Anton Marku: Do të doja që letërsia të jetë autobiografia ime

Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Anton Marku.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Abetaren e parë e kam marrë dhuratë që në moshën katërvjeçare. Para se të shkoja në klasën e parë tashmë i dija shkronjat dhe kisha nisur të lexoja, sidomos letërsi për fëmijë, që në atë kohë botohej në formë të librave të ilustruar. Pak vite më pas mësuesi na dha për detyrë që të lexonim romanin “Aventurat e Tom Sojerit” nga Mark Twain. Duke qenë se ky roman ishte bërë edhe film, në mendjen time kishte nisur një ndjenjë e cila ishte shumë e lidhur me fjalën e shkruar dhe e cila më vonë do të bëhet pjesë e pandashme e rrugëtimit tim jetësor.  

Kur ratë në “grackën” e saj?

-Vargjet e para, dhe atë kushtuar nënës, i kam shkruar në vitin e fundit të shkollës fillore, e të cilat janë botuar në gazetën e murit. Kjo vjershë i kushtohej njeriut më të shenjtë në jetën time, asaj që më deshi edhe pa më parë, sytë e së cilës u bënë dritë e syve të mi, emrin e së cilës e kam thirrur ende pa folur tamam, dora e së cilës qëndroi gjithmonë mbi kokën time. Nuk kishte si te ishte ndryshe duke qenë se edhe më pas, përgjatë viteve që do të pasojnë, ky emocion mbeti po aq i madh dhe më përcjellë deri më sot. Më vonë, në shkollën e mesme, do të nis të shkruaj për dashurinë. Ajo do të më bindë se përfundimisht fati im do të mbetet ngushtë i lidhur me letërsinë duke bërë që t’i vetëdorëzohem asaj. Dhe asnjëherë nuk jam penduar për këtë.

Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Botimi i librit të parë me titull “Cikloni i dashurisë”, e që në fakt ishte përmbledhje lirikash me bashkautor mikun tim, poetin gjakovar Ymer Rama, më ka bërë të mendoj se tani mbase do të mund ta quaj veten së paku vjershëtor me pretendim për t’u bërë poet. Si shkrimtar kam nisur ta konsideroj veten në kohën kur, pos në poezi, jam sprovuar edhe në prozë të shkurtër, e që sipas kritikës, kjo ka qenë më shumë se sa vetëm një sprovë letrare. Plotësimit të këtij cikli i ka kontribuar edhe anëtarësimi im në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës dhe të Austrisë, e sidomos angazhimi im në PEN Qendrën e Austrisë. Gjithë kësaj duhet shtuar edhe vlerësimet në konkurset letrare dhe përkthimi i veprave të mia në gjuhë të huaja.

A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Mbase me qindra herë jam marrë me pyetjen se pse në të vërtetë shkruaj dhe po aq herë kam marrë përgjigje afirmative. Ato mund të përmblidhen në formulimin: Shkruaj që të lë gjurmë, që pas meje të lë një vijë më tepër, sado e hollë që të mund të jetë ajo. E në të gjithë këtë që bëj tentoj që të jem sa më origjinal dhe autentik. Është e mahnitshme se si përmes fjalëve krijohen imazhe, fotografi që mund të ndryshojnë fatet e njerëzve. Motoja ime mbetet ajo që thotë se secili prej nesh ka një tregim për të rrëfyer.

Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

-Konsideroj se secili që shkruan disponon me diçka të veçantë, qoftë nga temat që trajton, stili, forma apo struktura e tekstit. Unë kam shumë respekt për fjalën dhe jam tepër kursimtar me të, pra shkruaj shkurt. Do të doja që tekstet e mia të pëlqehen dhe mbahen mend nga lexuesit. Vetëm atëherë ndjehem i plotësuar. Për këtë arsye përpiqem që vargjet e mia të kenë ritëm, elegancë dhe mesazh. Temat të cilat më ngacmojnë janë besimi dhe mohimi, shpresa dhe frika, lumturia dhe vuajtja. Më pak se për të kaluarën apo të ardhmen unë shkruaj me pasion për të tashmen, për ardhjet dhe shkuarjet, për ikjen dhe kthimin.

Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Kam besuar në ato që kam thënë dhe shkruar andaj i kam fuqizuar mendimet duke i veshur me art si fjalë e që kanë pasur për qëllim të dëshmojnë se jeta është bukur, se ajo duhet jetuar çdo ditë, se Perëndia, Nëna dhe Dashuria duhet shkruar gjithmonë me shkronjë të madhe, se vdekja është diçka e pashmangshme por që ky fakt nuk duhet të na frikësojë por përkundrazi, të gjejmë në çdo rast, në çdo njeri, në çdo vend e rrethanë një motiv më tepër që botën pas nesh ta lëmë më paqësore dhe më humane se sa që e kemi gjetur.

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Pa thënë është ajo që ende nuk ka lindur në mua, ajo që pret ta them në vitet dhe dekadat në vazhdim pasi që jam i bindur se ende kam shumë për të ndarë më njerëzimin. Mendoj se tanimë kam arritur në kohën e një pjekurie krijuese dhe nuk e kam ndërmend të ngutem me botimet e radhës. Do të publikoj vetëm atëherë kur do të jem i sigurt se libri tjetër do të jetë më i mirë sa ai para tij. Mbase në një të ardhme të afërt mund të ndodhë që të kultivoj më shumë se sa deri më tani poezinë politike si instrument të rezistencës ndaj fenomeneve me karakter global të cilat e kanë bërë planetin tonë më të vogël se sa është ndërsa kanë rritur distancën mes njerëzve.  

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

-Besoj se talenti është cilësi e dhuruar nga qielli në të cilën ne nuk kemi ndikim ndërsa suksesi përmes punës dhuratë e fituar dhe e merituar. Të shkruash bukur është mjeshtëri e llojit të vet. Të bësh art është edhe më shumë se kaq. Ata që e bëjnë këtë krijojnë vepra të mëdha që i rezistojnë kohës. Sidoqoftë, mendoj se puna jep gjithmonë frute dhe ajo është themeli për të ecur përpara.

Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Njeriu zakonisht mendon një herë kur flet ndërsa dy herë kur shkruan. Të shkruash është proces mendor po aq sa dhe te flasësh, nëse jo edhe më kompleks. Ai është së pari dialog me vetveten e pastaj komunikim me të tjerët. Shkrimi bazohet kryesisht në imagjinatë por edhe në realitetin e përditshëm. Unë jam më i rregullt në lexim sesa në shkrim edhe pse me mua gjithmonë bashkudhëtojnë lapsi dhe një fletë e bardhë. Poezia vjen kur do ajo, jo kur duam ne dhe del nga zemra, jo nga dora. Nganjëherë kam përshtypjen se disa poezi më vijnë nga vetvetiu ndërsa unë vetëm i vendos në letër.

Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Sot është vështire të jetohet vetëm nga shkrimi. Por, unë jetoj për të shkruar dhe çfarëdo tjetër të kisha bërë në jetë, prapë do të shkruaja sepse ajo është pjesë e zhvillimit dhe identitetit tim si njeri. Edhe pse letërsia vazhdon të mos jetë art i masave ajo mbetet për mua frymëmarrje dhe liri ashtu siç është frymëzimi një hapësirë pa fund. Do të doja që letërsia të jetë autobiografia ime.

ObserverKult


Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA ANTON MARKU: NGJYRA E FATIT