Apolloni: Përkthyesit më të mirë janë dhe do të jenë ata që dalin nga katedrat e letërsisë…

Ajo çka përbën distancimin tim nga postmodernizmi është pikërisht emocionaliteti. Proza postmoderne është racionale, sepse është ironike, e ironia bëhet me mendje, jo me zemër. Unë edhe pse e pëlqej poetikën postmoderne, duket që organikisht i takoj një tjetër formacioni, emrin e të cilit nuk e kam gjetur ende, por pulsin e të cilit e ndiej mirë. Romanet e mia nuk janë postmoderne, pos gjysmës së romanit të parë, gjysma tjetër e të cilit kalon në emocionalitet e spiritualitet.

Intervistë me shkrimtarin dhe studiuesin e letërsisë, Ag Apolloni

1. Jemi ende në kohë pandemie, e herë – herë karantinimi po bëhet obligativ për ne. Siç e dimë, shumë kryevepra janë shkruar në kohë të tilla si kjo. Sa është pandemia dhe mbyllja terren i volitshëm për shkrimtarin, nga njëra anë, dhe për lexuesin, nga ana tjetër?

Apolloni: Ka disa dëshmi që tregojnë se pandemitë nëpër shekuj kanë pasë edhe anët pozitive, sidomos për letërsinë, dhe një dëshmi e tillë është edhe “Dekameroni”, që filloi të shkruhej gjatë pandemisë. Për shkrimtarin, si për çdo njeri tjetër, sëmundja është e padëshiruar, kurse mbyllja, ndryshe nga ç’mund të jetë për të tjerët, për të është rutinë. Dalja e tij me një vepër të re mundësohet vetëm pas një mbylljeje, që shpesh mund të jetë e gjatë. Përgjithësisht, shkrimtarët janë të mbyllur në vetvete dhe të mbyllur në dhomat a studiot e tyre. Pra, mbyllja për ta është një mënyrë jetese. Mbyllja mund të jetë edhe në favor të lexuesit, sepse kur je i mbyllur, domethënë i shmang miqtë dhe shëtitjet, për t’iu kthyer mikut të vërtetë, librit, dhe shëtitjeve imagjinare e domethënëse që i shkakton leximi.

2. Shkruani romane, poezi, drama e kritikë, pra një fushë e gjerë veprimtarie. Cilin nga këto zhanre e favorizoni, apo ku e gjeni veten më shumë?

Apolloni: Kur ndahen kështu në zhanre duken shumë, por kur e mendon se të gjitha janë letërsi, atëherë e kupton se nuk janë shumë, janë vetëm një. Me dramën merrem, sepse më pëlqen lidhja me teatrin si medium; poezinë e shkruaj, sepse më pëlqen ta kthej kohën prozaike në çaste poetike; ndërsa romanin e konsideroj si vepër çliruese: ai më çliron nga dija akademike, historitë e mundimshme dhe ankthet rraskapitëse. Gjatë shkrimit të romanit ndihem përzishëm dhe plot, ndërsa pas shkrimit të romanit ndihem bosh dhe kot. Këto janë dilema të krijimit që tregojnë se çlirimi jo gjithmonë është shpëtim.

3. Në përmbledhjen tuaj të parë poetike ‘’Zomb’’ shpaloset figura e femrës në forma e motive të ndryshme. Meqenëse shpalosjen e afeksionit të tillë rëndom lexuesi e merr direkt si përjetim intim personal, cilën nga poezitë do ta veçonit nga kjo përmbledhje si refleksion i kësaj ane të unit tuaj?

Apolloni: Është pak e çuditshme që gjithçka që shkruaj në poezi, prozë e dramë, lexuesit e marrin si personale timen, madje shpesh si autobiografike, përderisa unë që nga shkrimi im i parë jam përpjekur ta shpjegoj që jam përcaktuar për një art transpersonal, që do të thotë se poezia ime është personale sa për mua, aq edhe për lexuesin, jo domosdoshmërisht autobiografike, por pashmangshëm autoideografike. Meqenëse libri “Zomb” është projekt i pakryer, mendoj se poezitë më të bukura janë ato që ende s’i kam publikuar e që do të përfshihen në versionin e dytë.

