurtin e vitit 1951, u dënua me pushkatim.

Ishte ish-shoku i shkollës së mesme, që tani ishte bërë ministër i Brendshëm, që vendosi pushkatimin e tij

Është pështjelluese sesi dy njerëz u shfaqën në jetën 47-vjeçare të Antonit në çaste të ndryshme, në mënyrën më kontradiktore të mundshme. Njëri firmosi formalisht dekoratat dhe pushkatimin e tij.

Tjetri, nga nxënësi të cilit nuk i mbetej veçse ta vlerësonte djalin e shkëlqyer të një viti më lart, u bë njeriu që vendosi për pushkatimin e tij. I pari ishte Omer Nishani, Presidenti i Republikës Popullore të Shqipërisë.

Tjetri ishte Mehmet Shehu, fillimisht bashkënxënës me Anton Delhysën në Shkollën e Fultz-it dhe më pas njeriu që do të vendoste pushkatimin e tij në shkurt të vitit 1951.

Antoni ishte lindur në Prizren. Shkollën fillore e kishte kryer në Graz të Austrisë. Më pas ishte kthyer në vendlindje, por për shkak të represionit serb, në vitin 1918, ishte vendosur në Shqipëri, ku kishte marrë dhe familjen: nënën, vëllezërit dhe motrën.

Kishte studiuar në shkollën teknike të Fultz-it, ku ishte dalluar për rezultatet e larta, por edhe për kulturën e gjerë dhe katër gjuhët e huaja.

Pas mbarimit të shkollës, ai drejtoi punimet për ngritjen e disa ndërtesave të rëndësishme, por në shkurt të vitit 1951, u arrestua papritur, me pretekstin e bombës në Ambasadën Sovjetike, që, siç është provuar tashmë, nuk kishte të bënte aspak as me të dhe as me 21 të pushkatuarit e tjerë, pas atij incidenti.

Ai ishte përcaktuar për t’u arrestuar që në fillim të shkurtit duke iu shënuar emri në listat e drejtorive të Sigurimit të Shtetit dhe ishte pikërisht shoku i tij i shkollës, tashmë ministër i Brendshëm.

Ishte ky që vuri kryqin e pushkatimit përbri emrit të tij, një kryq që do i mungonte besimtarit të devotshëm mbi varr sepse ai u gropos me 21 persona të tjera në një gropë të cekët, të përbashkët, në vendin e pushkatimit, në Mënik të Tiranës dhe mbeti aty për 50 vjet.

Por Mehmet Shehu nuk u mjaftua vetëm me shënimet vrastare të prapaskenës që zëvendësuan çdo gjykim dhe shkelën çdo ligj.

Njeriu i kujtimeve të rinisë së hershme iu shfaq Anton Delhysës edhe në orët e fundit të jetës, kur shkoi në burgun e Tiranës dhe kërcënoi frikshëm të arrestuarit e atyre ditëve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te ish-shoku i tij i shkollës: “Akoma gjallë qenke, zoti Anton?!”.

Anton Delhysa me gruan e pare, Karolinen e cila nderroi jete ne vitin 1938, duke lene pas nje vajze, Antoneten. Antoni u martua me pas me Xhulianen me te cilen pati tre femije

Mehmet Shehu e dinte që Antoni do të ishte gjallë vetëm për disa orë, e kishte vendosur vetë pushkatimin e tij.

Ajo që nuk dihet është arsyeja përse ky njeri që nuk ishte përfshirë kurrë në politikë, u pushkatua. Në librin e tij “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, nga janë marrë të dhënat e këtij shkrimi, historiani Uran Butka sjell interpretimin e tij për pushkatimin e Anton Delhysës.

Sipas tij, janë katër arsyet që mund të kenë çuar në eliminimin e teknikut: e para që ishte nga Kosova dhe kosovarët shiheshin me dyshim nga regjimi komunist.

E dyta se kishte kryer Shkollën Amerikane të Fultz-it dhe shumë nga ata që kishin mbaruar këtë shkollë, u burgosën dhe u pushkatuan. E treta sepse ai kishte drejtuar punimet për ndërtimin e kombinatit të sheqerit në Maliq dhe inxhinierët e teknikët që thanë kënetën e Maliqit dhe ndërtuan kombinatin e sheqerit aty, u pushkatuan si agjentë anglo-amerikanë dhe së fundmi, sepse Antoni kishte ndërtuar në kohën e Zogut Shkollën Amerikane në Golem, Shkollën Teknike të Fultz-it dhe Ambasadën e SHBA në Tiranë, vepra që e bënin atë të shihej si agjent amerikan nga komunistët.

Godina e Ambasedes Amerikane

Ca kohë më parë, kontributi i tij në ndërtimin e këtyre veprave, ishte vlerësuar në dekorata si “kontribut i vlefshëm gjatë periodës së ndërtimit, në ngritjen dhe lumturinë e Atdheut dhe të popullit shqiptar”.

Kishte marrë katër medalje pune të Kuvendit Popullor dhe disa vlerësime nga ndërmarrjet e ndërtimit, që me përmbajtjen e tyre e bëjnë edhe më të pabesueshme përmbysjen e  ndodhur në shkurt të 1951-shit, kur ai do të akuzohej “për krime kundër shtetit dhe kundër popullit”.

