“Aroma e hënës” e Krajës, të martën premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Drama “Aroma e hënës”, me tre akte dhe epilog, pjesa e fundit e trilogjisë “Hëna prej letre” e autorit Mehmet Kraja, jepet premierë më 16 nëntor, ditë e martë, në Teatrin Kombëtar të Kosovës me fillim nga ora 20.00.

“Aroma e hënës” është dramë provokuese e ditëve tona, filozofike dhe surrealiste, e cila ngre teza të fuqishme ekzistenciale, social-politike dhe politiko-mediale.

Kraja na përballë me pikëpyetje ekzistenciale të kohës së shkuar, të tashmes dhe të ardhmes (e cila nuk ka ardhur ende por, me gjasë, do t’i ndryshojë disa gjëra), duke i ballafaquar personazhet në raporte sa sociale aq edhe filozofike, transmeton ‘epokaere’.

Perceptimi i të shkuarës shpresëmadhe – luftës, dhe pas luftës… kush jemi ne…, ku jemi… a ka ardhur liria…, demokracia në këtë vend çfarë është dhe, në fund, a jemi të lumtur?! Apo liria është një shpikje e pamundur! Kjo përçapje për të kuptuar këtë kaos shpirtëror e mendor i zhvillon karakteret drejt një konflikti dramatik të përshkallëzuar dhe duke mos gjetur rrugëdalje personazhet shkojnë drejt fatalitetit.

Shfaqja merr përsipër teatrin e angazhuar, teatrin e fjalës (me të gjitha ngjyrimet e saj) dhe jo të spektaklit, të kryejë mision dhe jo argëtim, por ndërgjegjësim, vetëdije.

LEXO EDHE: “PSE U LARGOVA NGA TEATRI KOMBËTAR”- AKTORJA INA GJIKA RRËFEN PUTHJEN ME ARBEN SPIRON: S’E PATA PROBLEM, E KISHA…