Aristoteli: Farët e poezisë sipas mjeteve të imitimit

aristoteli

Pikëpamjet e tij për artin e veçanërisht për poezinë, (epikën, lirikën dhe tragjedinë), Aristoteli i ka shfaqur në veprën e tij “Poetika”, e cila ka arritur deri te ne në formë të cunguar.

Por edhe me kaq mund të krijohet një ide e qartë mbi pikëpamjen estetike të filozofit dhe estetit të parë të madh të lashtësisë.

“Poetika” mbetet monumenti më i rëndësishëm i mendimit estetik në periudhën klasike greke, Aty trajtohen çështjet kryesore të estetikës dhe të teorisë së artit, si: kuptimi i së bukurës, prejardhja e gjinive letrare dhe klasifikimi i tyre, marrëdhëniet e letërsisë me realitetin, parimet e vlerësimit artistik etj.

ObserverKult ju sjell kapitullin ku Aristoteli flet për format e atëhershme letrare të klasifikuara sipas mënyrave të imitimit.

Aristoteli: Poezia është imitim – tri mënyrat e imitimit- farët e poezisë sipas mjeteve të imitimit

Le të flasim tashti për artin poetik, si për atë vetë ashtu edhe për farët e tij: d.m.th. ç’rol lot secila nga këto, si duhet thurur fabula që të dalë një poezi për të qënë, sa dhe cilat janë elementet që e përbëjnë. Gjithashtu do të flasim edhe për ato pika të tjera, që i përkasin kësaj teme, duke nisur, sipas rendit natyra, në krye nga të parat.

Epopeja, poezia tragjike, komedia, poezia ditirambike dhe pjesa më e madhe e poezisë auletike dhe kitaristike, përgjithësisht, të gjitha janë imitime,[1] po ndryshojnë në mes të tyre në këto tri pika: në mjetet, në objektet e në mënyrat e imitimit. Me të vërtetë, sikundër disa imitojnë shumë gjëra me anë ngjyrash e levizjesh dhe këtë disa e bëjnë me anë të artit, disa me anë të ushtrimit e disa të tjerë me anë të instinktit vetë, kështu artet e përmendura më sipër, imitimin e bëjnë me anë të ritmit, të fjalës e të harmonisë [2], duke i përdorur këto ose veç e veç, ose të përzjera.

Kështu p.sh. harmoninë dhe ritmin e përdorin vetëm auletika, kitaristika e ndonjë tjetër me rol të njejtë, siç është ajo e zamareve; me anë të ritmit vetëm dhe pa harmoni, e bën imitimin arti i valltarëve; këta me të vërtetë, me anë figurash ritmike imitoujnë zakone, pasione dhe veprime.

Sa për artin që imiton vetëm me fjalë, në prozë ose në vargje, dhe këto ose të përzjera, ose me të njejtin lloj metri, ky art deri sot ka mbetur pa emër. Me të vërtetë nuk do mundnim t’i quajmë me një emër të përbashkët mimet e Sofronit e të Ksenarkut,[3] dialogët e Sokratit, si edhe çdo vepër tjetër që bën imitimin në vargje trimetërshe, ose elegjiake, ose në masa të tjera si këto. Po njerëzia, poezinë e lidhin ngushtë me masën e prandaj i quajnë një palë poetë elegjiakë, një palë të tjerë poetë epikë, duke dhënë titullin e poetit jo sipas farës së imitimit, po sipas masës. Me këtë emër, zakonisht, quajnë edhe ata që trajtojnë ndonjë temë të mjekësisë ose të fizikës në vargje, kurse Homeri me Empedoklin,[4] përveç masës, s’kanë asgjë tjetër të përbashkët.

Do të ishte pra, më e drejtë të quhej njëri poet, e tjetri fiziolog më tepër, se sa poet. Gjithashtu, edhe nëqoftëse dikush kërkon ta bëjë imitimin, duke i përzjerë të gjitha masat – ashtu siç ka bërë Keremoni [5] -Kentaurin-, një rapsodi ku përzihen të gjitha masat- edhe ky duhet të quhet poet. Këto, në këtë mënyrë duhet dalluar; janë ca farë poezish, të cilat përdorin të gjitha elementet që u thanë më sipër: ritmin, këngën e masën; këto janë poezia ditirambike, ajo e nomeve,[5] tragjedia dhe komedia; i vetmi ndryshim midis këtyre është se, ca i përdorin të gjitha bashkë, ca pjesërisht. Ja, pra këto janë ndyshimet midis arteve, përsa u përket mjeteve qe përdorin në punën e imitimit.

____________

[1] Fjala -imitim- (imitacion, mimesis) s’duhet kuptuar këtu si një imitim i verbër, si një kopjim; imituesi (poeti) paraqet një veprim të ndërtuar dhe të rregulluar në bazë të talenti të tij natyral.

[1] Me fjalën -harmoni- kuptohet këtu muzika.

[2] Sofroni ka qenë mimograf nga Sirakuza, moshatar i Euripidit, Ksenarku, edhe ky mimograf, ishte i biri i tij.

[3] Filozof i dëgjuar dhe mjek rreth vitit 450 e. v.

[4] Poet tragjik, asnjë nga veprat e tij s’na ka mbetur.

[5] Nomi (nomos): këngë lirike monodike e shoqëruar prej fyellit ose kitarës; përdoren nëpër ceremonitë fetare.

Përktheu: Sotir Papahristo

* Shkëputur nga “Poetika”, Aristoteli, BUZUKU, Prishtinë, 1998

Aristoteli (384 – 322)  ishte filozof, mendimtar dhe shkencëtar i shquar i Greqisë antike. Ai lindi ne vitin 384 para Krishtit ne Stragirë te Greqis Veriore.

Konsiderohet gjeniu më i madh intelektual i botës antike perëndimore. Ai luhatet midis idealizmit dhe materializmit.

Aristoteli ishte themelues i shkollës peripatetike si dhe themelues dhe sistematizues i shumë shkencave dhe disiplinave shkencore.

Shkrimet e tij mbulojnë shumë lëndë – duke përfshirë fizikën, biologjinë, zoologjinë, metafizikën, logjikën, etikën, estetikën, poezinë, teatrin, muzikën, retorikën, psikologjinë, gjuhësinë, ekonominë, politikën dhe qeverinë – dhe përbëjnë sistemin e parë gjithëpërfshirës të filozofisë perëndimore.

Aristoteli lindi në Stragira, të Trakisë , rrjedh nga një familje e arsimuar, në të cilën tradicionalisht kultivoheshin shkencat natyrore dhe mjekësia.

Në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, Aristoteli shkoi në Athinë, në akademinë e Platonit, ku qëndroi plot 20 vjet me radhë.

Menjëherë pas vdekjes së Platonit, Aristoteli u largua nga Athina dhe, me kërkesë të Filipit II të Maqedonisë, udhëzoi Aleksandrin e Madh që filloi në vitin 343 pes. Mësimdhënia Alexander i dha Aristotelit shumë mundësi.

Afirmimi dhe përdorimi i sistemit të Aristotelit në mesjetën evropiane është i njohur si Aristotelizmi.

Përgatiti: U.V/ ObserverKult

Lexo edhe:

VETË ARISTOTELI U MAHNIT NË BOTËN ILIRE