U akuzua si agjent amerikan dhe si terrorist. Nuk pranoi asgjë nga këto sepse asgjë nuk ishte e vërtetë. “Nuk kam marrë pjesë dhe nuk kam kryer asnjë akt terrorist…Akuzën nuk e pranoj…

Në shkollën teknike kam qenë, por nuk kam marrë pjesë në ndonjë kurs spiunazhi…”, janë fjalët e tij të ruajtura në procesverbale dhe të publikuara në librin e studiuesit Uran Butka.

Megjithatë vendimi ishte marrë tashmë.

Ai ishte dënuar, pa gjyq, me pushkatim. Profesionalizmi, përkushtimi, kultura, humanizmi, aftësitë dhe virtytet e tij nuk bënë t’i dridhej dora askujt në marrjen dhe çuarjen në fund të këtij vendimi.

Ishte shumë e thjeshtë për duart vepruese të diktaturës t’u vinin kryq këtyre vlerave dhe njeriut që i mbartte.

Në librin “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, historiani Uran Butka sjell kujtimet e inxhinierit Irfan Tërshana për Anton Delhysën, që i zgjerojnë edhe më dimensionet e tij. Irfan Tërshana kujton që kur po hapeshin themelet e godinës së Ambasadës Amerikane, asaj që ekziston edhe sot në Tiranë, ndërhyrja e Antonit i kishte shpëtuar jetën atij dhe grupit të punëtorëve. Antoni kishte vënë re mungesën e dërrasave mbështetëse në anët e themeleve dhe i kishte nxjerrë jashtë menjëherë.

Vetëm pak mintua më vonë dheu ishte shembur.

Foto e vjeter gjate ndertimit te godines se Ambasades Amerikane ne Tirane ne vitin 1929

Të njëjtin përkushtim kishte pasur për çdo vepër që i ishte besuar. Pas atyre të ndërtuara në kohën e Mbretërisë, ai punoi ca kohë në Bashkinë  e Tiranës dhe më pas, gjatë pushtimit italian dhe gjerman, si teknik ndërtimi në kadastër.

Me vendosjen e regjimit komunist mbeti ca kohë pa punë, por nuk do të kalonte shumë kohë dhe aftësitë e tij do të nevojiteshin në ndërtimin e kombinatit të sheqerit në Maliq, në spitalin e Gjirokastrës, në fabrikat e tullave të Vlorës dhe Fierit, deri dhe të një depoje drithi në Roskovec, ku u internua pas disa vitesh familja e tij.

Dhe pastaj: ndal! Sigurimi kishte vendosur që ai duhej të pushkatohej. Vendimi u ekzekutua mesnatën e 26 shkurtit.

Familja do ta mësonte vetëm disa ditë më vonë pushkatimin e tij, kur do të mësonte dhe internimin e saj. E bija, Antoneta Delhysa, nuk mund ta harrojë atë ditë.

Ishte 1 mars. Pas dy ditësh, te porta ndaloi kamioni që do t’i çonte drejt vendit të internimit, ku kishin hipur më parë dhe familjet e Manush Peshkëpisë, Lluka Rashkoviçit, Fadil Dizdarit, të pushkatuar me Anton Delhysën.

 Vetëm një qilim mundën të merrnin nga gjithë plaçkat që u vulosën dhe u sekuestruan, për të mos iu kthyer më kurrë familjes Delhysa. Fillimisht ndaluan në Berat dhe më pas i çuan në vendin e tyre të internimit, në Roskovec. 

Në mbrëmje, i futën në një depo grumbullimi, pa dritare dhe pa derë, rolin e së cilës do e luante një perde që polici e hapte sa herë donte t’i kontrollonte. I vetmi që i vizitonte. Fshatarët e zonës i shihnin me frikë.

Kjo i priste tashmë: një jetë e vështirë, e survejuar, e izoluar, me barrën e rëndë të drithit në shpinë dhe etiketimin armik.

Të gjitha këto tronditje dhe vështirësi do të rëndonin shëndetin e bashkëshortes së Antonit, Xhulianës dhe lutje pas lutjesh, familjen e hoqën nga Roskoveci dhe e çuan në Kavajë.

Survejimi vazhdoi edhe atje. Madje që kjo të realizohej sa më lehtë, i vendosën në një dhomë ngjitur me policinë.

Për diçka ishin bindur tashmë, siç thotë Antoneta Delhysa: atë terror, familja nuk e kishte përjetuar as nga serbi dhe as kur kishin ikur nga Prizreni për në Shqipëri.

Diktatura komuniste e kishte shkelur premtimin e kësaj toke./kujto.al

——————————————-

Lexo edhe:

RRËQETHËSE: KUR U ARRATIS BABAI, NËNËN E INTERNUAN NË PLUG… PAS 12 VITESH KUR SHKUAM TA TAKONIM, PYETA NJË GRUA NË ARË, PA E DITUR SE AJO ISHTE NËNA IME…

Enver Lepenica lindi në fshatin Lepenicë të Vlorës, në vitin 1944. Ai vjen nga një familje me tradita atdhetare dhe e persekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, si nga nëna ashtu dhe nga babai.

Ai është lauruar në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës me rezultate shumë të larta. Ka botuar dhe vazhdon të botojë në organet e shtypit shumë artikuj të karakterit ekonomik, historik dhe të problemeve shoqërore.

ObserverKult