Nga Petrit Palushi
Arratisja spektakolare e Havzi Nelës dhe letra që la në kufi në natën e 26 prillit 1967
N’atë natë të vonë të 26 prillit të vitit 1967, gjatë kalimit të kufirit, mu te Piramida, Havzi Nela shënoi në një fletë blloku vargjet e mëposhtme:
“Lamtumirë, Atdhe i dashun,
Po të la, po zemërplasun”.
E shkrova bash në brezin e butë, natën në errësi…
Havzi Nela
Fletën e bllokut e vendosi në një degë lajthie dhe njësiti i kufirit, në ndjekje të gjurmëve, gjeti edhe letrën me fjalët e sipërcituara.
Kalimet e kufirit kanë qenë të rrezikshme, thuajse të pamundura. Rojat shqiptare të kufirit, më tepër vëzhgonin kush përpiqej të largohej nga Shqipëria, sesa atë që mund të shkelte kufirin e të futej në Shqipëri; të shkoje drejt kufirit atëherë do të thoshte të shkoje drejt vdekjes i sigurtë.
Në anën tjetër, në rast se njeriu shpëtonte, do të thoshte se përjashtimi përforconte rregullin.
Në ikjen apo arratisjen spektakolare të tij, ka një lloj fisnikërie të ndritshme. Ai gjeti kohë të jepte një kumt (pikërisht kur edhe koha fizike mungonte se në çdo moment mund t’i shkonte kryet), se po linte vendin e tij përmes një trazimi të madh shpirtëror.
Prandaj lamtumira e tij qe një lamtumirë e përvajshme.
Në largimin e tij gjithashtu ka një lloj dëshmie se vendi po kthehej në pezmatim të vazhdueshëm për banorët e tij dhe largimi prej tij mund të ish një shpëtim, një lirim prej së keqes.
Njëkohësisht, ai po largohej me dhembjen që po i bëhej varr sepse diktatura tashmë po lëshonte hijen ndëshkuese mbi banorët e vendit të vet: izolimin, ankthin, torturën e vazhdueshme shpirtërore dhe fizike, indoktrinimin, etj.
Ndoshta një ikje e përkohshme, një ikje me riardhje më të shpejtë, në rastin më të mundshëm, sidomos me kthimin kryeposhtë të atij regjimi që po rrënonte vendin.
Por fati qe fort i mbrapshtë.
Në Aktakuzën kundër tij dhe bashkëshortes së vet shënohej se “Me datën 6 maj 1967, pala jugosllave jashtë vullnetit të tyre i dorëzoi në postbllokun e postës kufitare Morinë”.
(Dënimet qenë jashtëzakonisht të rënda: H. Nela me 15 vjet heqje të lirisë dhe konfiskim të pasurisë, ndërsa bashkëshortja e vet me 10 vjet heqje të lirisë).
ObserverKult
Lexo edhe:
I LIDHËN DHE I EKZEKUTUAN NJË NGA NJË, BRITMA E NANËS HALA “DËGJOHET” N’KËTO ANË
Masakra në Buzëmadhe, e kryer nga Shefqet Peçi, më 26 shtator 1944… Rrëfimi i Halim Sali Lalës: “Gjithato katundarë t’Buzmadhes t’pushkatuem. T’lidhun nja me nja. Me to i pushkatuem edhe vllai em, Ramizi.”
“I morën njerëzit me zor, n’fillim u thanë për nji mbledhje n’Krue t’Bardhë. E ma mbrapa i mashtruen e i pushkatuen.
Asht nji e preme n’besë bukur e madhe. Robi i Zotit s’e ban at lloj poshtërsije, po Shefqet Peçi kish qenë lloji i robit të keq. E ai e ka ba at gja me i futë tutën katundit tonë e krejt Lumës tejpërtej.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult