Arkivi Qendror Shtetëror i Shqipërisë do të ketë tashmë kushte sipas standardeve më të mira arkivore për të ruajtur biografinë e shtetit.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, publikoi disa fotografi me pamje nga mjediset e vjetra ku ruheshin dokumentet e shtetit dhe nga mjediset e reja në Shkozë.
“Arkivi Qendror i Shtetit Shqiptar sipas patriotëve që e qeverisën Shqipërinë deri dje dhe sipas nesh, që prej 7 vjet e 3 muajsh po e ndryshojmë vendin me përpjekje e durim, hap pas hapi, duke hedhur një bazë të re për shtetin në çdo sektor”, – thekson Rama.
Kryeministri Edi Rama ishte dje në Shkozë, ku inspektoi nga afër vendruajtjen e re të dokumentacionit arkivor të Arkivit Qendror Shtetëror.
“Pas 100 e kusur vjetësh edhe Shqipëria e ka më në fund infrastrukturën grumbulluese e mbrojtëse të Arkivit Qendror Shtetëror, sipas standardeve më të mira arkivore për të ruajtur biografinë e shtetit tonë”, tha Rama.
Brenda një viti Arkivi Qendror Shtetëror do të ketë vendosur dokumentacionin ashtu si duhet. Ato do të ruhen në ruajtëset arkivore që garantojnë edhe mikroklimën. Gjithashtu do të ketë sistemin e fundit të teknologjisë së zjarrit dhe sensor lagështie automatike./ATSH