Dje përfundoi dita e tretë dhe e fundit e Panairit të Librit në Prizren. Komuna e Prizrenit, me rastin e 143-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Ditës së Çlirimit të qytetit, përpos organizimit të këtij panairi, shënoi edhe disa aktivitete të tjera në qytet në shenjë nderimi dhe kujtimi të veprimtarisë dhe të ideologjisë së delegatëve të Lidhjes së Prizrenit.
Komuna e Prizrenit, juria e panairit, për botuesit pjesëmarrës në panair, dha edhe tre çmime.
Çmimin e parë i dha shtëpisë botuese “Armagedoni” “për veprimtarinë botuese dhe për promovimin e librit gjatë pandemisë 2020-2021”.
“Këtë çmim nuk e bën të rëndësishëm për ne vlera monetare prej 400.00 eurosh, por që u nderuam nga qyteti i Lidhjes së Shqiptarëve, nga qyteti më i bukur në Kosovë, në një ditë të rëndësishme kombëtare. Këtë nderim që na bëri komuna nuk e morëm të gjithin me vete në Prishtinë sepse na dukej se kishte peshë të madhe. Prandaj dhamë, për Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, botime të shtëpisë botuese “Armagedoni” në vlerë prej 200.00 eurosh. Prizrenas, ju falemnderit për respektin dhe nderimin që na bëtë! Ju shkoftë puna mbarë!”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, drejtori i shtëpisë botuese “Armagedoni”, Berat Dakaj./epokaere