Armend Rexhepagiqi sonte këndon në Prishtinë/ Sibel Halimi: Ky koncert është një kumt dashurie për qytetin tonë (Video)

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i dorëzoi mirënjohje dhe “Hyjneshën në Fron” artistit të njohur, Armend Rexhepagiqi, për kontributin e tij të çmuar në kulturën muzikore dhe artistike të vendit.

Disa fjalë për këtë artist të madh, me këtë rast, i pati edhe drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi. Sipas saj, Armend Rexhepagiqi, na mësoi se jeta është kujtim, ndjenjë dhe ëndërr.

“Në kohët kur fjala dhe kënga mbanin gjallë shpirtin e Prishtinës, zëri i tij nuk heshti kurrë”, tha Halimi.

Ajo bëri të ditur se sonte mbahet koncerti i tij, e që sipas Halimit, “është një kumt dashurie për qytetin tonë, një kujtesë se Prishtina jeton sa herë që këndojmë bashkë”.

Armend Rexhepagiqi sonte mban koncertin

Një nga emrat ikonikë të skenës muzikore vendore, Armend Rexhepagiqi, këtë të shtunë, si pak herë, ngjitet në skenë për koncertin e tij.

“Dashni e vjetër” e ka quajtur Rexhepagiqi mbrëmjen muzikore që do të mbahet në Prishtinë, e cila do të jetë edhe moment promovimi i albumit të ri, po me këtë emërtim.

Krahas krijimtarisë muzikore tashmë të njohur, kantautori shqiptar do t’i japë zë edhe këngëve të reja, pikërisht nga ky album: “Kutia e zezë”, “Boll m’ke dalë”, “Dyfish ma pak”, “S’o dashni”, “Ma ke n’alë” dhe “Krejt Prishtinën për ditëlindje”, më 19 korrik te Pallati i Rinisë.

Ai është i njohur për disa nga hitet e tij muzikore si “Dashurinë ku e kam”, “Ti nuk më meriton”, “Shkel” e shumë këngë të tjera që dëgjohen prej shumë vitesh. Gjithashtu, ai mban vulën e teksteve të dhjetëra këngëtarëve shqiptarë.

ObserverKult


Lexo edhe:

“MBI 40-TAT”, POEZI NGA SIBEL HALIMI