Eksodi tragjik i shqiptarëve në Itali (atyre që sot njihen me termin “arbëreshë”) është i lidhur me pushtimin otoman të Ballkanit në shekullin e pesëmbëdhjetë.
Përfaqësuesit e parë me mbiemër Gramshi (Gramsci) erdhën në Itali në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë, pas pushtimit dhe nënshtrimit të Shqipërisë nga trupat osmane. Ata arritën në Puglia me grupin e udhëhequr nga djali i heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Të gjitha familjet e ardhura shqiptare u detyruan nga Ferrante d’Aragona të rindërtonin shtëpitë e vjetra në Italinë jugore popullsia e së cilës ishte zhvendosur për shkak të urisë, murtajës, tërmeteve shkatërruese dhe konflikteve të vazhdueshme për çështjen e kurorës napoletane.
Familjet shqiptare u vendosën fillimisht në Calabria Citra, provincë e tanishme e Cosenza. Pas grupit të parë pati shtatë migrime të njëpasnjëshme shqiptarësh në një hark të gjatë kohor.
Prania e familjeve shqiptare në territorin e Mbretërisë së Napolit është regjistruar vetëm në disa botime të rralla. I përket atyre eksodeve të popullatave që për shkak të rrethanave të caktuara historike nuk kanë lënë shumë gjurmë dokumentare të lëvizjes të tyre.
Edhe pakica e mësipërme shqiptare, ka qenë subjekt i të njëjtave dinamika sociale dhe burokratike, të shoqëruara me një harresë të gjatë, por kohë pas kohe dalin dëshmi, veçanërisht raste të tilla si regjistrimi i vdekjeve nga disa priftërinj largpamës.
Familja Gramshi fillimisht u vendos në Platacia, më pas në Cosenza, dhe, më në fund në Napoli, kryeqytetin e mbretërisë.
I pari i regjistruar rregullisht i familjes Gramshi, ishte Nikola, i lindur në Plataci në vitin 1765. Ai vendosi të niste një karrierë ushtarake. Në fillim shkoi në Cosenza për t’iu përgjigjur thirrjes ushtarake. Vendosi të qëndronte në ushtri dhe të transferohej në Napoli duke u bërë pjesë e Armatës së Re Maqedone të ngritur nga Ferrante d’Aragona. Në moshën 55 vjeç, atë e gjejmë të regjistruar në kryeqytetin napoletan me gradën e “zv.shefit të Regjimentit Leopoldo” në garnizonin e Gaeta-s.
Gjurmët e familjes Gramshi
Hulumtimi mbi origjinën e familjes Gramshi në Itali është i vështirë. Dokumentet janë ruajtur me xhelozi në famullitë lokale dhe për rrjedhojë, jo gjithmonë ka qenë e lehtë të përdoren.
Nga analiza e dokumenteve të Gjendjes Civile të Arkivave të Shtetit në Cosenza dhe në Arkivat e Seksionit Civil të Shtetit, mbiemri Gramshi del i pranishëm vetëm në territoret e bashkësive arbëreshe të vendosura në veri të Kalabrisë. Ai mungon plotësisht në zonat në të djathtë dhe në të majtë të lumit Crati ku shfaqen familje të tjera shqiptare.
Kjo tregon se, në kohën e vendosjes së familjeve shqiptare në Kalabri, autoritetet napolitane synuan shpërndarjen e tyre në zona të ndryshme dhe jo vetëm kaq. Shqiptarët u urdhëruan të vendoseshin në një territor të gjerë, malor, të paarritshëm, të izoluar dhe pa rrjet rrugor.
Duhet patur parasysh se vendosja e shqiptarëve në Kalabri erdhi në një periudhë kur zona ishte goditur rëndë nga shumë kriza: tërmete të tmerrshme kishin shkatërruar në mënyrë të përsëritur territorin, por po aty ishin përhapur murtaja, kolera dhe malarja endemike. Sikur të mos mjaftonin këto popullata ishte terrorizuar nga luftërat për vazhdimësinë e kurorës në Napoli mes Angevinëve dhe Aragonezëve. Të gjitha këto kishin çuar në një rënie të lartë të popullsisë vendase.
Në vitet 1400 kjo zonë kishte pamjen e një pylli të egër të mbuluar me shkurre për shkak të mungesës së gjatë të dorës së njeriut. Pothuajse në të gjithë shtrirjen e saj, shihje fshatra te shkatërruar plotësisht dhe të braktisur.
Në derdhjet sezonale të ujrave të Cratit në detin Jon nuk ishte venë dorë që nga koha e pushtimit romak. Në vend që të garantohej rrjedhja e ujit në det, ai ishte lënë në gjendje të egër, duke u kthyer gjithnjë e më shumë në një moçal gjigand me ujë të ndenjur nga Cosenza deri në Sybaris.
Në këtë skenar te trishtuar, çfarë mundësie më e mirë mund te paraqitej për aragonezët – që ishin fitues në betejën e gjatë me Angevinët falë edhe trupave shqiptare të udhëhequra nga gjenerali Dhimitër Rëra dhe dy djemtë e tij – se sa ta ripopullonin me shqiptarë të arratisur nga turqit këtë territor të gjerë?
Kishte edhe një tjetër rrethanë historike: Erina Kastrioti, vajza e Gjonit dhe mbesa e Gjergjit, ishte e martuar me princin Pietro Antonio Sanseverino Bisignano, zotërues i Kalabrisë Citra dhe i tokave në Crotone. Kjo grua e sertë siguroi që bërthamat e para shqiptare në zonë të zgjeroheshin me ardhjen e familjeve te reja nga Shqipëria që garantonin më mirë rregullimin e territorit dhe produktivitetin ekonomik.
Por një largësi mes grupeve shqiptare, pra shpërndarjen e familjeve të ardhura, e dëshironte Ferrante i Aragonës, mbreti i Napolit dhe miku i ngushtë i Skënderbeut. Ai i trembej traditave ushtarake shqiptare, shpirtit të tyre konfliktual. Frika e bëri atë të mos i besonte shumë “miqve” të ardhur në masë, megjithëse ata, në mënyrë të përsëritur i ofruan atij bashkëpunim, por edhe vlera.
Pavarësisht kësaj, për të shmangur çdo lloj problemi, ai vendosi t’i ndajë grupet homogjene sa më shumë që të ishte e mundur në një zonë gjeografikisht të vështirë, ku thuajse çdo gjë mungonte dhe ku kishte fshatra plotësisht të izoluar.
***
Rreth vitit 1480, pas valës së tretë të refugjatëve shqiptarë nga Epiri dhe Çamëria, disa familje u transferuan në zonën e Jonit të Sipërm për të marrë në posedim tokat që u ishin dhënë nga Sanseverinos.
Ishte një vend tmerrësisht i egër, toka të djerra, të papunuara kurrë më parë, ku banonin kryesisht burra: një rrafshnaltë në 1000 metra mbi nivelin e detit, relativisht afër bregdetit Jon, në zemër të Masivit Pollino, pothuajse e padukshme për këdo që vinte nga Lindja dhe i paprekshëm nga Perëndimi.
Gjithsesi, përsa i përket sigurisë Territori jepte garanci ekstreme për një popull që po largohej, i lodhur nga rrethime dhe luftëra të pafundme, malësor alpin i aftë për ta shndërruar natyrën e egër dhe mospërfillëse duke u rimarrë me bujqësi dhe blegtori, kryesisht me bagëti të imta.
Pas disa dekadave izolimi të detyruar, shqiptarët u vendosën në banesa të përkohshme (masoneri tipike të Kaljive, thurur me thupra të thata gështenjë ose të ngjashme me vegjetacionin e pranishëm në këtë zonë, të suvatuara vetëm nga brenda me baltë dhe, në raste të rralla, të lara e të zbardhura me gëlqere, mbuluar me gjethe dhe me bar të thatë).
Gjatë kësaj kohe u mbajt i pandryshuar premtimi së brendshmi për t’u rikthyer sa më shpejt në vendin e tyre, në vendin e Skënderbeut, sapo vendi të çlirohej nga pushtimi otoman. Kjo ishte arsyeja pse, “u pranuan” kushtet e këqija të jetës në zonat e izoluara të Kalabrisë. Ata e quanin të afërt ditën e kthimit dhe qëndrimin në atë egërsi natyrore, të përkohshëm.
Por dalëngadalë e lanë ëndrrën e lashtë të kthimit të mezipritur në shtëpi. Me kalimin e kohës pas vdekjes së Skënderbeut, ata u ndjenë jetimë dhe të pastrehë. Pasoi varfërimi i ngadaltë dhe i pandalshëm i atyre familjeve, të cilat edhe pse u mburrën për pasurinë që kishin lënë në atdhe, dukej se po u shterronin burimet edhe për shkak të izolimit.
****
Tashmë është konfirmuar nga një seri dokumentesh të shkruara arkivore që rrënjët e familjes së Antonio Gramshi gjenden në Plataci.
Hulumtimi është bazuar në një punë të konsiderueshme paraprake, e cila zgjati rreth dy vjet, kryesisht në arkiva, duke shfletuar regjistrat e lindjes, të martesës dhe të vdekjes së të gjithë 21 komuniteteve italo-shqiptare në krahinë, duke përfshirë fraksionet e tyre përkatëse.
U shfrytëzuan më shumë se 37.000 certifikata të vdekjeve. Cili ishte rezultati? Komunitetet që kanë mbiemrin Gramsci (Gramshi) (me variante të Gramisci – më të përhapura – dhe më të rralla: Gramesci, Gramis) ishin si vijon:
ACQUAFROMOSA:
Kola Gramishi, së bashku me përfaqësues të tjerë të familjeve shqiptare morën koncesionin për rindërtimin e komunitetit të Acquaformosa në vitin 1501. Akti ruhet në Arkivin e Vatikanit, Kodi Vatikani latin 14.386 F. 9 ss.
Çuditërisht nuk ka gjetje të mëtejshme për praninë e Gramsci ose Gramisci në komunitet.
Castroregio:
Këtu ekziston vetëm një rast. Duhet të theksohet se shqiptarët e ardhur, fillimisht iu shmangën martesave me vendasit, për të shmangur lidhjen me tokën e re, në dëm të ëndrrës së një kthimi të menjëhershëm në shtëpi.
Anna Gramishi, 38 vjeç, lindur në Castroregio në 1795 nga prindër të panjohur, vdekur në 1817 (çertifikatën e vdekjes e gjejmë me datën 12.3.1817)
Civita:
Në këtë komunitet prezantohet mbiemri Gramis / Grams, i cili mund të jetë një transkriptim lokal i mbiemrit Gramshi. Por gjithashtu mund të supozohet të jetë një transkriptim i gabuar i mbiemrit Dramis / Dramë, mbasi është shumë më i përhapur në të gjithë zonën e shqiptarëve të Pollino.
Margherita Gramis, e viteve 70, e lindur në Civita në 1742 nga prindër të panjohur, vdekur në vitin 1812 (certifikata e vdekjes është e datës 13.7.1812)
Antonio Gramis, 57 vjeç, lindur në Civita në 1760 nga prindër të panjohur, vdekur në 1817 (certifikatën e vdekjes e gjejmë të datës 23.11.1817)
Maria Grams, gruaja e Crisostomo Mortato (mbiemri rezulton nga akti i vdekjes së djalit të saj Tomaso i lindur në Civita në vitin 1768 dhe vdekur në vitin 1810 në moshën 42 vjeç – certifikatë vdekjeje e 15.10.1810)
Botuar në DITA. Autor është Giuseppe Carlo Siciliano, shtetas italian, qytetar arbëresh, anëtar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve të LANÇ të Popullit Shqiptar.