Aroma e sh’pisë së vjetër!

(Ese për pikturën “Nepër kohë” të Laura Siner Brahimit)

Nga Halil Matoshi

1.
Tue kërkue në interNet m’u ndalën sytë e s’muj ia ndajsha nji pikture.
Tue qenë se nuk e njoh autoren dhe as veprën e saj ‘live’ e të plotë, druej se mujsha me u lshue në fragmentarizim e shmangie të thelbit.
M’u hodh mendja me e gjetë në rrjetet sociale autoren e me e vetë nëse unë po e shihja vërtetë lëkurën e dëmit, apo ishte ky lexim autonom i jémi!?
Njifarë guximi naiv!???
E ndijsha aromën e shpisë së vjetër
Po kërkoja në tavan…

2.
Piktura “Nepër kohë” e Laura Siner Brahimit përmban elemente figurative shtazore, që vijnë si reminishenca të fëmijnisë (dëlirësia e natyrës dhe presioni i jashtëm mbi të) si pamje të ândërrta, por që janë zgjatim i të shkuemes në të sotmen.
Kjo tablo gjithashtu mbart tone të larmishme në pjesë të ndryshme të kanavacës, aty-këtu madje shihet thurrja e kanavacës që e vë në pah e bardha e larave të kafshës së viktimizueme.
Një portretizim i kohnave nga fëmija i rritun në ambiente rurale.
Fëmijnia e akëcilit ose e shumë prej nesh.
Në tablo, zbulohet nji lëvizje e guximshme drejt një destinacioni të panjohtun.
Porse, ne jemi fëmijtë e kujtesës.
Ngjyrë është gjithçka që na kujtohet.
Në këtë vepër, ngjyrat janë holluar me forma të larmishme fragmentare, veçanërisht të frymëzueme nga natyra e lëkurës së dëmit dhe shkëlqimi i saj i brendshëm.

3.
Vepra gërryen thellë në amësinë, fëmijninë dhe ambientin e pastër fshatar. “Tregimet e ândrrës” së saj përmbajnë “figurën” e gjallë që lëvizë përmes ngjyrave të zhlyeme nëpër kohë.
Jam i gëzuem që e zbulova nji piktore në mjedisin tonë të artit, të frymëzueme nga gjurmët e jetës, nga ajo që mbetët.

4.
Në tablo, abstraksioni i pastër (i bazuar në teknikën e larjes) na jep një pamje qetësuese dhe piktorja ashiqare kënaqet shumë duke eksperimentuar me ngjyra, veçanërisht e bakërta, e kafta, e verdha e qelibartë dhe e bardha e purpurtë që qet në pah thurrjën e kanavacës.

5.
Përvojat estetike janë qëndrimet, perceptimet ose aktet e vëmendjes të përfshime në artin e shikimit.
Kur shikuesi âsht plotësisht i angazhuem, përvojat estetike janë të krahasueshme me përvojat e rrjedhës, të cilat janë përvoja optimale të përshkrueme nga njerëzit si “duke qenë aty” ose “tue e humbun ngjarjën”, në moment.
Po ta përdorim kornizën e Csikszentmihalyi dhe Robinson (1990), që konceptojnë përvojat estetike si katër dimensione të lidhuna me artin dhe një dimension të pestë të rrjedhës, kam kriju përvojën estetike personale, tue i shiju ngjyrnat e fëmijnisë sime.
Duke përdorue këtë konceptim, kam nisë të hapem ndaj përvojës, dmth ndaj rrjedhes së kohës në pikturë, si evokim dhe lëkura e dëmit përbrendësohet, vjen e bâhet lëkura e rexhun e jona përgjatë rrjedhes së kohës.

6.
Falemneres Laura që na e ke dhânë nji copë fëmijnie, ngjyrat e përshkllime të saj!
Unë tânë jetën kërkoj në tavan, në arkën e nanës, mas ‘kredinacit’, në dollapet e odës së burrave…, margaritarët e humbun të fëmijnisë.
Kërkimi vlen po aq sa fitorja, thoshte Picaso./ ObserverKult