In time nga Arlind Farizi
Të jesh in time
Kudo, kurdo, për cilindo.
In time njerëz, fiks fare, pa asnjë vonesë, sepse vonesa të kushton. Dënimi i vonesës tënde është gërvishtje imazhi, ofendime përmes sms, ofendim publik, ofendim në miqësi…
Sepse të voglit kanë shkallët e vetme të lartësimit të tyre, kur flasin për gabimet e tjetrit, dhe për vigjilencën e vetë, e PAE FILANIN, LAJTI…, e kënaqësia i vizatohet n’bebëz t’sjavit…
Dënimi i vonesës tënde është dënim me kamatë poshtërimi, gjuajte me lehtësi pikadoje sedrës tënde, bërryla anësh për të penguar targetin tënd në synim.
In time njerëz, në punë, në takime, në parti, në kafenë, të jesh in time është pedanteri, seriozitet dhe pak dhimbje lukthi.
In time njerëz, ka njerëz që nuk të presin ty, duan përgjigjet e varura në degët e thyera deri në këputje të dobësisë të tyre, duan punët t’u kryhen në kohë, pa asnjë vonesë, si orë Zvicre…
In time njerëz, duhet me qenë fiks, aty për aty, ani se rruga prej katundi në qytet është e largët, ti fluturo, përdor dhe vi-fi që të mbërrish të kryesh punën herifit që nuk pret.
In time, kur të thirr partia, të do devotshëm, të dëgjueshëm dhe në kohë.
Vonesa të kushton heqje anëtarësie dhe humbje privilegji, in time njerëz, në takime parazgjedhore, dil para kamerës të të shohin ndërkohë kur përpara ke dhjetëra qafëgjatë që të zënë pamjen që mos të të sheh lideri. Të mbulojnë më atë shpinën e madhe si dëshira e tyre për mbytjen e ambicies tënde për politikë.
In time, politika s’do vonesë është si ai treni shpejt, fituan atë që kapën atë në kohën e duhur.
In time në letërsi, në kohë dhe në hapësirë, kronotopos simbolik. Të shkruash në kohë, për kohën për lexuesin e kohës, të jesh në hapësirë, në raport me gjithçka.
In time me lexuesin, ai mund të mërzitet nga vonesa e dhënies së librit me autogram. Ai nuk ka kohë, është i zënë me like dhe comment, me instagrame dhe facebook.
In time, në shtëpi, qumështi s’bën të vonojë, për aty gjysmat. Ata nuk e dinë nëse baba ka kohë dhe vakt për të blerë qumësht, ata e duan, e kërkojnë, me fjalën më të këndshme: tummy du”…
Kërkesat e tyre janë një vizë e gjatë __ që përfundon me DU. In time për këto dëshira të tyre, dhe jap veshkët për të plotësuar këto dëshira. Sepse jam rritur me mungesa dhe dua t’ua plotësoj dhe do ua plotësojë.
In time me prindërit, kanë dhëmbët t’i rregullojnë, duhet dru të blesh, dhe rrymën ta paguash. Edhe këtu s’bën të vonohesh. Çdo gjë duhet in time.
In time, me çdogjenë e kësaj botë të huxhumshme, in time, live fast die young, të paktën kufomën do e kesh të bukur.
ObserverKult
Lexo edhe:
ARLIND FARIZI: AI QE BËRË NJË FOLLOWERS I PËRBETUAR I SAJ, XHELOZ, I TMERRSHËM…