Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Shqipëri kanë njoftuar se po vijon puna intensive, ku mbi dhjetë mijë libra po inventarizohen, po përpunohen manualisht dhe në mënyrë digjitale, për pasqyrimin e këtij katalogu në variantin elektronik.
DPA ka bërë të ditur se ky projekt ka për synim që biblioteka e këtij institucioni të jetë lehtësisht e qasshme për shfletimin e literaturës në gjuhën shqipe dhe të huaj nga të gjitha degët e shkencës.
“Biblioteka e Arkivit Qendror Shtetëror administron dhe ruan mbi 10.000 libra. Natyra e librave në bibliotekë është e larmishme, midis tyre gjenden enciklopedi, libra historikë, fetarë, fjalorë, fletore zyrtare, metoda, etj. Librat janë të viteve të ndryshme, ata më të hershmit janë klasifikuar tek fondi i librave të rrallë dhe ruhen në Dhomën e Fortë të Arkivit Qendror Shtetëror”, thuhet në njoftim.
Gjuha e librave është e ndryshme, ka në italisht, frëngjisht, greqisht, latinisht, osmanisht, etj. Kjo bibliotekë ka një traditë pasurimi përmes studiuesve, të cilët shfrytëzojnë sallën e AQSh për studimet e tyre. Pas nxjerrjes në dritë të botimeve këta studiues dhurojnë një kopje në bibliotekën e AQSh-së.
“Krahas pasurimit të vazhdueshëm të bibliotekës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave po punohet çdo ditë për inventarizimin digjital dhe për pasqyrimin e këtij skedari në variantin elektronik, me synimin që biblioteka të jetë më lehtë e qasshme në shfletimin e informacionit bibliografik”, ka bërë të ditur ku institucion.