“Gjuha shqipe dhe identiteti i saj” nga Diana Jup Kastrati
Me përgëzimet e falenderimet për organizatorët e kësaj tryeze, nuk do ta shihja të tepruar të thoshja se rëndësia e çështjes për të cilën do të flitet, kapërcen çdo pengesë a ndarje e secilës formë qoftë, paqton e vë bashkë në një radhë të gjithë, qytetarë, politikanë e studiues.
Binomi gjuhë – identitet, përbën ndoshta një nga pikat më të diskutuara në nivel ndërkombëtar veçanërisht në frymën e globalizimit, por po aq në nivel kombëtar, midis nesh, ku tubime edhe të kësaj natyre janë një ftesë e fuqishme për të bërë një shqyrtim të ndërgjegjes tonë, por gjithmonë përmes kritereve rigorozisht shkencore, përmes syzeve të fakteve historike, kërkimeve objektive, larg çdo fryme populliste.
Nëse pyetjes “kush jam unë” i shkon përkrah pyetja tjetër “cilët jemi ne”, na vë përballë dy dimensioneve të ngërthyera njëra me tjetrën që janë përkatësisht identiteti individual e ai kolektiv.
Secila qenie njerëzore e formëzon “veten” e vet në brendësi të një shoqërie e kulture specifike, por pika më komplekse mbërrihet tek pyetja e dytë: cilët jemi ne shqiptarët,evropianë, bij të shoqërisë perëndimore, lindore?
Shkurt, ku konsiston identiteti ynë? Termi identitet, në zanafillë nga greqishtja e vjetër por i rimarrë në latinishten e vonë nga idem (dmth “i njëjti”), identitas shfaqet në fakt në shekullin IV dhe i përket plotësisht sferës së shenjtërisë, fesë, teologjisë; a ishte Krishti i të njëjtës substancë me Atin e Shenjtë?
Mbase Ciceroni e Seneka nuk do ta kishin kuptuar domethënien e një pyetjeje të tillë mbi identitetin e tyre romak.
Qe filozofi gjerman Johann Herder që në gjysmën e dytë të Shtatëqindshit shkroi se gjeniu i gjuhës është edhe gjeniu i kombit.
Kjo shprehje e tij u shndërrua në leitmotivin e lëvizjeve indipendentiste e nacionale të kohës, u bë ngjitësja për herë të parë e dy koncepteve, gjuhë dhe identitet.
Është jashtë çdo diskutimi që në amzat identitare që shërbyen për të legjitimuar kombet që po lindnin, gjuha ishte një nga faktorët më të qenësishëm e rëndësishëm. E në fakt, kultorët e historisë klasike e njohin mirë lidhjen midis nation – të lindësh bashkë – dhe të krijosh një komunitet të përbashkët që shkon baraz kjo e fundit me: të flasësh të njëjtën gjuhë.
Gjuha shqipe në një rrugëtim të lashtë të sajin, mbart gjurmët që e shenjuan, por mbi të gjitha mbart e sendërton konstitucionin mendor e shpirtëror të kombit tonë.
Përtej shkollave të mendimit mbi bashkëlidhjen e ndërsjellë gjuhë e identitet, të cilat kanë patur dhe kanë këndvështrime të ndryshme, mbi të gjitha mjafton mendimi i sociologut të spikatur të kohëve tona, Zygmund Bauer, i cili identitetet i sheh të lëngshme, gjuha qëndron si gur miliar e përbashkues i një komuniteti, edhe i kombit shqiptar.
E shenjuar nga kërcënimet reale në historinë e saj, madje deri aty ku mund të mendohej se mund të zhdukej, ka shfaqur një rezistencë e reziliencë unike. Por nuk është thjesht gjuha që qëndron e tillë. Janë folësit e saj, ose më mirë të themi, është vullneti i tyre që mban, forcon e pasuron një gjuhë.
E ky vullnet shekullor e ka shpërfaqur veten rregullisht. Nëse jemi këtu sot për të folur a kremtuar edhe vitin e gjuhës shqipe, një nismë ngazëllyese për mua, është falë vulllnetit të ndërgjegjshëm të disa të përndriturve të historisë sonë.
Por na duhet të kuptojmë që ndërgjegjësimi për vlerën e paçmueshme të gjuhës amtare, nuk vjen as përmes retorikave boshe, as përmes fryrjeve të një lashtësie të saj. Më së pari qëndron në trajtimin e saj me respekt sublim.
Sublimiteti presupozon kategoriken, hyjnoren, mbase? Po, i tillë duhet të jetë. Kjo presupozon rikthimin e prestigjit të saj, duke filluar nga vendosja në mënyrë kategorike e kësaj disipline në bazën e çdo shkolle, duke vazhduar në masat e marra ndaj ruajtjes së saj e duke vijuar me përgjegjësinë e secilit institucion publik. Matrica e shqipes i përket traditës të të diturve, nga Buzuku, Budi e Bogdani.
