Arkivit të Filmit Shqiptar i shtohet një koleksion i pasur

Një pasuri e vyer e regjisorit Kristiaq Dhamo, i cili ndërroi jetë një vit më parë, i shtohet Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti bëri të ditur se “në prag të përvjetorit të vdekjes së kineastit të madh Kristaq Dhamo, një prej pionierëve të filmit shqiptar, familja i dhuron Arkivit të Filmit një koleksion të pasur, që shërben jo vetëm për plotësimin e dosjes së kineastit, por edhe të historisë së kinematografisë shqiptare”.

Margariti tha se “bëhet fjalë për korrespondenca të kohës studentore, shënime, komente, referate të mbajtura në simpoziume etj., që do t’u shërbejnë studiuesve dhe kritikëve”.

Dhamo lindi në Libofshë të Fierit, më 20 prill 1933. Kreu liceun artistik “Jordan Misja”, më 1952, dega dramaturgji.

Për një periudhë të gjatë kohe, Kristaq Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i kinostudios (1973-1981 dhe 1984-1992). Ai ishte regjisori që realizoi filmin e parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, “Tana”, që ishte edhe filmi i tij i parë, me të cilin mbrojti edhe diplomën (1958).

Dhamo ka dhënë një ndihmë të çmuar në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë, me organizimin e disa kurseve profesionale.

Në 1979 iu dha titulli “Artist merituar” dhe në vitin 1987 u nderua me titullin “Artist i Popullit”. Në festivalin e XI-të i filmit shqiptar 2000 u nderua me çmimin e karrierës.

Regjisori Kristaq Dhamo ndërroi jetë më 14 gusht të 2022./Konica.al

ObserverKult


Filmi TANA - puthja e parë në filmat shqiptarë

Lexo edhe:

KU DHE KUR U REALIZUA PUTHJA E PARË NË FILMAT SHQIPTARË?

Filmi “Tana”, i cili u prodhua nga Kinostudio Shqipëria në vitin 1958, njihet si filmi i parë artistik i metrazhit të gjatë shqiptarë. Premiera e filmit është dhënë më 17 gusht të vitit 1958.

Ky film për regjisor kishte Kristaq Dhamo, skenari është punuar nga Kristaq Dhamo, Fatmir Gjata dhe Nasho Jorgaqi. Ndërsa muzika nga Çesk Zadeja.

Filmi ka për temë jetën shoqërore të fshatit dhe është me skenar të Fatmir Gjatës. Skenari është i mbështetur në novelën e tij me të njëjtin titull.

Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘50. Në qendër të filmit është Tana. Një vajzë e zgjuar dhe me mendime të përparuara. Ajo dashuron Stefanin i cili banon në një fshat të varfër malor.

Tanës i del përpara mentaliteti i vjetër i gjyshit të saj si dhe xhelozia e Lefterit.

Është një lojë dashurie drejt përparimit…këtu është realizuar puthja e parë në filmat shqiptarë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult