Anton Pashku: Qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë…

anton pashku vasha deshta

Anton Pashku lindi më 8 janar 1937 në Grazhdanik, një fshat afër Prizrenit dhe vdiq më 31 tetor 1995 në Prishtinë.

Pashku punoi gjatë jetës së tij në gazetën “Rilindja”, duke filluar si gazetar dhe më pas u bë redaktor i rubrikës së kulturës në këtë gazetë. Në 20 vitet e fundit, ai u bë redaktor tek shtëpia botuese “Rilindja”.

Në vitin 1955, ai filloi të botonte shkrimet letrare, ku në tregimet e tij dallohen tri qarqe themelore tematike: Ai i temës së dashurisë, i vetmisë, së kërkuar dhe të kushtëzuar nga një totalitarizëm dhe qarku tematik, për dhunën mbi individin.

Në vazhdim mund ta lexoni njëri nga tregimet e tij më të mira “Kitara”:

Nga Anton Pashku

Zemra ime vallëzon vetëm atëherë kur dëgjon titrimin e telave të kitarës. Vetëm shpatat e zërit të saj mund ta copëtojnë brengën dhe t’ua falin flatrave të harresës. Po, vetëm kitara, kjo kitarë që rri përpara meje e varur aty në mur, mundet.

Edhe pse tash vrik jam mësuar të luaj me telat e saj, kitara ime lëshon zëra që, duke u ngatërruar ndërmjet vete, krijojnë jone, për mua shumë të hareshme. Vetëm për mua! Them vetëm për mua, sepse tingujt e saj janë shumë të çuditshëm. Nuk mund t’i kuptojë, ose nuk do t’i kuptojë, gjithkush: qajnë kur duhet të gëzohen, gëzohen kur duhet të qajnë.

Si tash më kujtohet vaji i vashës, që m’u lut t’ia këndoj një këngë. Pranova. Mora kitaren në duar. U ula pranë dritares, duke shikuar në qiellin e natës, i cili, nëpër dritaren time, dukej katërkëndësh me fillim, por pa fund. Pëlqeva telat dhe gishtat e mi zunë të luajnë nëpër to. Tingujt e kitarës përcillnin fjalët e këngës për Hënën e dashuruar në një yll që tradhtoi Diellin, i cili, zemëruar pamasë, shkreu që ta shëmtojë përgjithmonë fytyrën e Pabesës.

– Pse t´u mbush mendja ta këndosh këtë këngë?-pyeti ajo dhe sytë ia mbytën bulzat e lotëve që i gufonin pajada.

Rrudha krahët. Rrudha edhe ballin. Nuk dita ç’t’i them. Dita, por diçka më lidhi në fyt.

– Po pse, pse po loton?-dëgjova pyetjen mbasi doli prej gojës sime.
– Si… pse?!-tha ajo, duke u munduar për t’i ndalë lotët, që i rridhnin nëpër faqe.
– Si, të lutem, si ka mundur Dielli të bëhet aq mizor…
– Mizor?!
– Po, po!-tha ajo -Si ka mundur të bëhet aq mizor ndaj Hënës, e cila për çdo mbrëmje del për ta stolisur lumin tonë me shtyllën e artë të rrezeve të veta?
– Shtylla e artë e Hënës?
– S’është e Hënës.
– Po e kujt është?
– Fol sa të duash, por ti s’je duke prekur telin e solit?
– Unë?
– Ti, pra. Të Pabesës…- thashë dhe u ndala. Mendimin, që desha t’ia them asaj, e përtypa në heshtje.
Më shikonte. Pesha e shikimit të saj, që më kaploi, ishte tepër e rëndë. Ishte e rëndë sa s’bëhet.
– Mirë, mirë!- thashë.

Preka telat e kitarës sime. U krijuan tinguj që s’kishin lidhje me njëri tjetrin.

– A di çka,-tha ajo,- ta lëmë Hënën.
– Ta lëmë, nëse na lë.
– Mos u tall!
– Nuk po tallem.
– Atëherë, pra, jipja këngës për sumllën e djersës!
– Për sumllën e djersës, pa të cilën nuk mbin as therra për gardhiqe?
– Po, ke të drejtë.
– S’dua!
– Pse?
– S’dua t’ia them asaj kënge, sepse është e dhimbshme.
– Ani që është e dhimbshme, ani.
– Por ti s’e merr vesh!
– Si nuk e marr vesh!- tha ajo.- Vëllaut tim të vogël ia shoh sumllën e djersës sa herë që mundohet ta gënjejë nënën…
– Eh…- thashë unë.

Një e qeshur, për mua fare e pakuptimtë, shpërtheu në gojën e saj. Ishte aq therrëse dhe e padurueshme, sa mua më hypi gjaku në krye.

Shikova nëpër dritare: m’u duk se një yll kishte zbritur dhe tashti ishte mu përpara syve të mi. Çova dorën dhe mora hov: desha ta thej kitarën në njërën këmbë të atij ylli. Por, sjellja shkoi kot: ylli ishte larg, atje lart duke hequr valle me shokët e vet.

– Ha, ha,ha!-dëgjohej e qeshura e saj.

Mora kitaren. Drodha një tel. I thashë:
– Për ty, për lëkurën tënde pa asnjë pore!

Ndali të qeshurit. Më shikoi me ballë të mrrolur. Drodha të gjashtë tela e i thashë:
– Për ty, për ty që m’je tingull i pazëshëm!
– Paska tinguj të pazëshëm?
– Ja, paska!

Brofi në këmbë. Bëri një hap dhe u ndal përpara meje.

– Shiko veten, o i mjerë!- tha ajo.
– O gjuetar i ëndrrave, a s’po sheh se je krejt lakuriq!
– Unë?

-Ti, ti… A s’po sheh se ke mbetur lakuriq?… A s’po sheh se kitara të solli në këtë ditë të zezë?… Hidhe atë kitarë e mos rri kështu lakuriq, se do të bëhesh gazi i botës…
Zonjusha Vulë lëvizi vendit. Megjithatë, shtrëngova kitarën. Kitara u dalldis. Kurse ajo u mrrol edhe më shumë. Dikur fluturoi jashtë, duke mbyllur derën me forcë.
Mbeta vetëm unë, kitara dhe tingujt e saj magjikë që përpiqeshin për ta zhdavaritur rrapëllimën e derës së mbyllur…

Shkurt, 1957

*Titulli origjinal: “KITARA

E përgatiti: U.V.- ObserverKult

——————————–

Lexo edhe:

ANILA TOTO: NË KËTË QYTET MUNGON TI