“Poleogeneza dhe disa çështje themelore të qytetit ilir”, ka qenë tema e trajtuar nga arkeologu i njohur Neritan Ceka në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike, që do të vijojë punimet deri më 27 nëntor në Hotel Plaza, Tiranë.
Prof. Ceka tha se kërkimet në qytetet ilire kanë përbërë një nga drejtimet kryesore të arkeologjisë shqiptare në dhjetëvjeçarët e fundit.
Gërmimeve në disa qendra kryesore qytetare si Foinike, Amantia, Antigonea, Dimali, Bylisi, Klosi, Zgërdheshi, Lisi, Selca e Poshtme, Belshi, etj., u përgjigjen dhe një sërë studimesh mbi materialet e zbuluara gjatë tyre.
Njëkohësisht janë bërë disa sinteza për të shpjeguar karakterin e qyteteve ilire dhe të kulturës së tyre në shek. VI-I p.
Kjo periudhë është përcaktuar si koha e lulëzimit të qytetërimit antik ilir, kur qytetet luajtën një rol kryesor si qendra prodhimi të mallrave dhe formuese të tipareve të kulturës ilire.
Gjithashtu është sqaruar shtrirja e kulturës qytetare ilire në pjesën më të madhe të territorit që banohej në antikitet nga popullsia ilire.
Duke pasur si rajon qëndror të zhvillimit trevat jugperëndimore, kjo kulturë përfshiu dhe krahinat e brendshme të Paionisë dhe të Dardanisë. Intensiteti i saj është shprehje konkrete e shkallës së zhvillimit në këto treva të qytetërimit antik ilir.
“Procesit i formimit të qyteteve antike në Ilirinë e Jugut dhe në Epir ka përbërë një temë që ka vazhduar të ndiqet përmes gërmimeve arkeologjike, si dhe në tubimet shkencore, vecanërisht atyre të organizuara nga prof. P. Cabanes. Poleogeneza mund të ndiqet në dy rrugë paralele: e para në modelin e implantimit të ngulimeve korinto-korkyrase të Dyrrahut e Apollonisë në çerekun efundit të shek. VII p. Kr, ndërsa e dyta si proces endemik i formimit të qendrave protourbane të tipit Belsh-Margëllic-Mashkjesë rreth mesit të shek. VII p. Kr. Të dyja janë pjesë e një zhvillimi të vetëm, të krijimit të shoqërive antike të bazuara në zhvillimin primar të ekonomisë së tregut dhe strukturimin shoqëror-politik.
Procesi i poleogenezës në hapësirën ilire-epirote i ka fillimet në shoqërinë patriarkale të periudhës së parë të hekurit, por qyteti si formë e organizimit ekonomik, shoqëror e politik nuk përfaqëson një vazhdim linear të vendbanimeve të fortifikuara prehistorike. Vendbanimet protourbane si fillesa të qytetit antik përbëjnë një formë të re, që përmes zhvillimit të mëtejshëm në të njëjtën hapësirë, apo përmes sinoikizmit japin vetëm pas dy shekuj formën e plotë të qytetit. Kronologjia e zhvillimit të tij, karakteri dhe trashëgimia përbëjnë temat pasuese që do të trajtohen nga kumtesa.”, tha prof. Ceka.
LEXO EDHE: NË ITALI PËRFUNDOJNË XHIRIMET E FILMIT PËR ILIRËT, “ILLYRICVM”