Arjola Zadrima interpreton poezinë e saj: “Sa herë s’kam dashtë me t’mërzitë” (Video)

Sa herë s’kam dashtë me t’mërzitë
e jam kthy në krah tjetër
t’vetmisë teme.
Nuk të kam thanë,
se natën e heq parzmoren,
ul armët,
heq helmetën
dhe strukem thellë në vedi.
Si the? Që jam gru e fortë?
Unë?
Ndoshta, por nadjeve me një shall krahëve
zgjoj diellin
mbas nji nate të ujtë.
E në mramje numroj yjet,
lulet që mblidhen
e mungesën tande.
Por ti nuk e din që unë mungesën
tande naive
e ruej në krahnur si diçka
thellësisht temen.
Ti nuk e din se përtej mendimeve
asht vetja jeme që të përqafon,
të përkdhel deri vonë
e s’due kurgja tjetër
veç dy sy,
dy sy që ma zgjojnë dashninë
që po më harron.
Ti nuk e din si më digjet shpirti,
nuk e din çka mu dhemb syve
ti nuk e din çka më mundon,
sepse jeta asht një lojë
dhe në këtë çast kaq intim
jam grueja pa mburojë…
Ti nuk e din…
nuk e din,
ah…