Ti moj Mari, moj leshverdho!

maria e dashuruar


(popullore – tradicionale, greke)

Mari e bukur, lesh-verdho,
pa thuana, më shumë kë do,
pa na trego, çin do më shumë,
burrin apo gjiton’ e lumë?

Unë burrin tim e dashuroj,
po më gjitonin, më mirë shkoj.
Unë burrin tim e dua shumë,
por veç gjitonin shoh në gjumë.

Mari e bukur, lesh-verdho,
pa thuana, më shumë kë do,
pa na trego, çin do më shumë,
burrin apo gjiton’ e lumë?

Mermer u bëftë ky burri im,
dhe trëndafil gjitoni trim,
e duke shkelur mbi mermer,
lulet t’ja pres dhe t’u marr erë.

Shqipëroi: Arqile Garo

ObserverKult

Lexo edhe:

ARQILE GARO: NJË VIT PA PETRIT RUKËN

Bri varrit të Poetit kur të shkosh, ti, udhëtar,
qëndro për një moment, vendos një lule a dy,
lexo në epitafin prej mermeri ç’ e ka vrarë,
dhe nisu e bëj tutje, se Petriti s’ është aty.

Për pak u shtri, u çlodh disi. Pastaj u çua
dhe krahët hapi e u nis për udhëtim të madh,
ndaj nëse do që ta takosh, kërkoje në një krua,
a, në një breg të Labërisë, në gërxhet mbi livadh.

Pse, mund ta gjesh aty, mes luleve verdhane,
ndën lisat e vendlindjes plot aromë edhe blerim,
pyet, se mos ka vajtur mes çobanëve në stane,
a, tek një shpellë, si eremit i moçëm në verim.

Pa, mund të jetë bregut të Vjosës lozonjare,
tek thur kurora strofash për buronjën, a për vashën.
O, në kalanë e lashtë të Tepelenës ndën kamare,
me mjegulloren Vasilikë dhe Ali Pashën*.

Ose, në Trebeshinë konak për pak ka shtruar,
me gjeraqinat, me skifterë dhe zogj të tjerë,
mbi skërkat e mbi majat ku zbardh bora pikëlluar,
por, mund të jetë dhe mbi Nemërçkë, a Mal të Gjerë.

Të ndjej, ti udhëtar i largët, që me dhimbje e mall,
vjen plot trishtim e lot, që të takosh Petritin,
them or ti mik, ti shok i vyer dhe i rrallë:
Ta presim në udhëkryqin ku balada takon mitin.

Atje do vijë medoemos një natë qoftë apo ditë,
ujëvarash poetike ku shkëlqejnë stërkala vargjesh,
tokën të prekë, e porsi Anteu, i larë me dritë,
të niset rishtas, pelegrin në shtigje malesh.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU