Ardian Vehbiu: Kulla e Sahatit

Nga Ardian Vehbiu

Si çdo qytet i mirëfilltë, edhe Tirana mbante në gji jo vetëm të kaluarën, por edhe të ardhmen e vet. Shenjat e kësaj të ardhme ne ishin doemos të shifruara në mënyrë të tillë që vetëm ne, nga lartësitë e së sotmes, mund t’i shquajmë e t’i zbërthejmë, po kush mund të pretendojë vallë se nuk i ndiem që atëherë, të paktën në pavetëdijë?

Te farsa masive e funeralit të Enver Hoxhës a nuk fshihej vallë karnevali që do t’ia rrëzonte statujën në dimër të 1991-shit? Po kështu, boshatisja e ngjethshme e qendrës nga dyqanet dhe baret a nuk parathoshte harlisjen e kioskave dhe të tregtisë mikroskopike, gjatë intermexos post-komuniste?

Asepsia e hoteleve të qendrës a nuk do të mund të interpretohej si parathënëse e maskarallëkut që do të shpërthente haptazi, gjatë tranzicionit? Qytet i ekstremeve, Tirana do të lëvirrej marramendësh mes mungesës totale dhe teprisë të të gjitha atyre atributeve që, në rrethana normale, qytetet kujdesen t’i mbajnë në ekuilibër, në përpjesëtim, në masë. Dhe meqë çdo lavjerrës, sado hergjele, e parakupton një pikë të palëvizshme, e cila bën të mundur luhatjen vetë, por edhe perceptimin e saj, shpjegimin dhe parashikimin e saj, atëherë çfarë mund ta luante këtë rol, përtej emrit të qytetit dhe plakjes së banorëve vetë, përveç Kullës së Sahatit?

Por pati një tipar të së ardhmes që, edhe pse shpesh mbeti i varur si premtim dhe shpresë, ndoshta përfaqëson zhvillimin më interesant të pleqërisë së Tiranës komuniste. Sepse unë Kullën vetë nuk mund ta përfytyroj veçse si gjithnjë të vëmendshme për të dalluar, në mes të kaosit, përsëritjes, mutacionit të verbër dhe shëmtimit, shenjat e para të bukurisë që Tirana mund dhe duhej të sekretonte, për vetveten, Shqipërinë dhe botën.

ObserverKult

Lexo edhe:

SI DUKESHIN QYTETET E KOSOVËS PARA 100 VJETËVE- PUBLIKOHEN FOTOGRAFI QË PAKKUSH I KA…