Ishte e vetmja shtëpi e moçme që kishte mbetur në rrugën “Ismail Dumoshi”. Muret me qerpiç dhe trarë të vënë kryq e tërthor ishin mbijetoja e stilit të dikurshëm arkitektonik kundrejt shumëkatëshve të ndërtuara në të dyja anët e rrugës. Nga e enjtja, shtëpia e ndërtuar para gati një shekulli, pronë e familjes Gashi, është e tëra gërmadhë.
“Ishte shtëpia më e vjetër e mëhallës. E mbaj mend prej viteve ‘60”, ka thënë njëri nga banorët e lagjes teksa shikonte rrënojat.
Ekskavatori thuajse kishte shembur ngrehinën dykatëshe kur inspektorë të Komunës së Prishtinës arritën në vendin e ngjarjes.
Mungesa e lejes ka qenë arsyetimi i Inspektoratit të Prishtinës për të ndaluar rrënimin e për të vënë shirita pranë rrënojave.
“Rrënimi është ndërprerë për shkak se pala s’ka paraqitur leje të rrënimit, si dhe është rrethuar me shirit hapësira”, ka thënë Adonis Tahiri, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prishtinës.
Paraprakisht, inspektorët i ishin drejtuar Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore-Prishtinë. Meqë ndërtesa nuk figuronte në listën e objekteve të mbrojtura, sipas Tahirit, “inspektori vazhdon me procedura si për çdo objekt tjetër”.
Por sipas Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore-Prishtinë, shtëpia e familjes Gashi bën pjesë brenda zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës./Koha.net