Ambasada franceze në Kosovë ka njoftuar se të mërkurën në një pritje e cila do të organizohet në rezidencën e Francës, ambasadorja e Francës, Marie-Christine Butel do të dekorojë aktorën Arta Dobroshi me urdhrin “Kalorëse e Arteve dhe Letrave”.
Sipas njoftimit, kjo është njëra nga dekoratat më të larta që e ndan Republika e Francës, përmes së cilës shpërblen individët, që janë dalluar përmes krijimtarisë së tyre, në fushën artistike ose letrare, apo përmes kontributit që ata kanë dhënë për shtrirjen dhe promovimin e artit dhe letërsisë në Francë dhe në mbarë botën.
“Përmes kësaj dekorate, Republika e Francës njeh kontributin e jashtëzakonshëm të zonjës DOBROSHI, gjatë gjithë karrierës profesionale, në përhapjen e gjuhës dhe kulturës franceze në Kosovë”, thuhet në njoftim.