Nga Artan Fuga
Nuk është e vërtetë që kombi shqiptar u formua në shekullin e 19-të, por shumë më parë.
Nuk është e vërtetë që një komb e bashkon tregu i përbashkët, shteti, gjuha, ndonëse këto luajnë rol. Pesë shekuj arbëreshët kanë ruajtur gjuhë, zakone, vetëdije, krejt të shkëputur, është një nga provat! Një komb e bashkon sikurse provon Max Weber vullneti kolektiv për të jetuar sëbashku.
Nuk është e vërtetë se shqiptari në histori ka pasur ndërgjegje të cekët fetare. E ka pasur sa gjithë kombët dhe popujt e tjerë që edhe ata në të shumtën e rasteve kanë ndryshuar fe. Feja e shqiptari është feja në besimet e veta të ndryshme dhe jo shqiptaria! Shqiptaria është vetëdija e identitetit kombëtar.
Nuk është e vërtetë se vetëm fqinjët na kanë “ngacmuar” në histori, por edhe ne në mjaft raste u kemi prekur atyre atyre interesat e tyre. Këtë e kanë bërë elitat kolaboracioniste sikundër për të përfituar privilegje te Porta e Lartë sulltanore, te Italia fashiste e Musolinit, te njehsimi me Italinë fashiste në sulmin kundër gerkërve, te lidhja me Bashkimin Sovjetik dhe Traktatin e Varshavës, me Kinën. Por, edhe të tjerët na kanë masakruar.
Nuk është e vërtetë se Skënderbeu ishte thjesht një prijës mbi kalë, një strateg luftarak, por mbi të gjitha ishte një njeri i inspiruar nga filozofia politike humaniste e pasmesjetës së hershme, dhe ndërtoi qysh herët një pushtet laik.
Nuk është e vërtetë që fjalët e para të dokumentuara të shkruara shqip janë përpjekje për të përhapur besimin në shtresat e varfëra popullore, por është një përpjekje e shtresave të larta për të futur shqipen në fe.
Nuk është e vërtetë që shqipja nuk ka lidhje me gjuhët latine, kryqëzimet e saj me të si në leksik, morfologji, sintaksë etj. janë krejt të pranishme.
Nuk është e vërtetë se gabimet i bëjnë thjesht prijësit, edhe populli ka përgjegjësinë e vet, ne kolektivisht kemi bërë “vetëvrasje” masive në histori, mjafton të përmend therrjen e bagëtive në vitin 1981 e më tej si kundërpërgjigje ndaj tufëzimit, shkatërrimet masive në vitet 1990 – 93 të të mirave materiale, hedhjen në kosh të parave në kohën e piramidave, shkatërrimet e viteve 97 dhe 98, emigrimin masiv, etj.
Nuk është e vërtetë se populli është mençurisht i pagabueshëm, edhe ai gabon dhe kur gabon bën gabime shekullore. Braktisja e zonave rurale dhe ardhja buzë Lanës dhe buzë kënetave në zonën Durrës – Lezhë është një nga gafat tona historike popullore.
Nuk është e vërtetë se identiteti shqiptar është midis Lindjes dhe Perëndimit, por është në thelb identitet europian i pastër. Mbishtresat pastaj njihen te cdo popull, italianët, gjermanët, spanjollët, grekët, etj. Por tjetër është identiteti dhe tjetër mbishtresat!
ObserverKult
Lexo edhe:
NË KATËRVJETORIN E VDEKJES, PËRKUJTOHET NEXHMIJE PAGARUSHA, MBRETËRESHA E MUZIKËS SHQIPTARE