4. Në dramat tuaja të para, “Koleksionisti i syve”, “Halloween”, “Judita” dhe “Mat”, vërehet një pjesëmarrje aktive e ambientit gotik, e temave që ndërlidhen me luftën, vdekjen e degradimin moral e shoqëror, si dhe linja boshtore që pasohet me motivin e njohjes në tri dramat e fundit. Shtënia në dorë e këtyre elementeve ka për qëllim të paraqesë një realitet të përjetuar, apo refleksion mbi realitetin në përmasa më universale?

Apolloni: Ato drama i kam shkruar si student, kur isha i magjepsur nga teatri antik. Ndërsa elementet gotike besoj që vijnë nga ndikimi i madh që kanë pasur tek unë dy shkrimtarë që i kanë detyruar studiuesit ta marrim gotikën seriozisht: Goethe dhe Poe. Arti gotik është art simbolik, prandaj më shumë synon universalitetin eternal sesa realitetin efemer.

5. Duke ditur se ju edhe ligjëroni lëndën “Letërsia dhe filmi”, në çfarë shkalle mendoni se është realizuar drama juaj “Koleksionisti i syve”, në shfaqjen me po të njëjtin titull, me regji të Ben Apollonit, dhe nëse do t’ju kërkonin të zgjedhnit midis shfaqjes dhe librit, cila do të ishte preferenca juaj?

Apolloni: Meqenëse jam i prirur ta pëlqej më shumë punën e tjetrit sesa timen, edhe në këtë rast mund të them se shfaqja më ka pëlqyer më shumë se libri. 

6. A është në dëm të letërsisë kur veprat më të mëdha letrare realizohen në skenë dhe a qëndron fuqia e letërsisë se disa kryevepra botërore nuk bëhen dot filma ose shfaqje siç e kemi rastin e kryeveprave të Dostojevskit?

Apolloni: Ka shumë shkrimtarë të mëdhenj që kanë dështuar në skenë, qoftë kur u janë dramatizuar romanet, qoftë kur thjesht u janë inskenuar dramat. Por dështimet skenike zakonisht shihen si dështime adaptimesh teatrale, jo si dështime letrare. Ndërsa, për pamundësinë e ekranizimit të disa romaneve, jam plotësisht dakord. Dostojevski, por edhe Tolstoj, Hesse, Vonnegut, Roth, Saramago, apo Eco, janë shkrimtarë që s’kanë pasë fat në kinematografi. Por ka edhe raste kur regjisorët janë treguar të barasvlefshëm me shkrimtarët, e ndonjëherë edhe superiorë ndaj tyre. Për shembull, Stanley Kubrick e ka tejkaluar Schnitzler-in dhe është barazuar me Nabokovin. Coppola i ka tejkaluar Mario Puzon dhe Bram Stocker-in, dhe i bën karshillëk Conrad-it.

7. Në librin tuaj “Zazen” e trajtoni fatin e një të riu që përfundon tragjikisht. A mendoni që idetë e një të riu si Zen Zabeli nuk do të arrijnë të kuptohen, ose të gjejnë mundësi edhe për një kohë të gjatë në vendin tonë?

Apolloni: Romani “Zazen” vërtet pikënisje e ka një rast konkret e tragjik, por si përgjithësim artistik, ai flet për të gjithë të rinjtë e zhgënjyer të pasluftës të cilëve pushteti i korruptuar s’u la shteg tjetër, pos greminës dhe gurbetit. Këto ditë më është sjellë nëpër kokë edhe fati i një të afërmi të prototipit të Zen Zabelit, vetëm se ky nuk ka përfunduar në greminë, por në gurbet. Uroj që vendi ynë të kthehet për mbarë dhe të mos i hajë bijtë e vet.

8. Rëndom autorët kamuflohen pas personazheve specifike e të krijuara shpesh enkas për ta. Ndërkohë, ju në veprën tuaj “Mesjeta ime’’ në mënyrë eksplicite dhe në veprën tjetër ‘’Ulurima e ujkut’’ në mënyrë implicite, keni ndërtuar një imazh të qartë autobiografik për lexuesin? Pse rrëfimi juaj insiston të duket i vërtetë?

Apolloni: “Mesjeta ime” është vepër e rastit: isha 35 vjeç dhe m’u kujtua një tercinë e Dantes, prandaj e shkrova. Është ‘non-fiction’, por nganjëherë të fut në kurth. Ndërsa, “Ulurima e ujkut” është roman, ‘fiction’, dhe vetë përcaktuesi kategorial ‘roman’ e vë në tjetër ‘realitet’. Me sa mbaj mend, aty dikund e citoj një mendim të Nooteboom-it, i cili thoshte se çkado që të shpikë autori, për lexuesin do të jetë e vërtetë. Kjo lidhet më shumë me teknikën sesa me faktin. Unë gjithmonë kam insistuar që edhe fantastikja të duket faktike. Edhe takimi im me Zotin, në kapitullin “Unë, Zoti dhe fantazma”, jepet si takim normal, si bisedë me, le të themi, pronarin e banesës. Siç del nga prologu, narratori homodiegjetik i romanit është dikush që pasi është kapur duke pirë drogë në klasë, në një fakultet evropian, degdiset jo në burg, por në ferr, domethënë në Kosovë. Ndërsa, siç del nga epilogu, ai shpëton në mënyrë imagjinare nga ferri, pasi kryen një vrasje të dyfishtë. Ai është romani më paradoksal dhe më ironik që kam shkruar.

9. Në librat tuaj pjesë e diskursit është edhe Zoti. Sa është Zoti i rëndësishëm për letërsinë dhe si do të ishte letërsia pa Zotin?

Apolloni: Për argjentinasin J. L. Borges, religjioni ishte pjesë e letërsisë fantastike, ndërsa vetë Zoti ishte figura më fantastike. Shkrimtarë të ndryshëm e kanë trajtuar Zotin në mënyra të ndryshme në veprat e tyre. Ai është një figurë shumë e rëndësishme për letërsinë, përderisa është pjesë e fantazisë sonë. Letërsia pa Zotin do të ishte si Zoti pa letërsinë.

10. Në veprën tuaj ‘’Mesjeta ime’’, ju keni përmendur mundësinë që keni pasur për të realizuar një intervistë me shkrimtarin e madh Umberto Eco. A ju ka bërë ndonjëherë rrëshqitja e kësaj mundësie nga dora të pendoheni pse atëherë nuk e keni kapur çastin?

Apolloni: Tash kur e kujtoj që Eco nuk është më, them pse edhe pendimi im nuk shkon bashkë me të. Eco për mua ka qenë si Virgjili për Danten, ose si Uilliami për Adsonin.

11. Keni pasur rastin të intervistoni emra të mëdhenj si Linda Hutcheon, Gottfried Helnëein, Jonathan Culler, Rita Dove, Javier Cercas etj. Cilën nga intervistat e realizuara do ta veçonit?

Apolloni: Të bësh intervista do të thotë të bëhesh ‘medium’ (ndërmjetësues) mes një personi që ka çfarë të thotë dhe disa të tjerëve që duan ta dëgjojnë. Ndonjëherë të bie të bësh pyetje vetëm pse e merr me mend që përgjigja e të intervistuarit, edhe pse s’mund të sjellë diçka të re për ty, mund të jetë e rëndësishme për lexuesit. Pra, si ndërmjetësues ke edhe përgjegjësi për të tjerët, dhe intervistën nuk e bën vetëm për vete. Gjithsesi, të gjitha intervistat e realizuara për revistën “Symbol” kanë rëndësinë e vet, madje me disa të intervistuar vazhdojmë të komunikojmë herë pas here, ndërsa katër prej tyre tashmë janë edhe pjesë e bordit editorial të revistës sonë. Por, për shkak se me pikturën kam një lidhje të veçantë, dua ta veçoj intervistën me piktorin hyperrealist Helnwein, pikturat e të cilit pata rastin t’i shihja në vitin 2013 në Vjenë, ku po qëndroja si ‘shkrimtar në rezidencë’. Mendoj se disa përgjigje të asaj interviste janë shkollë për çdo artist.

12. Në veprën tuaj të fundit “Një fije shprese, një fije shkrepëse’’ është vënë re një gamë e gjerë intertekstesh nga letërsia greke, sidomos në spikamë vihet figura e Niobës dhe relacioni i saj me Ferdonijen. Në këtë relacion të vazhdueshëm përgjatë veprës, cila figurë ka frymëzuar dhe ka dërguar te tjetra, Nioba te historia e Ferdonijes, apo historia e Ferdonijes te Nioba?

Apolloni: Mendoj se ndërlidhja e fateve të këtyre dy grave tragjike erdhi krejt rastësisht, ashtu siç tregohet edhe në roman. Unë kam një fiksim për të restauruar vepra letrare, kështu që Eskili është punishtja ime e përhershme. Në fillim dyshoja se mund të shkruaja një libër për Ferdonijen, por kur papritur më vetëtiu në mendje ngjashmëria me Niobën, vendosa t’i bëja bashkë dhe, në këtë mënyrë, të tregoja njëkohësisht dy tragjedi të ngjashme të dy kohëve të ndryshme. 

13. Si vepër që përmban dromca edhe nga përjetimet tuaja dhe të miqve tuaj gjatë periudhës së luftës, e duke u kombinuar edhe me historitë dhe tragjizmin e Pashkës dhe Ferdonijes, a mund të na flisni pak mbi gjendjen tuaj emocionale përgjatë dhe pas përfundimit të veprës? Deri në çfarë niveli mendoni se e ka dërguar katarsisin vepra juaj?

Apolloni: Të gjitha historitë në këtë libër janë prekëse, prandaj edhe jo të lehta për t’u shkruar. Kam qenë student kur kam lexuar në një cep të gazetës se një grua në Gjakovë kishte djegur veten pasi i ishin kthyer mbetjet e dy djemve të vrarë në masakrën e Mejës. Për mua, ky ka qenë lajmi më tronditës i pasluftës. Prandaj, derisa e shkruaja historinë e kësaj nëne, kisha akumuluar brenda vetes aq shumë dhimbje, mllef dhe dëshpërim, saqë po të mbaja armë në shtëpi, ose do të vrisja ndokënd, ose do t’ia shkrepja vetes. Ndërsa, në ditët që shkruaja fatin e Ferdonijes ndihesha sikur po thërrmohesha përbrenda, sikur edhe gjaku më ishte kthyer në lot. Pak a shumë, kjo ishte përvoja ime me këto histori, që më kanë mbërthyer si një ankth nga i cili nuk jam liruar ende plotësisht.

14. Tashmë jeni autor i një numri të konsiderueshëm veprash në të gjitha zhanret. Me cilën nga veprat tuaja ndani një lidhje më të thellë emocionale dhe cilën do ta veçonit më tepër nga të tjerat?

Apolloni: Ajo çka përbën distancimin tim nga postmodernizmi është pikërisht emocionaliteti. Proza postmoderne është racionale, sepse është ironike, e ironia bëhet me mendje, jo me zemër. Unë edhe pse e pëlqej poetikën postmoderne, duket që organikisht i takoj një tjetër formacioni, emrin e të cilit nuk e kam gjetur ende, por pulsin e të cilit e ndiej mirë. Romanet e mia nuk janë postmoderne, pos gjysmës së romanit të parë, gjysma tjetër e të cilit kalon në emocionalitet e spiritualitet.

15. Sa mendoni se postmodernizmi, si një rrymë e re letrare, ka arritur të depërtojë dhe ta përqafojë letërsinë tonë?

Apolloni: Mendoj se postmodernizmi në letërsinë shqipe ka bërë kthesë historike. Disa nga vlerat e kësaj poetike i kam evidentuar në studimet e mia mbi autorë dhe vepra postmoderne.

16. A ka arritur letërsia jonë, me gjithë atë korpus veprash që nga fillimet, të krijojë një identitet të saj? Ku qëndron arti ynë shqiptar në relacion me atë ballkanik dhe perëndimor?

Apolloni: Përgjigje për pyetje të tilla jam përpjekur të jap te libri “Koferi i Konicës”. Bindjet e mia nuk kanë ndryshuar, por kësaj here le të përmbahem e mos t’i fryj zjarrit. 

17. Përveç si shkrimtar, njëkohësisht njiheni edhe si përkthyes dhe ligjërues i po kësaj fushe. Ne sot vërejmë që përkthehet më shumë se kurrë, por si i vlerësoni për nga cilësia përkthimet e kohës sonë?

Apolloni: Unë ligjëroj prej zori, ndërsa përkthej për qejf. Pra, atë lëndë më ka caktuar departamenti, kështu që, desha a s’desha, duhet ta ligjëroj. Ndërsa, si përkthyes jam mjaft dembel. Përkthimi i parë që kam bërë ka qenë “Varrimi i të vdekurve” i Eliotit, ndërsa përkthimi i parë që kam botuar ka qenë “Korbi” i Edgar Allan Poe-s. Pastaj kam përkthyer herë pas here, varësisht nga disponimi, kryesisht Preverin dhe, së fundmi, Aragonin. Pra, përkthime të shkapërderdhura nëpër fletore e revista. Libri i parë dhe i vetëm që kam përkthyer, e që besoj të publikohet sivjet, është “Prufroku” i Eliotit. Pra, ky jam unë si përkthyes. Ndërsa si ligjërues, këshillat që kam marrë nga traduktologët jam përpjekur t’i bart te studentët. Sigurisht, i përcjell përkthimet e reja. Aq sa më pëlqen pasioni dhe kujdesi me të cilin përkthejnë disa, po aq më dëshpëron përkthimi shkel e shko i disa të tjerëve, që janë shumicë. Për shkak se letërsia ka nivelet elitare e kodet informative enciklopedike, mendoj se përkthyesit më të mirë janë dhe do të jenë ata që dalin nga katedrat e letërsisë, sepse ta përkthesh një autor, do të thotë ta zotërosh atë autor, e si mund ta zotërosh nëse nuk ia ke studiuar modelin, as stilin? Për vërshimin e përkthimeve të dobëta kanë kontribuar edhe disa shtëpi botuese që librin e shohin më shumë si mall sesa si art. Përkthimi është art, i mirë dhe i vështirë, e kur bëhet veç për pazar, aty ka veç zarar.

18. Krejt në fund, cila do të ishte këshilla juaj prej shkrimtari për lexuesin tonë shqiptar, dhe duke qenë se njiheni si lexues pasionant e dinamik, a mund t’i propozoni tri vepra që sipas jush janë të patejkalueshme për një dashunues të letërsisë?

Apolloni: Do të doja që lexuesi shqiptar të lexojë sa më shumë letërsi të vendeve të ndryshme, që të krijojë një hartë vlerësimi të vetën. Ndërsa sugjerimi për tri vepra më vë në siklet paksa, sepse do të doja t’i sugjeroja së paku treqind, por gjithsesi, duke bërë mëkatin e selektimit, po i sugjeroj këto tri romane: “Ujku i Stepës” i Hermann Hesse-s, “Zorba” i Niko Kazanxakit dhe “Lehtësia e padurueshme e qenies” i Milan Kunderës. 

*Intervistë e realizuar nga redaksia e revistës “Fryma” (Eriola Çoçaj, Ardit Mehmetaj, Leonora Hajra, Rrezarta Morina dhe Zamira Rexhepaj)

ObserverKult