Poezi nga Arjola Zadrima
Me ndje mungesën e një përqafimi,
e mos me e kërku,
me ndje dëshirë me folë
e mos me bza,
me ndje nji ofshamë në gji,
e mos me kja,
më ndje nji mall prej larg,
pa mujtë me e shu,
me ndje tue rrjedh nji plagë
pa gjakue,
më ndje kohën tue shku
e mos me ju vu mbas,
më ndje kaos
pa zhurmue,
më ndje stuhi,
ortek në shpirt e mos me u ndi,
me ndje nji kputje pa çilë sytë
e kurrë mos me u anku,
me ndje nji frikë të thellë
me të lanë pa frymu,
me ndje nji dashni të naltë
e mos me e kallzu,
me ndje, me të ndje
me të dashtë e në gjys të natës
me u zgjue sa më të lshue za
veç pak,
tash qi trishtimin e kam në prag
a po të bjen në mend për mue?
ObserverKult
Lexo edhe:
KANË FRIKË NGA GRATË E FORTA…RRËFEN ARJOLA ZADRIMA
Mu kujtu im shoq, sonte.
Po kthehesha pak ma parë , në kamë. Ma shumë tuj shiju ecjen, freskinë e mramjes, rrugicën e boshatisun. Gjendesha e zhytun në habitatin tem.
Mbas do minutash ndjeva hapa mbas vetes. Ajo ndjesia e sikletit sikur shtohej, por mu kujtu Franci. Kishte net kur kthenim vonë , dhe po kështu ndodhej ndokush mbas nesh. Unë kisha frikë aso kohe, ndërsa ai mundohej me m’qetësu.
– Mos e kthe kryt, thoshte, asht thjesht një njeri si ne por mundet me u transformu në diçka tjetër kur e kupton që ke frikë.
Eca e qetë, drejt dhe me të njëjtin hap. Ai disi u afru dhe kur më parakaloi pak , ktheu kryet. Më pa më habi, por mori mbrapsht një shikim mospërfillës. Isha edhe lodhun.
Iku.
Im bir më telefonoi, e ndjeja që më qortonte, po kthehesh vetëm, nëpër rrugica, po pse s’më the…
– Mamë moj gru, po të ndodhë ndonjë gja…
Qeshja me të. E mbylli dikur telefonin.
Ndjeva sërisht hapa mbas meje. Gjithsesi në mend më sillej një pyetje, pse a ka gja që nuk më ka ndodhë në këtë jetë?
Eca drejt shtëpisë ashtu kryenaltë por hijerandë.
– Mos e kthe kryet Jolë, zakonisht njerëzit kanë frikë nga gratë e forta!
ObserverKult
Lexo edhe: