Artan Fuga: Në këtë 8 mars, urime të gjitha grave në betejën e tyre për t’u çliruar nga sundimi arbitrar i burrit

artan fuga turizmi

Nga Artan Fuga

Po vazhdoj sot me urimet më të mira për të gjitha gratë dhe vajzat me rastin e 8 marsit!

Revoltojuni ndaj çdo sundimi mashkullor arbitrar!

Mos u gënjeni nga ndonjë krem a bizhu që në fakt është blerë me lekët tuaja! 

Kur shoh prej disa dekadash që në bangot e shkollës në shumë fakultete ka 80 përqind vajza dhe 10 ose 20 përqind djem, duke i parë edhe këta të fundit me simpati dhe respekt, them: Sociologjikisht, në Shqipëri, por jo vetëm, gratë nga tridhjetë në gjashtëdhjetë vjeç duhet të jenë objektivisht më me kulturë, më të ditura, më të logjikshme se ne meshkujt!

Kohët kanë ndryshuar. Heroika e femrës është fakti i madh madhor pas mijëra vjetësh!

Përulem me respekt!

Thënë kjo, kujdes, mos e transformojmë festën. Nuk është as festa e nuses, as e nënës, as e gjyshes. Janë të tjera ato! Është festa që simbolizon emancipimin e femrës, pra kryengritjen e saj ndaj faktit e qenë e sunduar dhe e diskriminuar nga institucionet, shteti, familja!

Pra, e lirisë sociale për femrën! Histori e gjatë!

Nuk ka mendimtar që nuk e thotë: Pra është revolta dhe çlirimi nga sundimi i mashkullit!

Kjo është e vërteta troç!

Ndërkaq ne jemi vendi më i çuditshëm në botë. Me gra dhe vajza mesatarisht shumë herë më të ditura se meshkujt, sikurse e vërtetova statistikisht, por ku në familje, në biznese, në media, në sipërmarrje, në shoqata, mbisundon burri, burrat!

Dhe duke qenë një shoqëri maçiste, kemi paradoksin e madh që në qeveri, edhe në ndonjë post tjetër shtetëror kryesor kemi shumicë femrash. Sikurse thoshte Simonë De Bouvoir, fakti që në Angli, mbreti tradicionalisht është mbretëreshë, kjo nuk e bënte që gratë atje në Komunuelth të ishin më pak nën sundimin e burrit! Mbretëresha si gruaja e Mbretit asnjëherë nuk do të thotë që është simboli i pozitës të gruas në shoqëri!

Kujdes, sociologë të mëdhenj, shkrimtarë të mëdhenj si Balzaku psh, thonë: Hmm, kujdes se edhe kur burri sundon, gruaja formalisht e sunduar ka edhe ajo një pushtet që e ushtron me forma të tjera.

Burri është Minotauri, por gruaja ka fillin e Arianës!!!

Burri ka shkuar në luftë, me inatet, hakmarrjet, deliret, xhelozitë, pse jo edhe jo rrallë me idiotësitë e tij, por edhe gruaja ka qenë në sfond jo, pak!  

Po nuk deshi gruaja burri nuk lufton!

Ndërkaq, gruaja mund të ngrihet lart në pozitë, edhe pse e meriton, por ndodh që ngrihet lart edhe sepse ka mbetur e nënshtruar dhe mund të mendohet se manipulohet më lehtë!

Ka gra që ngrihen lart për të t’i shërbyer burrit që i ka ngritur!

Pra, larg stereotipeve, urave kot, iluzioneve propagandistike, duhet analizuar çdo rast konkret!

Statistika që duhen studiuar me kujdes, por sociologjia fle!

Shkenca fle dhe bën sikur është zgjuar!

Ka gra që sillen politikisht si burra, dhe ka burra që sillen politikisht si gra!

E ndërlikuar shumë!

Gjithsesi në këtë 8 mars, urime të gjitha grave në betejën e tyre për t’u çliruar nga sundimi arbitrar i burrit!

Nuk është thjesht familjare, por me dimensione sociale!

Është e dhimbshme që prej tre dekadash sallat e auditorëve, pra të dijes mbushen me vajza dhe postet drejtuese në biznes, politikë, sipërmarrje, pushtet lokal, shoqata, media, t’i kenë në mënyrë dërmuese burrat!

Parë kështu, kjo ditë sa gëzim, sa shitje kremrash dhe bizhushë, me të cilat burrat gënjejnë gratë është edhe për të vënë duart në kokë, dhe… menduar!

Gëzuar 8 marsin!

ObserverKult


Artan Fuga

Lexo edhe:

ARTAN FUGA: MËSUES, BËJUNI DHURATA NXËNËSVE SOT, MOS MERRNI, MOS PLAÇKISNI FAMILJET…

Nga Artan Fuga

Mësues sidomos mësuese, urime per festën e shkollës. Nuk është festa vetëm e mësuesit, por edhe e nxënësve, prindërve.

Mos merrni dhurata materiale, mos i pranoni, kthejini mbrapsht me ëmbëlsi. Mos shkatërroni jo vetëm nderin tuaj profesional, por edhe figurën e mësuesit.

Bëjuni dhurata nxënësve sot, mos merrni, mos plaçkisni familjet!

Në asnjë vend të qytetëruar mësuesi nuk rrëmben gjoja dhurata nga nxënësit, buzëkuqë, brreke, ore të shtrenjta a të lira, këpucë, telefona, lekë në dorë. Kjo, sepse ky është degradim moral i shoqërisë dhe i shkollës.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult