Në vitin 1946 ishte një oficer 19-vjeçar i sapo dalë nga rradhët partizane, por fati i tij do të ndryshonte kryekëput. Gjithcka nisi ngaqë nuk pranoi ta quante Kosovën “minoriteti shqiptar në Jugosllavi”…
“Akuzohesh se je implikuar në agjenturën e imperializimit anglez e atij amerikan dhe nxit urrejtjen kundër popullit mik jugosllav, ndaj gjyqi ushtarak të dënon me vdekje”.
Kjo ishte sentenca qe iu “përplas” në sy 21-vjecarit Aqif Selimi, i cili vetëm 4 vjet para se të mësonte nga hetuesi që ishte kaq “i rrezikshëm”, pati dorëzuar pushkën e partizanit. Djaloshi që ende nuk e dinte se çfarë po ndodhte, zgurdulloi sytë, po nuk kishte më fuqi të kundërshtonte hetuesin, që shpesh treçerekun e fjalorit e kishte “tradhëtar, i shitur”!
Në 81 vitet e jetës së tij të nxirë, Aqif Selimi ka parë shumë ëndrra, por njëra prej tyre edhe pse e bukur, (ngaqë kishte fjetur i uritur, e pa veten duke ngrenë llokume), i kushtoi plot 30 vite burgim. Imazhet iu shfaqën në një qeli të ngushtë, në garnizonin e Gjirokastrës. Personazhi që iu faneps ishte Mehdi Frashëri, që e ftoi të fluturonte drejt Anglisë me avion. Kjo ishte thjesht enderr; Mehdi Frashërin e kishte fiksuar nga një foto, por Aqifi kurrë nuk preku bordin e avionit. Në vend të kësaj, kaloi tre dekada në “bordin” e qelive të burgut.
Në mesin e vitit 1945, krejt papritur rrjedha e jetës së tij do të merrte tatëpjetën e paimagjinuar. “Ishim në një mbledhje që organizoheshin shpesh në atë kohe. Drejtohej nga Bedri Spahiu qe ishte edhe prokuror i përgjithshëm. Në një banderolë pas shpinës sime ishte shkruar: ‘Lufta e popullit jugosllav dhe të drejtat e minoritetit kosovar’. Kjo më irritoi, aq sa edhe tani më rrënqethet mishi kur e kujtoj”-thotë Selimi.
Nga ajo ditë kanë kaluar mëse 60 vjet, por ai i mban mend hollësitë. Pas diskutimeve të Spahiut, u ngrit dhe i tha se ka një pyetje. Bedriu e ftoi të flasë duke ia ngulur sytë. “Po si mund ta konsiderojmë Kosovën minoritet, ku në atë truall jetojnë shqiptarë? Çështë kjo politikë që ndiqet?!-bëra unë pyetjen. Kur prisja përgjigjen e Spahiut, që vazhdonte të më shihte, nga salla dëgjoj një zë që bërtet: ‘Ta arrestojmë se ky qenka reaksionar”-kujton Selimi. Pavarësisht se Bedri Spahiu, që edhe vetë më pas do të pësonte të njëjtin fat, në ato momente nuk kishte ndërmend të dëgjonte njeriun që thirri për arrest, salla e madhe kishte shumë veshë. Ndaj edhe raportimet kundër “reaksionarit” Aqif Selimi, ndiqnin njëri-tjetrin. Kaq mjaftoi dhe djaloshi 19 vjecar, të nesërmen të humbiste vendin e punës në kryeqytet dhe të transferohej në Gjirokastër, me justifikimin se aty kishte nevoje atdheu.
“Në verën e vitit 1946 më arrestojnë dhe për disa muaj më vendosin në një qeli pranë garnizonit në Gjirokaster”-rrëfen ai, i cili sjell në kujtesë kohën kur tepër i ri, dergjej në qelinë e burgut, pa e ditur se çdo të ngjante më tej. Gjithçka shkoi edhe më keq kur në qeli i sollën një person tjeter. Quhej Vito dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim për akuzën e vjedhjes, por e lanë në një qeli me mua se nuk kishin vend për ndarje”-kujton Selimi.
Por Vito do ta “zberthente” mirë djaloshin, i cili një natë pa një ëndërr sa te bukur aq edhe të çuditshme. “Mund të ishte mesnatë, në ëndërr m’u shfaq Mehdi Frasheri. Ai më ftoi që të arratisesha dhe me tha se ja tani do vijne avionët anglezë e do na marrin. Më pas hëngra edhe llokume”-rrëfen për këtë sekuencë që e ndoqi përjetë.
Gjumi i doli dhe qeshi me veten, pasi gojën e kishte zeher, e jo më të kishte ngrenë embëlsira. Kjo e qeshur e çuditshme në mes të nates i prishi rehatine edhe Vitos, ndaj e pyeti çfarë kishte ndodhur, por Aqifi u mjaftua vetem me nje “asgjë, asgjë”. Të nesërmen, Vitoja kurioz nuk harroi ta pyeste shokun se si ishte puna. “Pas këmbënguljes se tij, i tregova ëndrrën. Pak më vonë ai kërkoi që të shkonte në tualet. Kur prisja që të vinte, brenda qelisë u futën policët dhe një hetues. Më pas nuk mbaj mend shumë gjera, pasi me goditen”-kujton Selimi.
Vitoja e kishte kryer detyrdn, ndërsa ëndrra të riut Aqif Selimi me origjinë Çame do t’i kthehj në makth për gjithë jetën. Hetuesi kishte në dorë një “provë” të madhe për ta kryqëzuar.
“Pas 23 muajsh tortura, më në fund pranova të hedh firmën në proceverbalin e hartuar nga hetuesit, çka nënkuptonte se pranova se isha agjent anglez, amerikan dhe që punoja kundër popullit mik jugosllav. Firmën e hodha për shkak se nuk duroja më torturat, po në të vërtetë nuk kasha asnjë lidhje me agjenturën e huaj. Përfundimisht më dënuan me vdekje dhe për shumë kohë prisja vetëm ekzekutimin e vendimit”, shprehet ai.
Por situata ndryshoi dhe një dritë në atë qeli të errët iu shfaq pas tentativës për tu arratisur nga dhomat e paraburgimit. Bashkë me shokun e tij të ri të qelisë, Rexhep Xhafajn, (i dënuar edhe ai me vdekje), më 9 maj të vitit 1948 arratiset nga dhomat e paraburgimit në garnizonin e Gjirokastres.
“Aty ku qëndronim ishte një derë e drunjtë dhe e mbyllur me çelës. Kisha një copë hekur dhe pasi i dhashë dy herë me forcë, dera u hap. Me pas u larguam duke përfituar se në ato momente po ndërroheshin edhe rojet”-kujton Aqif Selimi.
Pas 20 ditesh endje, dyshja e arratisur përfundon në kufirin me Greqinë. Por bien në duart e forcave partizane greke që ishin në luftë me trupat qeveritare dhe të nesërmen i dorëzojnë tek autoritetet shqiptare. Priste ekzekutimin, por i mbërriti një letër, që në fakt ishte verdikti se duhet të jetonte. Fati më i madh, nese mund të quhet i tillë për Aqifin ndodhi në shtatorin e po atij viti. Enver Hoxha kishte vendosur që të mos ekzekutoheshin dënimet me vdekje, pa kaluar më parë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Aqifit iu fal jeta duke u dënuar me 20 vjet burgim. Nga keto kreu vetëm 11 dhe me pas u lirua duke përfituar ca vite edhe nga puna që kishte kryer. Në vitin 1957 do te niste punë në ndërrmarrjen e bonifikimit, por këtë liri nuk e gezoi gjatë. Dy vjet më pas, ai denohet me dhjete vjet për akuzën “agjitacion dhe propagande kunder shtetit”. Nga dhjete vite, Aqifi kreu nëntë dhe periudha 1968-1976, ishte më e lumtura për të. Krijoi familje dhe nga lidhja martesore pati dy fëmijë. Teksa mendonte si t’i rriste të miturit, rregjimit i rezultoi se qelite e burgut kishin “një person mangët”. Arrestohet për të tretën herë. E ndajnë nga bshkëshortja dhe vetëm pasi kishte kaluar plot 10 vite në burgun e Spacit, i erdhi liria. “Ishte viti 1986. Pasi dola nga burgu, takova djalin dhe ishin momentet më të vështira të jetës sime. Ai ishte rritur, kishte mbushur 17 vjeç dhe përsëri kishte frikë të rrinte me mua”. Pas viteve ’90-të, Aqif Selimi ishte në listën e të përndjekurve politik. Përfitoi si dëmshpërblim një banesë dhe letra me vlerë në shumën 32 milionë lekë të vjetra. Por ëndrra e mallkuar e avionit të Mehdi Frasherit e ndoqi deri në fund… Shtëpinë do ta shiste për t’i depozituar të hollat tek një nga firmat piramidale me shpresën se mund të shumëfishoheshin të ardhurat, që të perballonte edhe jetesën, por mbeti edhe pa banese. Ish-bashkeshorten nuk e ka parë më që pas ndarjes, djali shkon dhe e takon, ndërsa vajzën nuk e ka njohur kurrë. Gjithcka për të është varrosur, pas një endrre të bukur pak minutëshe, që iu kthye në shkatërrimin e jëtes me 30 vjet burg në total. Nëse ka një lehtësim që Aqif Selimi mundi ta gezojë pas viteve 90’ është fakti se ëndrra mund të shohe plot dhe t’i tregojë të gjitha…/kujto.al
*Rrëfimet janë shkëputur nga intervista dhënë gazetarit Blendi Fevziu në emisionin Opinion