Përbashkim e diversitet, një binom që bashkë me historinë e saj mund t’i sjellë vërtetë dicka të rendësishme Evropës, sepse i njëjti parim është vendosur edhe në themelet e ekzistencës së saj. Dy dialektet tona nuk paraqesin një ndarje kaq të fortë që të arrijë në moskuptim.
Tek këto të fundit qëndron edhe plazmimi i gjeneratave të tëra, rreth këtyre gjuhëve (sepse dialekti është gjuhë) është ndërtuar edhe mendimi kombëtar.
Ndaj me përkujdesjen më të madhe, të ruajmë xhevahiret e gjuhës që janë dialektet, të folmet lokale, por duke mbajtur parasysh që prestigji i një gjuhe qëndron tek gjuha e normëzuar, gjuha letrare. Dialektet mbartin vlerën e pazëvendësueshme të thelbit të shqiptarëve, por nuk janë të “stërvitura” të debatojnë mbi tema të mëdha, as mbi Hegelin – thotë Umberto Eco.
Gjuha është një organizëm i çuditshëm që i bindet ligjeve të veta, pavarësisht vullnetit të atij që e flet. Nëse çështja e shqipes rishtrohet me murmurima, apo me zëra edhe inkompetentë nga ana e popullit, do të thotë që ky zë duhet marrë në konsideratë. Nuk kemi as pse trembemi, por as nuk mund të kultivojmë idolatrinë ndaj lashtësisë apo jo, e as ndaj të kaluarës duke e idealizuar atë.
Motivet e krenarisë tonë e të besimit për gjallërinë e rezistencën e saj, mund vetëm t’i konkretizojmë me impenjimin serioz për të përfunduar atë çka ka mbetur pa u bërë.
Uniteti është imperativi. Serioziteti po aq. Serioziteti i bashkuar me ndërgjegjësimin e secilit qytetar të thjeshtë e aq më shumë institucion, sepse vetëm kështu mund të vetëdijësohemi për fatin e lumë që kemi patur.
E në këto raste, më lejoni, unë gjej përgjigjen, frymëzimin e motivimin tek vargjet e Mjedës në poezinë “Gjuha shqype”, kushtuar albanologut Gustav Meyer (Krakov 1892).
Por gazmô nder gjith kto t’vshtira
Persè endè s’ sharrove krejt’
Diçka t’mbet nder ato t’mira
Mbas dy mij e ma shumë vjet.
T’ka mbet giuha qi po ndihet
N’fush e n’mal qi i zotnon;
Gjith’ku hija e jote shtrihet
Kû shqyptari zân e lëshon./gazetatema.net
*Fjalë e mbajtur përpara kryesisë së Kuvendit Popullor të Shqipërisë me rastin e “Vitit të gjuhës shqipe”
ObserverKult
Lexo edhe:
NDRE MJEDA: VEÇ PER TÝ M’RREH ZÊMRA E MJERA, E PREJ MÁLLIT DERDHI LOT
Permbi zâ qi lëshon bylbyli
Giûha shqype m’shungullon;
Permbi érë qi nep zymyli
Pá da zêmren m’a ngushllon.
Nder kómb’ tjerë, nder dhéna tjera
Kû e shkoj jeten tesh sá mot,
Veç per tý m’rreh zêmra e mjera,
E prej mállit derdhi lot.
Njikto giuhë qi jam tui ndie
Janë të bukra me temel;
Por prep këjo, si diell pá hije,
Per mue t’ tanave ju del.
Edhè zogu kerkon lisin
Mbî shpië t’artë ku rri me mbret;
E shtegtari dishron fisin
Permbî vênd qi s âsht i vet.
O Shqypnië e mjerë Shqypnija,
Plot me burra e trima plot
Ti ‘j dit’ ishe; por lumnija
Qi ké pasun nuk â sot.
Nen njat tokë qi t’a shklet kâmba
Zân e t’ moçmeve veshtò:
Per bij t’ tashem, porsi e ama
E t’ koritunve, gjimô.
Nâm e zâ, qi kishe, t’ treti,
E veç turpi e mârrja t’ mbëloj;
Per lumnië veç kóre t’ mbeti
Qysh se fara e mirë mbaroj.
Por gazmô nder gjith kto t’ vshtira
Persè endè s’ sharrove kret;
Diçka t’ mbet nder atò t’ mira
Mbas dý mij e mâ shum vjet.
T’ ka mbêt giuha qi po ndîhet
N’ fush e n’ mal qi ti zotnon;
Gjith kû hija ê jote shtrîhet
Kû shqyptari zân e lëshon.
Prei Tivarit e n’ Preveze
Nji â giûha e kómbi nji;
Kû lêshon dielli njato rreze
Qi veç toka e jote i di.
Kû n’ breg t’ Cemit rritet trimi
Me zbardhë, Shqype, zânin t’ând,
E kû i Drinit â burimi
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult